Pas akuzave të forta të kryedemokratit Lulzim Basha në emisionin “Opinion” se është fshehur numri real i viktimave të Covid19, duke thuajse u përgjysmuar për publikun, njerëz nga publiku, gazetarë, personazhe publikë kanë pyetur e kanë pritur se çfarë do deklarojnë ata që janë nën akuzë.

Tabelat me numrin e viktimave të denoncuara nga Lulzim Basha

“Gogo.al” u interesua pranë Partisë Demokratike për të pyetur nëse prokuroria ka kërkuar dokumentet që u treguan dje në “Opinion” apo ka pyetur Bashën mbi akuzat me idenë e nisjes së një hetimi dhe deri në mesditën e 20 nëntorit, plot 12 orë pas artikulimit publik të denoncimit në televizion, nuk është bërë përpjekja më e vogël nga ndonjë prokuror.

Me padurim e kërshëri është pritur se si do reagonte sot kryeministri Edi Rama pas reagimit të shpejtë, “flakë për flakë” nga një studio tjetër televizive, ajo e Sokol Ballës natën e djeshme.

Këto orë përcaktonin shumë mbi dyshimet rreth çështjes sepse duhet thënë që tezat, idetë, teoritë e konspiracionit mbi atë që ndodhi mbrëmë në “Opinion” janë edhe të tipit që “Basha do dalë blof”, “Rama ka futur në kurth Bashën”, “Basha s’ka dokumente” etj etj dhe nga ana tjetër lloji i kundërsulmit të Ramës do tregonte shumë.

Por deri tani është i vështirë leximi i asaj që pritet të bëjë kryeministri shqiptar Edi Rama. Po ashtu i medieve afër qeverisë. Deri më tani ne mund të lexojmë e interpretojmë disa nga veprimet e ndërmarra dhe bashkë me to premtimin e Ramës se nesër do u drejtohet shqiptarëve me një mesazh.

Çfarë ka ndodhur këto muaj pandemie në Shqipëri?

1.Rama merr në dorë pandeminë në mars. Monopolizon çdo kanal zyrtar informimi dhe bëhet mbiautoriteti.

2.Muaj më pas Rama ia kalon ministres Manastirliu stafetën. Ajo nis të mbajë rolin kryesor në menaxhimin publik dhe informimin e shqiptarëve.

3.Basha bën akuzën e fortë në televizion se qeveria po fsheh numrin real të viktimave me Covid19, duke e përgjysmuar për publikun, ndërsa në morg, sipas tij, të dhënat e vdekjeve janë dyfish.

4.Rama reagon drejtpërdrejtë në “News24” duke thënë: “Çfarë mund t’i përgjigjesh tani?! D.m.th është pjesë e asaj që thashë, panik, konfuzion, shqetësim, katastrofë. Qeveria nuk deklaron asgjë. Numri i fataliteteve është një numër që pasqyrohet çdo ditë në bazë të kritereve që janë të lidhura me një element të thjeshtë: Të sëmurët nga Covid. Të tjerat janë spekulime, s’kanë asnjë bazë dhe hyn në atë të përditshmen: Shpif, shpif se diçka do mbetet, kall dëshpërim tek njerëzit se diçka do ndezë, ajo që përpiqen këta të ndezë, është se duhet të kuptojnë që pse kanë humbur që nga dita e parë”.

5.Mëngjesin e ditës pasardhëse disa mjekë të Infektivit rrethojnë shefen, Najada Çomo dhe lexojnë një deklaratë politike, patetike, vetviktimizuese, pseudoemocionale e që nuk japin shpjegim mbi shifra por mbi lotë, teksa shprehen: “…Janë akuza tronditëse që vënë në goditje profesionalizmin tonë si mjekë por janë edhe goditje të befasishme ndaj përpjekjeve tona më shumë se 9-mujore në luftë me Covid-19.…Por përballë akuzash të tilla e shohim të domosdoshme të informojmë opinionin publik si vijon: nuk është kurrësesi e vërtetë që janë fshehur vdekje nga Covid-19, dhe e themi me përgjegjësi të plotë se kjo është jo vetëm praktikisht por edhe teorikisht e pamundur…Ne nuk do lejojmë kurrsesi pa adresuar me ballafaqim miqësor apo ligjor këtë cenim që na bëhet në dinjitetin tonë njerëzor dhe profesional. Duhet t’i jepet njëherë e mirë fund praktikës politike dhe mediatike të lojës me vdekjen që ka sjellë jo pak telashe, në 30 vjet në jetën e bluzave të bardha...”

Mjekët sot në deklaratë

6.Rama reagon pas mjekëve, duke bërë “babanë” , me strategjinë “në mbrojtje” të tyre, për të orientuar fokusin e publikut te ta dhe jo vetja dhe thotë se do i drejtohet shqiptarëve me një mesazh: “Për akuzën e pashembullt të Lulëzim Bashës, e cila cënon drejtëpërdrejtë integritetin moral e profesional të mjekëve të vijës së zjarrit dhe nxit dhunë ndaj tyre, do t’u drejtohem nesër shqiptarëve me një mesazh të drejtëpërdrejtë, sepse këtu është shkuar shumë shumë larg, përtej çdo caku të politikës së ulët ditore dhe këtu nuk është më fjala thjeshtë për llafet e një aktori të papërgjegjshëm! Sot u shpreh të gjithë solidaritetin dhe mbështetjen time, profesoreshë Najada Çomos e të gjithë skuadrës së saj shembullore, duke u përulur me mirënjohje përpara stërmundimit të tyre të përditshëm prej nëntë muajsh me radhë, si edhe duke u thënë që historia e mjekësisë shqiptare do të flasë për ta kur Lulëzim Bashës e xhagajdurëve të tjerë të botës mizerabël të shpifjeve e të thashethemeve, t’u jetë harruar emri, nami e nishani!”.

7.Basha reagon sërish dhe thotë se ka detyrë të thotë të vërtetën në respekt të jetëve të humbura: “Edi Rama po gënjen dhe po fsheh numrin e viktimave të COVID-19 në Shqipëri. Ne kemi detyrën të shpërndajmë të vërtetën në emër të jetëve të humbura.”

Lulzim Basha gjatë deklaratës për fshehjen e numrit të viktimave nga qeveria

8.Ministria e Shëndetësisë më në fund bën një deklaratë, shpërndarë 15 orë pas akuzave të Bashës por sërish nuk shpjegon asnjë shifër mbi vdekjet, duke i qëndruar kryekëput një deklarate politike.

Ajo që spikat është tendenca e ministrisë për të folur në emër të mjekëve duke i marrë në patronazh ata, në sinkron me strategjinë e Ramës: “Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale solidarizohet me mjekët e vijës së parë të frontit kundër Armikut të Padukshëm, të cilët gjenden qysh mbrëmë nën një akuzë jo vetëm të shëmtuar politike, por edhe të rrezikshme për bluzat e bardha!…Si mund të imagjinohet që të gjithë mjekët tanë të jenë të përfshirë në një manipulim që edhe ta parafytyrosh duhet një papërgjegjshmëri e jashtëzakonshme, ndërkohë që ata kanë përgjegjësi njerëzore, profesionale dhe ligjore për çdo kartelë mjekësore?! MSHMS u shpreh keqardhjen më të madhe dhe mbështetjen më të fortë mjekëve të Shërbimit Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, të cilët e ngritën zërin për ta hedhur poshtë me forcën e dinjitetit të tyre akuzën e zotit Basha. Keqardhje sepse pasi janë gjendur në mënyrën më të pamerituar, përballë akuzave të pabazuara, të paargumentuara, dashakeqe në adresë të tyre, sot janë detyruar të bëjnë edhe një deklaratë publike në adresë të politikës, në vend se të paktën të mos sulmohen nga politika në misionin e tyre. Çdo humbje jete është një dhimbje e madhe jo vetëm për familjarët e të ndjerëve, por edhe për stafet tona mjekësore, të cilat punojnë çdo ditë, orë e pa orë, në luftë me vdekjen, për të shpëtuar çdo jetë njeriu. Por është jonjerëzore që politika të trazojë shpirtrat e lënduar të familjarëve që kanë humbur të dashurit e tyre, duke ngritur një dyshim kaq të rëndë për integritetin e mjekëve tanë…”

Reagimi i mjekëve mbetet veçse një reagim shterpë ndërsa “babai” Rama i merr në mbrojtje, megjithëse ai është i akuzuari direkt sepse ka qenë ai që ka kontrolluar informacionin që duhet të dilte për publikun mbi Covid19 në Shqipëri. Që prej marsit pandemia u menaxhua nga Rama, më pas iu kalua Manastirliut, tani as Manastirliu s’ka më guxim t’i dalë në ballë po zgjedhin mjekët për të përballuar valën e parë të “cunamit”.

Kush i ka nxjerrë këta mjekë para medieve?

Pse nuk reagojnë me të dhëna autoritetet?

A ka më autoritete apo ka vetëm një mbiautorititet që jep urdhra?

A po fiton kohë Rama duke u fshehur pas mjekëve?

Prokuroria a do hetojë?

Mos po gënjen Basha?

Kryeministri Edi Rama dje në “Real Story”

Nëse është e vërtetë që qeveria e një vendi arrin të përgjysmojë në deklarime publike numrin e viktimave të Covid19, zakonisht do të duheshin të kryheshin hetime, arrestime dhe sigurisht konfiskime të kanaleve që i bëjnë këto manipulime të orkestruara qëllimisht. Paralelja në këtë rast, nëse do rezultojë e vërtetë, është ERTV-ja e kryeministrit Rama.

Por vetvetiu vijnë edhe të tjera pyetje:

A do jetë kjo akuzë një dështim spektakolar i Bashës apo do kthehet në një nga më të fortat që do na hapë sytë përfundimisht mbi mënyrën se sa keq e ka menaxhuar qeveria shqiptare pandeminë e se si ka vënë në lojë shqiptarët?!

Nëse Basha do ketë të drejtë, a do jetë ky “kali i betejës” në zgjedhjet e 25 prillit?!

Valmora Gogo është gazetare dhe lektore e Komunikimit dhe e Gazetarisë. Prej 17 vitesh ajo kontribuon në hapësirën mediatike në Shqipëri, duke nisur që prej gazetës Shekulli e deri te mediet online si Newsbomb.al, Shuplaka.al dhe Hashtag.al. Gogo mban gradën “Doktor në Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” dhënë nga Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës. E fokusuar në kërkim dhe kryesisht në politikë, Gogo kujdeset në informimin e saktë të opinionit publik shqiptar.

Leave a Reply

  • (not be published)