
Makinës iu dogj drita e përparme. Pikërisht në vrullin e nxitimit për t’u turrur drejt Kombinatit. Trafiku ishte lehtësuar disi por llamba duhej ndrequr. Ato 15 minuta në servis sikur ma ndollën ankthin nëse do të arrija dot në kohë.
Po ja tek jam. Aty afër zonës, te ish-fabrika e tullave në Tiranë vetëm se nuk e di me saktësi se ku duhet të hyj. Kjo mungesë informacioni me siguri do më hajë dhe 15 minuta të mira, mendova me vete, ndërsa fatmirësisht Elsa ma nisi atë që në anglisht ne i themi fare në mënyrë moskokëçarëse për shqipen, “Location”.
Precizioni i zotërisë te informacioni sikur më zgjoi për të kaluar përnjëherë nga bota e realitetit të pandreqshëm të një metropoli gjurulldish me trafikëra e mungesë adresash, drejt një bote ideale, të përrallave. “Kati i dytë, godina e lyer djathtas. Makinën do e parkosh këtu para se pas nuk ka vend!”, më tha me ton prej togeri ushtrie (nga ato që kemi parë nëpër filma se gratë në këtë vendin tonë nuk sprovohen me të tilla sakrifica).
Me vrik për t’u futur te hapësira e Iris Elezit, te ajo hapësirë që tanimë mban emrin Kinemateka Shqiptare. Kish nisur për be. Me siguri skuqjen e lehtë të kapjes gafil se nuk i kisha qëndruar besnike zotimit për të mbërritur në kohë, ma ka kamufluar errësira që qëndronte mbi spektatorët në sallën mbushur dengaz.

Foto shkrepur nga Saimir Ahmeti
“Njeriu që ndjente gjithçka” e kish zaptuar vëmendjen. Vallë a është kësokohe gjëja më e e këmbyeshme që kemi? Mos vallë ajo më e rralla?!
E kishin të lehtë këto dy vajza të na fusnin në botën e tyre.
Nuk e di kush më paska rrejtur se Elsa Demo është gazetare. Po mos ta dija do përbetohesha se është një aktore dhe pikë. Me autoritet skenik që ta japin vitet e gjata të performancës në skenë, Elsa e kishte gjetur mjaft mirë Flobensa Bezatin. Një aktore që mbajti peshë me hiret e një gruaje mesdhetare por që kish memorizuar një tekst të vështirë (eh, po a do t’i riprodhoja dot unë me përpikmëri aq shumë fjalë që vinin nga tabani i zakoneve, i luleve, i ndjesive, pyeta veten. Shih, shih përkthimin me titra anglisht sa mirë paskan punuar po sa të vështirë do e kenë patur, vazhdoja t’i flisja vetes).
Po ta dija se do gjeja këtë oaz në vrikën e bombardimeve me boshllëk, do ta kisha përsëritur 1 mijë herë të njëjtin itinerar. Pale po ta dija se do takoja dhe Xhojsin 12-vjeçar, dobësia ime qentë. Qe pjesë e shfaqjes.

Foto shkrepur nga Saimir Ahmeti
Në javën e Europës kjo shfaqje teatrore, e frymëzuar nga përrallat popullore shqiptare, përdor rrëfimin për të folur mbi frikën, vetminë, imagjinatën dhe mënyrën si lidhemi me njëri-tjetrin në kohën e komunikimit virtual.
Sa kot ia fusin mendova, që thonë se në Shqipëri prodhohet vetëm “Big Brother” a “Ferma VIP”. Ja tek e kanë, të vijë publiku po të dojë. Falas madje. Në Patos e kishin bërë na sa na tregoi Elsa pas shfaqjes, ishin pritur mirë. Tek-tuk ndonjë zhurmë, po mirë.
Shëtitja e artit që depërton edhe mund të financohet më tej nëse ne duam të ushqejmë ndjesitë e botën shpirtërore të kësaj shoqërie. Jo me komunikim virtual po me prezencë fizike, me duartrokitje, me biseda në një hapësirë që e paskemi kaq të domosdoshme. Shpirtin. Komunitetin.
Shfaqja u vu në skenë me asistencën regjisoriale të Blerina Kanxhës, muzikën dhe ndriçimin e Llazar Dhimitrit, kostumet e Jeta Menit dhe Dea Zejnos, si dhe rekuizitën e Artur Susajt.
Nga pena e Elsës
E frymëzuar nga disa prej “Prrallave Kombëtare” të At Donat Kurtit dhe autorëve të tjerë shqiptarë, performanca “Njeriu që ndjente gjithçka” është konceptuar për dy zëra, dy subjekte që kërkojnë motivet e frikërave të fshehura në rrjedhën e kohës sonë dhe rrugën për t’u çliruar prej tyre. Si një nga format më të lashta të të treguarit, përralla ashtu si dhe ëndrra, e ka burimin tek dëshira, që e mban gjallë qenien të mos humbasë sensin për të jetuar dhe për të ndjerë plotësinë e jetës.
Liria e imagjinatës, pavarësia e mendimit, frika nga izolimi dhe vetmia, janë disa nga temat që përpunon performanca jonë përmes thjeshtësisë dhe inteligjencës së prrallës dhe formave bashkëkohore që po mendojmë të zgjedhim për t’i përcjellë me gjuhën e teatrit dhe të burimeve etnokulturore.
Ofertat dhe shijet e shumëfishuara për konsum të përditshëm e kanë bërë bollëkun prezent mes nesh si mall i këmbyeshëm me hapësirat që dikur i takonin një njeriu më autentik dhe më krijues. Duke përtërirë gjuhën e sinqertë të prrallës, zgjedhja jonë është tek e fundit edhe një lloj reagimi ndaj homogjenitetit në ligjërimin e shoqërisë në epokën e komunikimit virtual.
Dy subjekte, autorja dhe aktorja, “unë” dhe “ajo” janë në kërkim të një prralle, të një gjuhe të sinqertë dhe me imagjinatë që mund t’i ngrejë në këmbë nga kjo periudhë rrëzimi dhe boshllëku që provon secila. Ato zgjedhin të tregojnë prrallën e “Njeriut që ndjente gjithçka”, një nga më vjetrat mbledhur në Malësitë e Shkodrës dhe prrallën “Shkolla e djallit”, e cila ka një simotër midis prrallave të vëllezërve Grim (do të ketë një ndërthurje mes tyre). Pikërisht këto të dyja sepse japin mundësi për të treguar mundimet e njeriut të sotëm, e atij individi që bën përpjekje përtej së zakonshmes për t’i rezistuar njësimit me turmën. E njëjta sfidë vlen për grupe shoqërore apo popuj të vegjël përballë fuqisë rrëmbyese të globalizmit dixhital.

Hyrja në botën e prrallës ndodh duke eksploruar fëmininë, frikërat e akumuluara, raportet prindër-fëmijë, ëndrrat e parealizuara dhe duke gjallëruar kujtime të varrosura, përtërirë emocione të ngrira, e pak nga pak, duke e mbushur me frymë atë stacion jete të zbrazur ku nisi rrëfimi. Dy subjektet bëhen krijesa të lira, të hapura, me mundësi për të përdorur magjitë e prrallës dhe për t’i kthyer në çaste liminale edhe për publikun.
“Njeriu që ndjente gjithçka” vë në diskutim stadin e komunikimit pa kufij që na përfshin sot në nivel publik-shoqëror, po edhe privat-personal. Kjo arrihet duke e vënë theksin tek “të ndjerët” dhe “dëgjimi”, që mund të funksionojë si një shqisë e vetme me kapacitet të plotë kur nuk ndotet dhe konsumohet. Ato aktivizohen përmes tekstit, heshtjes, lojërave dhe këngëve të fëminisë, për të cilat kemi filluar të punojmë dhe t’i gjurmojmë.
Duam të realizojmë një performancë teatrale tërësisht me tharm vendës, që burimin e ka tek vlerat e kulturës gojore shqiptare të trashëguara në shekuj, të mbledhura dhe të botuara në mesin e shek.XX. Por, në drejtim të formës, synojmë të eksplorojmë atë që thotë At Donat Kurti, mbledhësi i këtyre prrallave: bukuria e prrallës varet prej atij që e kallëzon.
Performanca inskenohet për një audiencë fizikisht afër performuesve për të krijuar një lidhje të menjëhershme të publikut me veprimin e shfaqjes, për t’i bërë të ndihen pjesë e saj. Gjithashtu kemi zgjedhur vende me audienca të reja nga adoleshentët tek të rinjtë, publik që nuk ndjek teatër, jo se nuk do, por sepse e drejta qytetare për të konsumuar kulturë i mohohet nga fëmijëria në moshë madhore e deri në fund të jetës. Në vendet ku jetojnë e kanë të pamundur.


