
Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) kanë ushtruar kontrolle në banesën e biznesmenit Ron Yeffet. Banesa e binzesmenit amerikano-izraelit ndodhet në fshatin Pëllumbas, në periferi të Tiranës, ndërsa mësohet se hetimet ndaj Yeffet nisën pas publikimit të përgjimeve të publikuara nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj, ku Yeffet dilte garant për të kryer trafik armësh, ku përdorte qeverinë shqiptare si mekanizëm. Yeffet është i përfshirë në disa kompani që operojnë në sektorin e mbrojtjes, si “Timak Defence” dhe “Advanced Arms Technology”, kompani të krijuara në vitin 2025, me aktivitet në prodhimin dhe furnizimin e mjeteve ushtarake, armëve dhe dronëve.
Në përgjimet e Ahmetajt, ngrihen pretendime për një skemë të mundshme të trafikimit të armëve dhe municioneve, ku përmendet Shqipëria dhe kompania shtetërore KAYO që operon në sektorin e mbrojtjes.
Për këtë aksion nga agjentët e BKH-së, ende nuk ka detaje të hollësishme, nëse kontrollet me udhër të SPAK-ut lidhen me çështjet që dyshohet se është i implikuar në Shqipëri.


