
Xhoela Bame është studiuesja nga Korça e cila është përzgjedhur nga revista “Forbes” mes 30 të rinjve nën moshën 30-vjeçare të cilët kanë ndikim në të gjithë botën. Fokusi i studimeve të saj është është rigjenerimi i trurit dhe mekanizmat që ndikojnë në plakjen e tij. Në një shënim të revistës shkruhet: “Bame synon të zbulojë misteret pas sëmundjeve neurodegjenerative si Alzheimeri dhe ALS. Ajo ka identifikuar orët biologjike që qëndrojnë pas riparimit dhe plakjes së trurit, ka zbuluar se si të dallohen shenjat e degjenerimit disa muaj përpara se të shfaqen simptomat, dhe tani po zbaton metodat e saj të mëparshme për të zbuluar barna rigjeneruese për trajtimin e çrregullimeve kardiometabolike si insuficienca e zemrës, me qëllim që të ndihmojë trupin të vetëshërohet”.

Kush është Xhoela Bame
Studimet e saj e bënë të famshme pas një përvoje në kërkimin shkencor. Ajo jeton në New Hampshire të SHBA-ve pasi është diplomuar me rezultatet më të larta në Universitetin Teknik të Stambollit, Turqi, me degë kryesore në Biologji Molekulare dhe Gjenetikë dhe degë dytësore në Ekonomi. Sipas “Homewardboundprojects”, është vlerësuar me bursën e Ekselencës dhe atë të Suksesit respektivisht nga qeveria shqiptare dhe ajo turke, si edhe me dy bursa Erasmus për të ndjekur trajnime shkencore në Spanjë (Universiteti i Castilla-La Mancha, Spitali i Përgjithshëm i Albacetes, njësia e Neuropsikofarmakologjisë) dhe në Gjermani (Instituti Max Planck për Biologjinë e Plakjes, njësia e Metabolizmit të Infeksionit).
Bame po ndjek studimet e doktoraturës në Dartmouth College, me objekt të temës së saj, dinamikën organike dhe qelizore në trurin e gjallë si përfituese e bursës paradorature të American Heart Association dhe bursës së Fondacionit Albert J. Ryan. Përmes kërkimit të saj Bame synon të thellohet në fusha si biologjia qelizore dhe neuroshkenca, të cilat kanë ndikim në disa çrregullime të zhvillimit, sëmundje neurodegjenerative dhe patologji të lidhura me plakjen.

Ajo është anëtare e komunitetit për promovimin e kërkimit në STEM dhe përfaqëson departamentin e saj në Komitetin e Studentëve të Diplomuar dhe universitetin e saj në aleancën “New England Graduate Women in Science and Engineering”. Studiuesja Bame në vitin 2022 u përzgjodh si një nga 100 Liderët e së Ardhmes për të marrë pjesë në Samitin e GAP në Universitetin e Cambridge, në Mbretërinë e Bashkuar. Në një intervistë për “Euronews” ajo ka bërë të ditur se po punon për rigjenerimin e zemrës dhe sëmundjeve kardiovaskulare, në bashkëpunim me Universitetin e Oxfordit. “Shqipërinë e kam gjithmonë në mendje dhe në zemër. Kam qenë pranë të rinjve përmes mentorimit dhe jam gjithmonë e gatshme të jap kontributin tim”, tha Xhoela.


