
Pedagogu i Ekonomisë Ilir Ciko ka publikuar një studim, në të cilin zbulon se çmimet e produkteve të cilat janë importuar në Shqipëri janë rritur mesatarisht gati 80%, krahasuar me çmimet e të njëjtave produkte të shitura nga të njëjtët operatorë në tregjet e BE-së.
Për të realizuar këtë studim, Ciko ka marrë çmimet për 150 produkte konsumi, të zgjedhura rastësisht nga 13 kategori produktesh dhe të shitura në Shqipëri nga tre kompani të mëdha evropiane dhe i ka krahasuar me çmimet për të njëjtat produkte në tregun shqiptar.
Sipas këtij studimi, gjatë pranverës 2024, çmimi mesatar i këtyre produkteve në tregun shqiptar ishte 79.7% më i lartë se çmimi mesatar i të njëjtave produkte, shitur nga të njëjtët operatorë në tregjet e BE-së. Dhe kjo është vetëm shifra mesatare, pasi studimi i prof. Ilir Cikos vërteton se disa herë abuzimi arrin në rritje çmimi deri në 147% (kur bëhet fjalë për produkte për ushqim bebesh).
Në një rast, një produkt që shitet për 1.05 EURO në BE, kushton deri në 450 Lekë të reja në supermarketet në Shqipëri.

Në studim bëhet dhe një krahasim me vendet e rajonit. Çmimet saktësisht për të njëjtat produkte, të shitura nga e njëjta kompani, krahasuar me çmimet e këtyre produkteve në tregun vendlindës në BE, rezultuan 11 për qind më të larta në Serbi, 14 për qind më të larta në Kosovë, 14 për qind më të ulëta në Greqi, 1 për qind më të ulëta në Holandë dhe 5 për qind më të ulët në Ukrainë.
Titulli i studimit është “Bëhuni Europianë”. Ndërsa ishte i ftuar në programin “Wake Up” në “Top Channel”, profesor Ciko shpjegoi pse e ka bërë këtë zgjedhje: “Titulli i studimit është ‘Bëhuni europiane’. Është thelbi i gjithë motos që ka studimi. I kërkon kompanive europiane që të sillen si europianë në këtë vend të varfër të Europës. T’ju kërkojë këryte kompanive që të shesin me ato çmime që shesin në Europë. Ky është diskriminim i konsumatorit shqiptar.”
Për më shumë lexo studimin e plotë.


