
Nga Anila Hoxha
Disa gra lindin të shënjuara. Shpesh për t’i thënë universit (mbase): “Boll më duke sjellë në jetë vajza në këtë vend!” Lindën pra me emrin Mbarime, Fundime, Mbaresa, Mjaftime si çdonjëra që vjen në jetë si vajzë, e gjithsesi dëshirohej që të ishte e fundit si e tillë. Kërkohej kështu një djalë mbas tyre, një djalë që vonohej e vonohej e Mbarimet shtohen. Ato nuk kanë nevojë të ta tregojnë jetën e tyre, emri flet, tregon një fëmijë që aq shumë dëshirohej ose të mos qe vajzë, ose mos të kishte me shtatzëni mbas saj. Kështu lindi edhe ajo. E quajtën Sose. E quajtën Sose, se ishin shumë vajza në shtëpi. Nuk e di nëse duke i vënë këtë emër, pa dashje ata e vranë për herë të parë.
E qara e saj e parë në Dukat Fshat nuk qe ndryshe foshnjave që lajmërojnë mbërritjen në këtë botë. Do ta priste një jetë ku në vendlindje, fare pranë shtëpisë së fëmijërisë, do njihte dashurinë e jetës, por që kur të mbushte 40 vjeç , do ishte po ai që do ta vriste. Do ta vriste ai me të cilin u trashëgua me dy djem, e sfiduan veten duke jetuar në Itali e duke u rikthyer në trojet e soseve, aty ku divorci i kërkuar nga gruaja është i papranueshëm. Ku “Mjaft!” duhet thënë vetëm nga një burrë. Gjithsesi e deshën të gjithë, me siguri të penduar për emrin që i patën shqipëruar në fillim, me përkëdheli e thirrën për 40 vjet Cole dhe Bozhe. Por Sose i mbeti në dokumente. Sose.. si një dëshmi rreth një realiteti, që me këtë emër do të quajnë edhe në vendin ku do prehesh.

Një ngjarje e rëndë është shënuar në Orikum të Vlorës më datë 2 janar. Nga hetimet e para dyshohet se shtetasi Llogora Xhebroj, 52 vjeç, ka vrarë bashkëshorten e tij dhe më pas i ka dhënë fund jetës në garazhin e shtëpisë. Dyshohet se 52-vjeçari fillimisht e ka dhunuar fizikisht bashkëshorten e tij, Sose Xhebroj 40 vjeç dhe më pas e ka mbytur. Fëmijët kanë kërkuar ndihmë pranë Qendrës Shëndetësore të Orikumit. Sipas familjarëve, ata kishin pasur konflikte të vazhdueshme dhe ishin ndarë rreth dy vite më parë, për t’u ribashkuar më pas, por duket se konfliktet nuk ishin sheshuar.


