
Prej më shumë se një muaji qytetarët po protestojnë kundër establishmentit të pushtetit të viteve me radhë Rama- Berisha, duke u qartësuar edhe me kërkesa konkrete të dorëheqjes së Ramës, krijimin e një qeverie kujdestare 12-mujore dhe krijimin e një kontrate të re sociale.
Presioni ndaj Ramës është i madh. Po po ashtu edhe ndaj Berishës që në fakt nuk është i mirëpritur në shesh. Çështja është se sallën e parlamentit e mbushin kryesisht me të zgjedhurit e tyre Rama dhe Berisha.
Ne folëm me konstitucionalistin Kristaq Kume, të cilit i drejtuam disa pyetje elementare të asaj që parashikon kushtetuta dhe se cilët do ishin skenarët me këtë bazë ligjore që kemi; nëse Rama do të dorëhiqej vetë, nëse opozita dhe deputetë të tij do çonin në kuvend mocion mosbesimi si dhe nëse Rama nuk do ta çonte fare nëpër mend dorëheqjen, ashtu siç theksoi sot për Deutche Wellen.

Çfarë parashikon Kushtetuta shqiptare për formimin e një qeverie të re si pasojë e plotësimit të kërkesave të protestuesve?
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë nuk parashikon që protestat popullore, sado të mëdha qofshin dhe cilatdo që të jenë problemet që artikulohen nëpërmjet tyre, të jenë rrugë dhe instrument që sjell automatikisht dhe detyrimisht krijimin e një qeverie të re. Protestat janë një mjet shumë i rëndësishëm dhe efikas demokratik për të ushtruar presion politik ndaj mazhorancës qeverisëse, por ndryshimi i qeverisë ndodh vetëm përmes procedurave kushtetuese, të cilat janë të shtjelluara në mënyrë të qartë, shterruese dhe nuk lënë asnjë hapësirë për interpretim ndryshe. Sipas Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, një qeveri e re që zëvendëson qeverinë aktuale, ndaj të cilës protestohet, mund të krijohet vetëm nëse:
-Kryeministri jep dorëheqjen ose largohet nga detyra si pasojë e mosmarrjes së mbështetjes nga jo më pak se 71 deputetë të mocionit të besimit, me të cilin ai mund t`i adresohet Kuvendit.
-Nëpërmjet një mocioni mosbesimi për Kryeministrin, i cili duhet të mbështetet nga jo më pak se 71 deputetë. Në rastin e një mocioni të tillë, kërkuesit e tij duhet të paraqesin bashkë me kërkesën për mosbesim dhe emrin e kryeministrit të ardhshëm.
Në rastin e dorëheqjes ose të mosdhënies së besimit për kryeministrin, me dekret të presidentit të Republikës, vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.
Nëse kryeministri largohet si pasojë e mocionit të mosbesimit, vendi do të qeveriset nga qeveria e re që formohet prej kryeministrit, emri i të cilit bashkëshoqëronte mocionin e mosbesimit.
Ky opsion mund të zhvillohet në dy rrugë të mundshme. Opsioni i pare: Mocioni i mosbesimit paraqitet nga deputetët e mazhorancës aktuale dhe për pasojë qeverisja e vendit do të bëhet nga po kjo mazhorancë, por me një kryeministër të ri. Opsioni i dytë: Mocioni i mosbesimit paraqitet nga deputetët e opozitës së bashku me deputetët e mazhorancës, numri i të cilëve duhet të jetë jo më i vogël se numri që duhet për të arritur shumicën e thjeshtë – 71 deputetë. Në këtë rast kryeministri dhe qeveria e re do të jenë produkt i një marrëveshje politike midis opozitës dhe një grupi deputetësh të mazhorancës. Për pasojë qeveria që do të formohet si rezultat i kësaj marrëveshje duhet të ketë si detyrë kryesore të saj përgatitjen dhe zhvillimin e zgjedhjeve parlamentare të parakohshme.

Cilët janë skenarët e mundshëm nëse nuk dorëhiqet kryeministri Rama?
Nëse kryeministri nuk jep dorëheqjen, ekzistojnë disa skenarë:
Skenari i parë: Qeveria duke qenë produkt i një shumice parlamentare që e tejkalon numrin 71 deputetë, numri minimal i nevojshëm për të zhvilluar jetën parlamentare dhe për të marrë vendime që nuk kërkojnë shumicë të cilësuar, vazhdon mandatin për qeverisjen e vendit.
Skenari i dytë: Brenda shumicës krijohen përçarje dhe një numër deputetësh nuk e mbështesin më kryeministrin dhe së bashku me deputetët e opozitës, mbi bazën e një marrëveshjeje politike e largojnë kryeministrin nga detyra dhe formojnë një qeveri të re, si rregull, të përkohshme.
Skenari i tretë: Presioni politik dhe protestat vazhdojnë, por pa pasoja juridike të drejtpërdrejta.
Skenari i katërt: Kryeministri vendos vetë të kërkojë zgjedhje të parakohshme, nëse krijohet një krizë politike që e bën të pamundur qeverisjen.
Në praktikë, pa humbur shumicën në Kuvend ose pa dorëheqje, qeveria nuk bie.
Nëse Rama nuk dorëhiqet, a ka mundësi reale që opozita ta rrëzojë me numrat që ka?
Duke qenë se opozita aktuale nuk ka shumicën e votave në Kuvend dhe nëse ajo nuk arrin të bëjë aleancë politike me disa deputetë të mazhorancës, për të bërë të mundur paraqitjen dhe miratimin e një mocioni mosbesimi për kryeministrin, është e pamundur që e vetme të rrëzojë qeverinë.
Në sistemin parlamentar shqiptar, vendimtare është shumica parlamentare, jo madhësia e protestave, qëndrueshmëria dhe shpeshtësia e tyre. Kushtetuta e Shqipërisë nuk i jep asnjë mundësi opozitës që vetëm me votat e saj të rrëzojë qeverinë. Vetëm në rast se një numër deputetësh të Partisë Socialiste vendosin të mos mbështesin më kryeministrin dhe për pasojë kryeministri humbet shumicën e nevojshme, 71 deputetë në Kuvend, atëherë qeveria mund të bjerë sepse në kuvend paraqitet një mocion mosbesimi për kryeministrin ose nuk arrihet të votohet pro akteve, ligjeve vendimtare për qeverisjen e vendit, siç është Ligji për Buxhetin.

Nëse Rama dorëhiqet, çfarë rruge duhet ndjekur për të shkuar në zgjedhje të reja?
Dorëheqja e kryeministrit nuk sjell menjëherë zhvillim të zgjedhjeve të parakohëshme. Procedura që ndiqet në një rast të tillë është: Dorëheqja e kryeministrit si akt vetiak ose si pasojë mos votimit të Mocionit të Besimit i njoftohet presidentit te vendit. Ndërkohe qeveria nuk shpërndahet, ajo vazhdon të qëndrojë në detyrë. Presidenti i Republikës së Shqipërisë zhvillon konsultime si rezultat i të cilave propozohet një kryeministër i ri. Nëse Kuvendi i jep besimin këtij propozimi krijohet qeveri e re, e cila qeveris vendin dhe vendi nuk shkon në zgjedhje të parakohshme. Në rastin kur propozimi për kryeministrin e ri nuk merr mbështetjen e 71 deputeteve, kuvendi shpërndahet dhe vendi kalon në zgjedhje të parakohshme.
Si mund të ndryshohet sistemi zgjedhor në Shqipëri dhe çfarë duhet bërë?
Sistemi zgjedhor aktual Propocional Rajonal mund të ndryshojë duke kaluar në një sistem tjetër zgjedhor si p.sh: Sistem Proporcional Kombëtar, Sistem mazhoritar ose Sistem i përzier, mazhoritar dhe me një listë korrektuese kombëtare propocionale. Ndryshohet vetëm nëpëmjet ndryshimit që duhet të bëhet në kushtetutën e vendit. Pra për të ndryshuar sistemin e zgjedhjeve parlamentare duhet që në kuvend të votojnë pro ndryshimit jo më pak se 93 deputete.
Çfarë do të thotë qeveri teknike, qeveri tranzitore dhe si e parashikon legjislacioni shqiptar?
Qeveri teknike është një qeveri e përbërë kryesisht nga persona joaktivë politikisht, të zgjedhur për kompetencën e tyre profesionale.
Qeveri tranzitore është një qeveri e përkohshme që administron vendin deri në zgjedhje ose deri në krijimin e qeverisë së re.
Në Shqipëri Kushtetuta nuk përdor termat “qeveri teknike” ose “qeveri tranzitore”. Ajo njeh vetëm Këshillin e Ministrave të emëruar sipas procedurave kushtetuese. Një qeveri teknike mund të krijohet vetëm nëse shumica parlamentare bie dakord ta mbështesë dhe ndiqen procedurat kushtetuese të emërimit të Kryeministrit dhe ministrave.
Pra, nje qeveri teknike, tranzitore, kujdestare ose e emëruar në një formë tjetër është pasojë vetëm e një zgjidhje dhe marrëveshje politike dhe nuk është një detyrim kushtetues.
Si mund t’i realizojnë kërkesat e tyre protestuesit, me apo pa opozitën, duke qenë se ata shprehen “Berisha në burg”?
Në një demokraci parlamentare, protestuesit kanë të drejtë të organizohen dhe të ushtrojnë presion publik, por ata nuk kanë kompetencë dhe fuqi vendimarrëse për të ndryshuar drejtpërdrejt qeverinë.
Nëse protestuesit nuk duan bashkëpunim me partitë e opozitën dhe deputetët e saj, ata mund të organizojnë protesta të vazhdueshme dhe paqësore; të krijojnë një lëvizje të re politike ose qytetare; të paraqesin peticione dhe nisma qytetare; të monitorojnë dhe denoncojnë çështje me interes publik si dhe të garojnë në zgjedhjet e ardhshme ose të mbështesin kandidatë që përfaqësojnë kërkesat e tyre.
Megjithatë, për të ndryshuar qeverinë përpara zgjedhjeve, kërkohet që një shumicë parlamentare të mos e mbështesë më atë. Kjo do të thotë se, në aspektin kushtetues, protestat mund të ndikojnë politikisht, por ndryshimi i qeverisë realizohet vetëm përmes institucioneve të parashikuara nga Kushtetuta.
Nëse protestuesit refuzojnë bashkëpunimin me opozitën aktuale, ata mund të ushtrojnë presion publik në mënyrë të pavarur, por suksesi i kërkesave të tyre për ndryshim qeverie do të varet nga fakti nëse ky presion sjell ndryshime në qëndrimin e shumicës parlamentare ose përkthehet në mbështetje elektorale në zgjedhjet e ardhshme.


