
Kanë kaluar njëzet vjet që kur Sneha Anne Philip u pa për herë të fundit në qytetin e Nju Jorkut.
Gjatë dy dekadave, ajo është përfshirë, hequr dhe më pas rivendosur në listën zyrtare të viktimave të 11 Shtatorit; janë dhënë dhe më pas janë tërhequr versione të ndryshme për tëj, madje edhe data zyrtare e vdekjes së saj është ndryshuar.
Edhe pas dy dekadash, fati i Sneha Philip mbetet i mbuluar nga hije të forta misteri.
Mjekja 31-vjeçare kaloi një pasdite që dukej krejtësisht e qetë, e vetme në apartamentin e saj në Manhatanin e poshtëm, më 10 shtator 2001. Ajo ndërroi vazot e disa orkideve dhe kaloi dy orë duke biseduar me të ëmën përmes një programi komunikimi online, duke i treguar për një mbrëmje argëtuese që kishte kaluar jashtë dhe duke ndarë me të planet për javën që do të pasonte.
Në orët e vona të mbrëmjes, ajo doli për të bërë disa blerje në një qendër tregtare pranë apartamentit. Aty bleu një fustan, çarçafë dhe disa palë këpucë. Kamerat e sigurisë e filmuan teksa shihte artikujt në qendrën tregtare.
Dhe kjo, sipas të gjitha të dhënave zyrtare, ishte hera e fundit që u pa diku.
Për pjesën tjetër të historisë së saj janë treguar shumë versione. Një prej tyre thotë se ajo shfrytëzoi kaosin e 11 Shtatorit për t’u zhdukur dhe për t’i shpëtuar një jete që po bëhej gjithnjë e më e vështirë; një version tjetër thotë se ajo u vra në Qendrën Botërore të Tregtisë, ndërsa heroikisht po ndihmonte njerëzit e plagosur nga sulmet terroriste; ndërsa versioni i fundit thotë se ajo mund të jetë vrarë nga dikush natën kur doli.
Sneha po përballej me probleme ligjore – ajo ishte arrestuar dhe kishte kaluar një natë në burg pasi kishte bërë një kallëzim të rremë kundër një kolegu, të cilin e kishte akuzuar se e kishte ngacmuar në mënyrë të pahijshme.
Ditën kur u zhduk, ajo u paraqit në gjykatë për t’u deklaruar e pafajshme. Sipas të dhënave të policisë, ajo dhe Roni patën një “zënkë të madhe”, ndërsa Sneha që u largua me zemërim.
A mund të ketë vazhduar debati i tyre edhe më vonë dhe të ketë dalë jashtë kontrollit? A mund të ketë vendosur Sneha t’i linte pas problemet e saj dhe të zhdukej me dëshirën e saj? A mund të ketë qenë një takim i vonë në ndonjë bar me dikë që më pas i ka bërë keq?
Pa asnjë provë që e vendoste Snehën në Qendrën Botërore të Tregtisë më 11 shtator, të gjitha këto pyetje mbeteshin krejtësisht të hapura.
Pothuajse çdo detaj i portretit që policia kishte paraqitur për një grua me probleme u kundërshtua ashpër nga familja e Snehës.
Roni thotë se zënka në gjykatë nuk ka ndodhur kurrë. “Fakti që nuk bëjmë një jetë konservatore nuk do të thotë se po ndodh diçka jonormale”, i tha ai New York Magazine në vitin 2006.
John këmbëngul se pretendimi që ai kishte bërë, se bashkëshortja e tij e atëhershme kishte kryer marrëdhënie seksuale me Snehën, ishte sajuar nga policia. Ndërsa familja është e bindur se Sneha nuk kishte probleme serioze me alkoolin dhe se një periudhë e shkurtër depresioni që kishte kaluar tashmë kishte përfunduar.
Megjithatë, si rezultat i gjetjeve të raportit të policisë, një gjyqtar i Gjykatës së Surrogate në vitin 2004 e hoqi Sneha Philip nga lista e viktimave të 11 Shtatorit, duke përmendur “problemet e saj personale dhe profesionale” dhe mungesën e provave që vërtetonin se ku ndodhej ajo mëngjesin e 11 shtatorit.
“Kjo grua në veçanti dihej se ishte zhdukur një ditë më parë”, thuhej në vendim. “Ata nuk kishin asnjë provë që të tregonte se ajo ishte gjallë më 11 shtator.”
Një vit më pas, një gjyqtar i Manhatanit vendosi se Sneha zyrtarisht kishte vdekur më 10 shtator 2004 – ashtu siç përcakton ligji i shtetit, saktësisht tre vjet pas ditës kur “filloi mungesa e saj e pashpjeguar”.
Familja e saj ishte e shkatërruar. Për ta, i vetmi version që kishte kuptim ishte ai në të cilin Sneha, të cilën nëna e saj, Ansu Philip, e përshkruante si “të sjellshme, të dhembshur, të bukur nga brenda dhe të bukur nga jashtë”, kishte vënë veten në rrezik për të ndihmuar njerëzit në nevojë.
Ajo i tha New York Magazine: “Për mua është më e qetë të mendoj se ajo vdiq në Qendrën Botërore të Tregtisë sesa… Nuk mund ta duroj mendimin se dikush e ka vrarë.”
Mungesa e mundësisë për të gjetur një përfundim të dhimbshëm dhe ngushëllimin që sillte përfshirja e emrit të saj në listën e viktimave të 11 Shtatorit vetëm sa ia shtoi familjes vuajtjen e humbjes. Gjatë viteve në vijim, familja luftoi fort për ta rrëzuar vendimin dhe, në vitin 2008, një gjykatë apeli e anuloi vendimin e Gjykatës së Surrogate.
Gjyqtari David Saxe shkroi: “Edhe pa prova të drejtpërdrejta që vërtetojnë në mënyrë të pakundërshtueshme se rruga e saj atë mëngjes e çoi pranë Qendrës Botërore të Tregtisë në momentin e sulmit, provat tregojnë se ka shumë gjasa që ajo të ketë vdekur atë mëngjes dhe pikërisht në atë vend, ndërsa çdo përfundim tjetër mbështetet vetëm në hamendësime të skajshme.”
Si viktima e 2,751-të e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit në Nju Jork, emri i Snehës u përfshi në memorialin kushtuar njerëzve që humbën jetën atë ditë. Kjo padyshim i solli ngushëllim familjes së saj, si edhe një vend ku mund të vajtonin.
Për ata që vazhdojnë të mendojnë mbi pyetjet e pazgjidhura të kësaj çështjeje, mund të ketë ende pak prova që sugjerojnë se ajo ndodhej në afërsi të Qendrës Botërore të Tregtisë atë ditë, por provat për çdo version tjetër të ngjarjeve janë po aq të pakta.
Asnjë trup nuk është gjetur ndonjëherë që të sugjeronte një aksident ose vrasje, ndërsa pasaporta dhe kartat e saj të kreditit mbetën në apartament, duke treguar se ajo nuk kishte bërë plane për t’u zhdukur. Bashkëshorti i saj, i cili u përjashtua zyrtarisht nga hetimi nga policia, punoi pa pushim për ta gjetur atë dhe, në një moment, punësoi edhe një hetues privat.
Sa i përket problemeve në jetën e saj personale, siç thotë Roni: “Edhe nëse ajo i ka bërë të gjitha këto gjëra, kjo nuk shpjegon se çfarë ndodhi.”
Pas kaq shumë kohësh, deri vonë dukej sikur misteri nuk do të zgjidhej kurrë. Por vetëm disa javë para 20-vjetorit të zhdukjes së Snehës, u shfaq një fije shprese.
Zyra e Mjekut Ligjor të qytetit të Nju Jorkut u autorizua të përdorte teknologji të re dhe të avancuar të ADN-së për të analizuar pjesët e trupave të gjetura në Ground Zero, të cilat u përkisnin rreth 1,100 viktimave që ende nuk ishin identifikuar, raportoi New York Times.
Ky artikull është pronësi intelektuale e The Indipendent.


