
Partia Demokratike ka nisur sulmin ndaj pronarit të linjës së supermarketeve “Big Market” njëkohësisht dhe deputet i Partisë Socialiste, Vullnet Sinaj. Kjo vjen vetëm një javë pasi kryeministri Edi Rama, gjatë Kongresit të PS-së e veçoi Sinajn nga të tjerët, duke e vlerësuar si deputetin e vetëm që s’e ka shqetësuar ndonjëherë dhe duke thënë se i ka rënë telefonit të tij vetëm për të zgjidhur problemet e popullit.
Partia Demokratike mendon ndryshe nga Rama, duke ngritur një akuzë të martën e datës 6 Gusht ndaj deputetit socialist, duke thënë se ka përfituar miliona lekë nga paratë publike. Në disa media pranë qeverisë, janë publikuar dokumente sipas të cilave, Sinaj ka përfituar miliona lekë përmes supermarketeve të tij, nga Buxheti i Shtetit.
“Nga verifikimi i të dhënave të thesarit të shtetit, rezulton se deputeti Sina në kundërshtim flagrant me nenin 70, pika 3 e Kushtetutës, ka përfituar të ardhura nga Buxheti i Shtetit, në vlerë disa milion lekë, përmes 9 kompanive të tij private, gjatë periudhës ku ushtron edhe mandatin e deputetit.
Deputeti Vullnet Sina i shpallur si ‘deputet kampion’ nga Edi Rama në Kongresin e fundit të Partisë Socialiste, rezulton se qenka kampion në përfitimin e parave publike në kundërshtim flagrant me Kushtetutën.”-thuhet në njoftimin e PD-së. PD ka deklaruar gjithashtu se do t’i kërkojë Kuvendit t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për heqjen e mandatit të deputetit Sina.
Si i përgjigjet Sinaj akuzave
Deputeti Sinaj ka reaguar publikisht duke i mohuar ato çfarë thuhen nga opozita, por duke shtuar se ai që prej vitit 2017 ka dhënë dorëheqjen nga të gjitha bizneset e tij, për t’ju përkushtuar vetëm politikës.
“Mësova me habi dhe jo pa humor, kërkesën për mocion të Partisë Demokratike për heqjen e mandatit tim si përfaqësues i Partisë Socialiste në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë. Deklaroj me përgjegjësi të plotë: Në zbatim të nenit 70, pika 3 e Kushtetutës, nga viti 2017 kam dhënë dorëheqje nga administrimi i të gjitha bizneseve të mia, duke iu përkushtuar vetëm politikës. Me vendimet e depozituara në QKB në vitin 2017, kam vendosur transferimin e të gjitha kuotave të kompanive, sipas ligjeve në fuqi. “-shkruan Sinaj në Facebook.
Jo vetëm kaq, por ai shton se përveçse nuk ka përfituar asgjë nga buxheti i shtetit, rrogën e tij mujore si deputet ai e dhuron çdo muaj: “Nuk kam përfituar nga buxheti i shtetit asnjë lek, as kur nuk kam qenë deputet, as kur jam zgjedhur deputet. Për më tepër, dhuroj prej vitesh rrogën mujore të deputetit për të ndihmuar njerëz në nevojë dhe as më shkon mendja të përfitoj financiarisht nga buxheti i shtetit.”

Si e veçoi Rama Sinajn nga të tjerët
Në Kongresin e Partisë Socialiste të mbajtur më 28 Korrik, Rama u ankua për disa deputetë, për të cilët tha se shkojnë në bazë vetëm për të bërë foto apo që iu del zëri vetëm kur trokasin nëpër zyrat e shtetit për punët e tyre. Por vetëm për njërin nuk kishte ankesa dhe ai është Vullnet Sinaj.
Për të Rama tha se nuk e kishte shqetësuar kurrë dhe se gjithmonë i binte telefonit vetëm për hallet e njerëzve.
“Kurrë nuk më ka shqetësuar për asgjë personale, por nuk e ka pasur problem të më shkruajë pas mesnate duke u kthyer i lodhur në një nga zonat më të thella e të vështira ku ka bërë më shumë se qeveria.”-shprehej kryeministri ndërsa Sinaj përlotej me fjalët që po dëgjonte.



