
Disa profile të protestuesve janë mbyllur. Në fillim është njoftuar për adresën e Agron Shehajt e më pas të aktivistit Genti Progni. Në redaksinë e Gogo.al janë raportuar disa raste si faqja “Antidroga07”, “Mashurkbazike5g”, Jurgen Shpërdhea apo edhe Ericleocepa. E bllokuar është edhe faqja “Studentët n’protestë”. Ndër komentues adresa “Ledios_” shkruan: “Janë mbyllur qindra faqe të protestës”. Një tjetër llogari e mbyllur është ajo e Alesia Burnazit e cila i fliste një audiencë ndërkombëtare në anglisht se çfarë ndodhte në protesta në Shqipëri dhe rezistencën disamujore kundër ligjit që lejon të ndërhyhet në zonat e mbrojtura. Faqja “Patriotët shqiptarë” shkruan: “Faqja ime edhe pse është shumë modeste.. vetëm sot më kanë bllokuar 5 postime. Ndërsa në Tiktok brenda 3 ditëve kam marrë 2 paralajmërime.. pra çështje orësh do ma mbyllin Tiktokun”.

Në mesazhe të dërguara në redaksinë e Gogo.al denoncohet mbyllja e faqes së Lëvizjes Bashkë dhe kreut të saj Arlind Qorit, duke bërë të ditur se u ndalohet të hapin të reja, pasi ua mbyllin sërish. Pas bllokimit ka reaguar Partia Mundësia. Në një deklaratë ngrihen dyshime për një veprim të koordinuar kundër opozitës dhe protestës duke pretenduar se pas bllokimeve mund të qëndrojnë grupe të lidhura me qeverinë. Mësohet se Shehaj është duke përgatitur hapat ligjorë për rikthimin e faqes së Instagramit. Për partinë Mundësia bllokimi është shqetësues pasi lidhet me lirinë e fjalës dhe shprehjes dhe aktivitetin politik të opozitës. “E paprecedentë! Edi Rama arriti të mbyllë me qindra faqe Instagrami të protestuesve që mbështesin protestën prej 3 muajsh. Ka mbyllur dhe faqen time të Instagramit”, deklaroi Shehaj.

Demokratët Evropianë kanë treguar vëmendje ndaj kësaj ngjarjeje. Në një deklaratë, PDE/EDP kërkohen sqarime nga qeveria shqiptare dhe autoritetet përkatëse pasi një veprim i tillë mund të prekë lirinë e shprehjes dhe të drejtën për të shfaqur publikisht mospajtimin politik. Ata shprehen se këto profile u përkisnin protestuesve dhe aktivistëve që dokumentonin zhvillimet gjatë demonstratave.

“Dje, protestuesit dhe grupet e aktivistëve në Shqipëri raportuan se rreth 200 profile në Instagram të lidhura me njerëz që merrnin pjesë në demonstrata dhe i dokumentonin ato ishin çaktivizuar ose kufizuar. Këto akuza kërkojnë përgjigje të menjëhershme nga qeveria e Edi Ramës dhe autoritetet shqiptare. Liria e shprehjes dhe mospajtimi politik janë të drejta thelbësore demokratike. Një vend që përparon drejt anëtarësimit në BE duhet të mbrojë çdo zë kritik paqësor.”, thuhet në reagim.
Sulmi kibernetik ndodh në kohën kur prej më shumë se 90 ditësh protestohet kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Një nga kërkesat e panegociueshme të qytetarëve është dorëheqja e tij. Para dy netësh janë shoqëruar në polici dhjetëra të rinj të cilët nuk iu bindën policisë duke rrethuar godinën e kryeministrisë me thirrjet për burgosjen e Ramës.


