

Nga Sonila Meço
Të gjitha dritat e skenës sot “i meriton” më shumë se kurrë mbi vete për të dëshmuar çfarë diti e deshi të lerë trashëgimi politike, intelektuale e artistike.
Drejtoi qeveritë më të korruptuara në histori, me numrin më të madh të aleatëve të ngushtë pas hekurave, nën hetim, ose të arratisur.
S’la këmbë investitori të huaj serioz të “mëkëmbë” ekonominë e varur tek centrifugat e këllirta të çdo aktiviteti kriminal.
Përcolli në emigracion rreth 1 milionë shqiptarë të çdo shtrese për 10 vjet, i renditi shqiptarët të parët për azil politik mbi të ikurit nga vendet në luftë e genocide.
Pagoi rëndshëm, pa transparencë, lobistë, agjentë, politikanë e influencera ndërkombëtarë e sërish e renditi Shqipërinë të fundit në rajon e Europë për varfëri, të ardhura për frymë, konkurueshmëri, inovacion, kërkim e zhvillim, lirinë e shtypit, arsim, pensione, indeksin e lumturisë, privimin social e material, ndotjen…
Fluturoi me avion privat, me pagesa të çmendura nga burime të mosgjetshme si kryeministri i vendit më të varfër në Europë.
Prodhoi shëndetësinë më të kushtueshme “falas” të të gjitha kohërave, duke i renditur shqiptarët të parët në Europë për shpenzimet në 60% të buxhetit të tyre familjar për mjekim.
E çoi Shqipërinë në krye të listave si vend prodhues e tranziti drogërash të lehta e të forta, në çdo raport të çertifikuar ndërkombëtar.
E “spiunoi”, e “përgjoi” popullin e vet me patronazhistë e aktivistë, çimka e pajisje, me një kontroll të pakonkurueshëm as nga sistemi komunist diktatorial. Në kohën e tij u dhunua privatësia e u ekspozuan të dhënat personale të çdo shqiptari në mënyrën më brutale në rajon e Europë.
Realizoi reformën e vetme në drejtësi si eksperiment pa precedent, duke shkatërruar shtetin e së drejtës në formë “sui generis” në Europë e duke çuar dëm taksat e shumë kombeve njëherësh.
E “sajdisi” krimin e organizuar me pushtet derisa punuan “gratis” për ne agjensitë ligjzbatuese ndërkombëtare t’u shërbenin tonave me dosje të gatshme mos nginjej aq shumë mafia në Shqipëri për të shkarkuar “energjitë” në Europë.
Në qeverisjet e tij u shpërdoruan fondet e BE-së më shumë se në çdo kohë të rivendosjes së raporteve me Europën e lirë. U hetuan më shumë se kurdo nga agjensi ndërkombëtare vjedhjet e taksapaguesve të tyre nga zyrtarët e pushtetit të tij.
E shteroi prodhimin “Made in Albania” me favorizimet e grosistëve të importit, shkatërrimin e fermerëve, zhvlerësimin e çmendur të euros.
S’la territor pa ia vënë në dispozicion çdo offshore-je, apo “mbiemri” që i zgjaste “njëçikë” pushtet dhe i siguronte vendin në sallonet e elitës ndërkombëtare si barcoletier e shakaxhi me atlete adidas.
Ishte bashkautor i “Ballkanit të Hapur” dhe mbështetës i planit për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë. Kritikuesi më i paepur i Kosovës në forumet ndërkombëtare. Përçarësi më efektiv i elitave në Kosovë e Shqipëri.
Hapi televizion personal, podcast personal, mori pjesë në çdo emision të mundshëm, u shfaq në celularët e njerëzve, i zuri vendin çdo moderatori, bëri drejtorin ekzekutiv, administrativ e artistik të shumë mediave, aktorin në filma, autorin e reality-show-ve, kuratorin e ekspozitave të veta, arkitektin, ideatorin e eventeve (përfshi dasma), dizenjatorin e bluzave të kombëtares, one man show në konferencat për shtyp, intervistoi çdo personazh show bizi, mbylli media, programe televizive, “syrgjynosi” e çoi për riedukim gazetarë, publicistë, moderatorë, shkarkoi profesionistë arti, emëroi “fiksimet” e momentit, bëri skenografin, regjisorin e jurinë për shumicën e ngjarjeve kulturore të dekadës.
Shkroi e lexoi eulogjitë e përshëndetjet më të lodhshme, të bajatshme, egoiste, pa mjeshtëri fjale, me referenca krejt të gabuara në citime autorësh në kulmin e pushtetit të vet, ku çelësat e gjithë teatrove, kinemave, bibliotekave, muzeve, galerive, atelieve, skenave, instituteve, akademive, agjensive kulturore, dekoratave, shtëpive funerale dhe mediave kryesore i pati të varura në qafë të vet.
Ndaj sot më shumë se kurrë ka nevojë t’i thuhet: “Të gjitha dritat e skenës tek ty, për ty. Ishe show i kësaj dekade”.


