Një shpërthim mbrëmjen e së premtes shkaktoi dëme të kanalit të ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varragë të Kosovës, duke rrezikuar furnizimin me ujë dhe energji në vend. Lidhur me këtë çështje qeveria e Kosovës zhvilloi një mbledhje emergjente në orët e para të mëngjesit. Gjatë kësaj mbledhje ata akuzuan Serbinë lidhur me këtë sulm, duke vënë në pah dhe ndërlidhjen, sipas tyre me sulmet e Rusisë agresore në Ukrainë.

“Kjo mbledhje u thirr pas sulmit të tretë në 72 orët e fundit, që këtë herë ka shënjestruar infrastrukturën kritike të vendit – sistemin e furnizimit me ujë dhe prodhimin e energjisë elektrike. Indikacionet e para sugjerojnë se ky sulm i radhës është orkestruar nga shteti serb, i cili ka kapacitete për një sulm të këtillë kriminal e terrorist. Elemente të organizatave terroriste ‘Mbrojtja Civile’ e ‘Brigada Veriore’ dhe kryekrimineli Millan Radoiçiq nën dirigjimin e Presidentit dhe Qeverisë së Serbisë planifikojnë e ushtrohen në Serbi për sulme të këtilla profesioniste. U vu në pah edhe ndërlidhja e gjasshme me sulmet e Rusisë agresore në Ukrainë mbi kapacitetet energjetike gjatë kësaj jave duke lënë mbi një milion amvisëri ukrainase pa energji elektrike pikërisht në prag të dimrit.”- shkruhet në reagimin e Këshillit të Sigurisë së Kosovës.

Për këtë dhe kryeministri i Kosovës ka akuzuar Serbinë, duke e quajtur sulm kriminal dhe terrorist, që sipas Kurtit ka synuar të dëmtojë infrastrukturën mbase më të rëndësishme. Gjithashtu mëngjesin e sotëm, Kurti ka shkuar në vendngjarje i veshur me çizme për të parë nga afër situatën. “Policia ka kryer bastisje, ka edhe arrestime, dëshmi e prova materiale dhe të gjithë këta kriminelë e terroristë do të përballen me drejtësinë, me fuqinë e ligjit të drejtë të Republikës demokratike e të pavarur të Kosovës”– tha Kurti.

Por çfarë thotë qeveria Serbe?

Menjëherë pas sulmit, ka reagur dhe qeveria Serbe duke mohuar përfshirjen në këtë sulm. Ata e cilësuan të papranueshëm dhe të patolerueshëm këtë sulm, i cili në mënyrë më të drejtpërdrejtë rrezikon nevojat themelore jetësore të popullit serb në Kosovë.

Serbia e mohon të ketë qenë ajo që ka sulmuar, në shpërthimin e mbrëmjes së të premtes në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në fshatin Varragë të komunës së Zubin Potokut, ku u rrezikua duke furnizimi me ujë dhe energji.
“Regjimi etnonacionalist i Kurtit është nxituar ta drejtojë gishtin drejt Beogradit pa prova, ne besojmë se akuza të tilla të parakohshme janë një devijim i qëllimshëm që potencialisht mund të tregojë përfshirjen e regjimit të Albin Kurtit.” –tha Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriç.

Reagime pati dhe nga kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, duke deklaruar se Beogradi nuk ka të bëjë fare me sulmin e ndodhur. “Çfarë duhet të bëj që të justifikohem, të vrapoj nëpër mediat e botës, t’u kërkoj falje për diçka që nuk e kam bërë, nëse do ta interpretojnë si të duan. Prandaj gjithmonë ngadalë, në fund, gjithçka do të bjerë në vend. Është e rëndësishme vetëm të punosh, të luftosh dhe të besosh në vetvete”.– tha ai.

Lidhur me këtë ka reaguar nga Shqipëria presidenti Bajram Begaj pas zhvillimit të një bisede telefonike me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin. Begaj u shpreh se ky sulm ka cënuar sigurinë kombëtare të Kosovës. “Dënoj ashpër aktet terroriste me lëndë eksplozive mbi Kanalin e Ibër-Lepenic që synojnë shkatërrimin e infrastrukturës kritike të Kosovës e cënon sigurinë kombëtare të Kosovës.”– u shpreh ai.

Gjithashtu dhe kryeparlamentarja Elisa Spiropali e cilësoi këtë sulm si akt terrorist. “Aktet terroriste të shkatërrimit të infrastrukturës kritike të furnizimit me ujë në Kanalin e Ibër-Lepencit, nuk dëmtojnë vetëm shërbimet jetike ndaj qytetarëve të Kosovës, por përpjekjet e popullit dhe institucioneve të Kosovës për siguri, zhvillim, mirëqenie, dialog e paqe, dëmtojnë klimën dhe përpjekjet për mirëkuptim dhe bashkëpunim në rajon.”– shkroi Spiropali.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar gjithashtu përmes një postimi në “X”, ku e quan sulmin një akt sabotazhi. “Akti i sabotazhit mbi infrastrukturën kritike të furnizimit me ujë në kanalin e Ibër Lepencit është një krim i rëndë, i cili cënon jetën e qytetarëve të Kosovës dhe godet procesin e normalizimit të marrëdhënieve në rajonin tonë, ku të gjitha shtetet janë të përfshira në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian.”-shkruan Rama. Ai thotë se ngjarja duhet zbardhur e ndëshkuar sa më parë me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, ndërsa bën thirrje për Bashkimin Europian që të heqë sanksionet e mbetura ndaj Kosovës dhe të riangazhohet në një format të ri dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit.


Cili është reagimi i ndërkombëtarëve

Reagime ka patur edhe nga ndërkombëtarët, mes të cilëve përmendim shefen e Misionit të OKB-së në Kosovë, Caroline Ziadeh, e cila e ka dënuar sulmin përmes një postimi në rrjetin social “X”, ku shprehet se ky sulm rrezikon të dëmtojë stabilitetin në rajon. Ajo thotë se “një hetim gjithëpërfshirës transparent është i domosdoshëm për të identifikuar përgjegjësit dhe për t’i mbajtur ata përgjegjës”.

Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR gjithashtu thotë se duhet të vërtetohen faktet dhe përgjegjësit për shpërthimin në Ibër-Lepenc të sillen para drejtësisë. “Personeli i KFOR-it që nga mbrëmë ka ofruar siguri në tubacionin e ujit dhe në zonat përreth; për më tepër, KFOR-i ka ofruar asgjësimin logjistik të mjeteve shpërthyese dhe mbështetje inxhinierike për institucionet në Kosovë.”- thuhet gjithashtu në reagimin e KFOR.

Sulmi është dënuar dhe nga përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell. “BE-ja e dënon ashpër sulmin terrorist të kryer të premten në kanalin ujor në Ibër-Lepencit në Zubin Potok në veri të Kosovës. Është një akt i neveritshëm sabotimi në infrastrukturën kritike civile të Kosovës, e cila siguron ujë të pijshëm për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë së Kosovës dhe është një komponent jetik i sistemit energjetik të Kosovës.”- shprehet Borrell ndërsa kërkon vënien para drejtësisë të autorëve.

LËR NJË KOMENT

Avokate me profesion, 50-vjeçarja Fatima Zahra El Mansouri ka qenë për disa vite kryetare e bashkisë së Marrakeshit. Fatima Zahra El Mansouri është emëruar kryeministrja e parë grua e Marokut, pasi...
/ Sep 30
Nga Auron Tare Shiu i vjeshtës kishte filluar ndërsa unë isha në studiot e një televizioni që më kishte ftuar atë natë. Pas bisedës po prisja te kafja e televizionit...
/ Oct 3
Çfarë është Shqipëria e këtyre 35 viteve? Fatos Lubonja, një nga intelektualët e paktë që i ka mbetur Shqipërisë, për koherencën, qëndrueshmërinë e ideve të tij ndër vite dhe guximin...
/ Jul 29
Spektakli i humorit “Portokalli” ka nisur sezonin me një skeç ku talleshin qytetarët në protestë. Prej me shumë se 128 ditës ata ngrenë zërin në boulevard kundër qeverisë. Një pjesë...
/ Oct 5