
Megjithëse Shqipëria ka përfituar shumë fonde nga ndërkombëtarët për të luftuar korrupsionin dhe për të forcuar demokracinë, ajo që ka arritur duket të jenë vetëm kullat shumëkatëshe dhe eksodi i të rinjve shqiptarë.
Kështu shkruan Fron Nahzi në një shkrim publikuar nga BIRN, përkthyer nga Reporter.al. Nahzi është aktualisht Drejtor i Lartë i Zhvillimit Global në Institutin McCain për Lidership Ndërkombëtar në Universitetin Shtetëror të Arizonës, ndërsa vlen të përmendet që ka qenë drejtor i Fondacionit Soros në Tiranë.
Në këtë artikull, ai thotë se pavarësisht padive dhe arrestimeve të profilit të lartë që prej vitit 2019, se deri ku do të shkojë SPAK, mbetet shumë në dyshim, duke përmendur se ende nuk ka dalë asnjë provë që mund ta inkriminojë kryeministrin Edi Rama për ryshfet ose ta lidhë atë me llogaritë offshore aq shpesh të përfshira në koncesione dhe projekte ndërtimi. Pavarësisht se kryeministri është përballur me akuza për përdorimin e tenderëve publikë për të shpërblyer miqtë dhe ndëshkuar armiqtë.
“SPAK është kritikuar për përqendrimin e tij në korrupsion pas përfundimit të një transaksioni, duke lënë pas dore faktin se procesi që çon në këto transaksione është shpesh po aq, nëse jo më shumë, korruptiv. Kjo qasje selektive minon efektivitetin e përpjekjeve kundër korrupsionit, pasi nuk arrin të adresojë shkaqet rrënjësore dhe mekanizmat e korrupsionit brenda sistemit.”-thuhet në artikull.
Nahzi thekson se për të luftuar me të vërtetë korrupsionin është thelbësore të sigurohet transparencë dhe llogaridhënie gjatë gjithë procesit, nga dhënia e kontratave deri në ekzekutimin përfundimtar të tyre. Një qasje e tillë ndihmon në parandalimin e manipulimit të burimeve shtetërore për përfitime personale ose politike, duke promovuar kështu një sistem qeverisjeje më të drejtë. Por sipas tij, deri më sot, Shqipëria ka dështuar. Nahzi shton se duke pasur parasysh fluksin e konsiderueshëm të fondeve nga këto investime, SHBA-ja mund të konsiderojë promovimin e një ekuivalenti të SPAK-ut për të mbikëqyrur kërkimin dhe dhënien e kontratave dhe koncesioneve qeveritare. Pasi kjo do të ndihmonte që pasuria të shpërndahet në mënyrë më të drejtë sesa të përqendrohet mes një rrethi të zgjedhur bashkëpunëtorësh të Ramës.
Për më shumë lexo artikullin origjinal te BIRN, ose përkthimin në shqip te Reporter.al


