Të hënën e 2 shtatorit nis sesioni i ri i Kuvendit të Shqipërisë. Ky sesion e gjen Kuvendin me një drejtuese të re, ish-ministren Elisa Spiropalin.  Drejtuesja e re e Kuvendit do të duhet që përveçse të drejtojë seancat plenare e t’ju japë fjalën deputetëve, të ruajë dhe balancat.  Për një figurë si Spiropali, e përmendur shpesh si eksponenti që ka mitizuar më shumë Edi Ramën në publik, nuk dihet nëse një profil kaq politik do arrijë dot të ruajë balancën e një kryetare Kuvendi që kërkon një profil më të përmbajtur.

Drejtuesja e kaluar Lindita Nikolla, e cila edhe pse ishte një figurë më e përmbajtur në publik, që ndryshe nga Spiropali nuk e mitizonte aq shumë Ramën sa ta quante “Skënderbeun e ri të Shqipërisë”, shpesh herë është kritikuar se nuk ka mundur të ruajë balancat në Parlament, duke u akuzuar nga opozita se nuk ju jepte fjalën dhe shkelte rregulloren e Kuvendit.  

Në këto kushte, në sesionin e ri do të kemi përballë një kryetare të re Kuvendi e cila njihet për patosin e saj ndaj Ramës dhe mitizimin ekstrem që i ka bërë kreut të qeverisë. Çfarë do ndodhë këtë sesion? Do arrijë dot Spiropali të përmbahet në detyrën e saj të re kur të ketë sulme ndaj kryeministrit? Do jetë e balancuar dhe në futjen e temave në rendin e ditës, sepse është detyrë e saj? Si do i menaxhojë seancat kur të ketë përplasje?

Po ashtu Nikolla ka lënë pas një sërë problematikash me të cilat do të duhet të merret Spiropali, siç është marrëdhënia me median dhe gazetarët. Do mundet dot Spiropali të përmirësojë marrëdhënien e prishur të Kuvendit me gazetarët, apo do e përkeqësojë më tepër duke ndihmuar censurën dhe mungesën e transparencës?

Sfidat që e presin Elisa Spiropalin si drejtuese e Kuvendit

Durimi: Kjo është sfida e parë e Spiropalit pasi parashikohet një sesion shumë i fortë dhe me shumë përplasje. Kjo sepse ka një sërë çështjesh të cilat mund të shkaktojnë përplasje mes palëve në Parlament, duke nisur nga problemi më i ri që nxori historia e mbetjeve të rrezikshme që ishin nisur nga Porti i Durrësit për në Tajlandë (lexo këtu), çështja e pazgjidhur me inceneratorët për të cilën ende vazhdojnë hetimet nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) që ka çuar në arrestimin e disa zyrtarëve, dosja 5D që çoi në arrestimin e disa drejtorëve të Bashkisë Tiranë, negociatat për zhvillimin e ri që Jared Kushner do të bëjë në Sazan dhe Zvërnec, çështja e arrestimit të ish-ministrit Ilir Beqaj, zgjedhja e Avokatit të Ri të Popullit… dhe sikur të gjitha këto të mos mjaftonin jemi pak muaj para zgjedhjeve parlamentare të 2025-ës. Kështu lind pyetja: Do jetë e duruar dhe do mundë të ruajë qetësinë Spiropali kur sulmet t’i vijnë nga opozita për kolegët e saj në qeveri? Si do i menaxhojë seancat kur të ketë përplasje?

Sjellja e deputetëve ka qenë një tjetër problem me të cilin është ndeshur ish-kryetarja Nikolla. Kujtojmë këtu deputetë si Flamur Noka të gatshëm për përplasje, pasi sa herë ndodh një debat i fortë në diskutim e sipër i afrohet foltores, por edhe vendit ku qëndron drejtuesi i seancës për të debatuar. Shpesh kanë ndërhyrë punonjësit e Gardës duke e rrethuar Nokën. Po me sjelljet e Edi Palokës siç ishte ajo e vënies së këmbëve mbi tavolinë në mes të votimit pikërisht për miratimin e Spiropalit në këtë detyrë të re, apo me sjelljen e deputetes Oriela Nebijaj e cila shtypte pa pushim butonat e kolegëve për të prishur procesin e votimit. Si do i menaxhojë Spiropali këto sjellje?

Koha dhe kërkesat e deputetëve të opozitës: Deputetët e opozitës shpesh herë janë ankuar për kryetaren Nikolla se shkelte rregulloren kur bëhet fjalë për futjen e temave në rendin e ditës, që ishin kërkuar nga opozita. Po ashtu, në një rast në shkurt të vitit të kaluar deputeti demokrat Luçiano Boçi tha se Nikolla ka shkelur ligjin duke urdhëruar Gardën që të mos lejojë deputetët e përjashtuar të marrin pjesë në mbledhjen e Byrosë, pasi “Neni 65 përcakton që deputeti kur ankimon për vendimin duhet të jetë prezent ose duhet të jetë përfaqësuesi i tij ligjor”. Po ashtu në një rast tjetër, opozita e akuzoi Nikollën se anulimi i seancës së datës 13.03.2023 është në shkelje të rëndë të Rregullores së Kuvendit. Rastet e ankesave të tilla janë të shumta. Koha që iu lihet në dispozicion deputetëve po ashtu është një nga debatet e përhershme në sallën e Kuvendit. Deputetët e opozitës shpeshherë ankohen se koha e tyre nuk është respektuar sipas rregullores. Por pyetja që lind është si do jetë sjellja e kryetares së re Spiropalit në lidhje me kërkesat e kolegëve të opozitës, do i plotësojë ajo këto kërkesa?

Marrëdhënia me gazetarët dhe transparenca: Kjo është sfida më kryesore. Ish-kryetarja Nikolla ka lënë pas këtë sfidë me shumë rëndësi për pasardhësen e saj në këtë detyrë, pasi përmirësimi i marrëdhënieve me gazetarët në vitet e fundit ka patur shumë hapa pas. Kujtojmë këtu vendimin e Kuvendit në vitin 2021 për përjashtimin e mediave nga seancat dhe mbledhjet e komisioneve. Asokohe kryetarja Nikolla vendosi që mbledhjet të filmohen nga vetë administrata e Kuvendit, ndërsa gazetarët nuk u lejuan as në korridore. Edhe pas Covidit, gazetarët e Kuvendit janë ankuar vazhdimisht për mungesën e transparencës nga ana e Kuvendit.

Ndryshimi i rregullores së Kuvendit në qershor 2021, mbi rregulloren për masmedian tre vite më pas ende vazhdon të cenojë lirinë e medias dhe ka centralizuar informacionin. Kjo është një prej arsyeve pse Shqipëria humbi 3 vende në indeksin botëror të lirisë së medias. 

Gogo.al pyeti disa gazetarë lidhur me këtë çështje, mes të cilëve gazetaren Esiona Konomi e cila e sheh problematike marrëdhënien e këtij instucioni me transparencën. “Gjatë drejtimit të zonjës Nikolla, Kuvendi bëri disa hapa pas, të cilat cënuan seriozisht transparencën. Me rezistencën e gazetarëve, ambicia për t’i lënë reporterët jashtë Kuvendit, dështoi pjesërisht. Ne vazhdojmë të kemi kufizime në dokumentacionin parlamentar, i cili nuk publikohet në kohë optimale dhe në kategori të qarta. Gjithsesi, pavarësisht sfidave që ngelen të hapura, Kuvendi vijon të jetë një nga institucionet e pakta që e trajton me seriozitet transparencën, në kontrast me qeverinë apo bashkitë.”-tha Konomi për Gogo.al.

Gazetari Isa Myzyraj, i cili është njëkohësisht drejtues i Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë ndan të njëjtin qëndrim. I pyetur pikërisht për problemet që Nikolla ka patur në lidhje me marrëdhënien me median ai përmend refuzimin e saj për të organizuar Konferenca për Median, duke mos iu dhënë mundësi gazetarëve të marrin përgjigje mbi pyetjet e tyre. “Nën drejtimin e Lindita Nikollës gazetarët janë hasur në mënyrë të vazhdueshme në problematika dhe vështirësi. Kemi pasur një sërë problemesh, me Gardën e Republikës e cila në parlament vepron nën urdhërat e kryetarit të Kuvendit, kemi pasur vështirësi në zbatimin e rregullores së Kuvendit për median. Për pothuajse të gjitha shqetësimet tona Znj.Nikolla ka qenë njoftuar disa herë edhe në rrugë zyrtare, por nuk ka reaguar kurrë për asnjë prej problematikave. Kanë qenë të pakta daljet e Lindita Nikollës për median. Si kryetare e parlamentit nuk ka zhvilluar asnjë konferencë për shtyp për t’u dhënë mundësi gazetarëve të bëjnë pyetjet e tyre.”– thotë Myzyraj.

Një tjetër gazetare, Raziela Myslimaj kujtoi disa nga përplasjet e kolegëve të saj të cilët janë penguar nga punonjësit e Gardës të bëjnë pyetjet e tyre, siç ka qenë ai i Ardit Hoxhës i cili u pengua të merrte pjesë në Komisionin e Reformës Zgjedhore në shkurt të këtij viti dhe ai i gazetares Klesiana Omeri e cila nuk u lejua t’i drejtojë pyetje ministrave apo deputetëve. “Këto janë raste që e cënojnë drejtpërdrejtë punën e gazetarit. Kryetares së re do t’i takojë të drejtojë Kuvendin në një periudhë edhe më të tensionuar politike për shkak të zgjedhjeve të ardhshme dhe paanshmëria e saj në raport me opozitën dhe punët e kuvendit si marrëdhënia me mediat besoj se do të kalojnë në lupë”-tha Myslimaj.

Çfarë presin gazetarët nga drejtuesja e re Spiropali

Gazetarja Esiona Konomi e pyetur se çfarë pret nga kryetarja e re Spiropali thotë se nga ajo pret pikërisht që t’i qëndrojë angazhimit për një Parlament transparent, një nga detyrat që çdo drejtues institucioni fundja ka. “Unë nuk kam asnjë arsye të paragjykoj qasjen e zonjës Spiropali në këtë drejtim, por unë pres, që ajo si Kryetare e Kuvendit, tu qëndrojë angazhimeve për një Parlament transparent, dhe të mos importojë në këtë institucion modelin e dyerve të mbyllura nga qeveria ku ajo ka shërbyer për gati 1 dekadë.”- thotë Konomi.

Gazetari Isa Myzyraj duket më pesimist. Ai mendon se çështja e transparencës shkon sipër Nikollës e Spiropalit, në nivelet më të larta të Partisë Socialiste. Pra, te kryeministri Rama. Myzyraj thekson gjithashtu se rregullorja e Kuvendit duhet të përsojë ndryshime. “Sigurisht edhe nga kryetarja e re e parlamentit Znj. Elisa Spiropali, personalisht nuk pres asgjë më shumë në raport me median dhe gazetarët sesa paraardhësja e saj. Unë mendoj se fillimisht është një sjellje jo e diktuar as nga Nikolla as nga Spiropali personalisht, por është e vendosur në nivelet më të larta të Partisë që ato përfaqësojnë dhe më tej nga qeveria. Së dyti problemi më i madh është rregullorja e parlamentit me median, e cila duhet ribërë nga fillimi me konsultimet me gazetarët.”– përgjigjet Myzyraj.

Raziela Myslimaj nga ana tjetër thotë që nuk dëshiron të bëjë parashikime duke paragjykuar kryetaren e re, por shpreson në një qasje bashkëpunuese. “Kryetarja e re e Kuvendit Elisa Spiropali nuk e ka marrë ende detyrën dhe unë nuk do doja të paragjykoja qasjen që do të ketë me median dhe gazetarët. Shpresoj shumë të jetë një qasje bashkëpunuese. Ky sesion i ri nën drejtimin e saj besoj do të ketë surpriza. Elisa Spiropali ka qënë një nga zërat më të rëndësishme të mazhorancës në përballjet parlamentare me opozitën dhe me pozicionin e ri do t’i duhet të zhvishet nga retorika e politike e partisë së saj për të drejtuar me paanshmëri seacat plenare.”- thotë Myslimaj. Dhe vërtet kjo është një nga pyetjet kryesore. A do zhvishet Spiropali nga kostumi dhe retorika politike e PS-së për të drejtuar me paanshmëri?

Kështu, kufizimet në dokumentacionin parlamentar, mosmbajtja e konferencave për shtyp, lënia e reporterëve jashtë, janë disa nga ankesat e gazetarëve me sesionet e kaluara. Nuk dihet nëse Spiropali do reflektojë ndonjërën prej tyre. Mbetet për t’u parë nëse do ketë ndonjë ndryshim, apo modeli i “dyerve të mbyllura” do të vazhdojë përsëri në Kuvend.

LËR NJË KOMENT

Navanethem "Navi" Pillay, një juriste nga Afrika e Jugut dhe ish-komisionere e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, fitoi Çmimin Nobel për Paqen 2026, "për përpjekjet e saj...
/ Oct 9
Nga Gjergj Erebara Banka e Shqipërisë bleu shifrën rekord të 428.5 milionë eurove gjatë muajve prill, maj dhe qershor të këtij viti, një shifër e cila, sipas të gjitha gjasave,...
/ Oct 10
A mendon se Korreshi po investon në partinë e duhur? Kur do ta tejkalojnë Berishën? A gjendet emri i një eksponenti të lartë të PD-së në dosjen e Ballukut? Çfarë...
/ Oct 6
Ndonëse kanë kaluar 36 vite nga rrëzimi i komunizmit, Shqipëria duket se ka ndërruar emërtimin e sistemit politik, por jo përmbajtjen e saj. Kjo shembullzohet me efektet dhe diksursin publik...
/ Oct 10