Nga Dorina Musai

Në vitin 2018 na thanë se duhej të humbnim Teatrin Kombëtar për të fituar zhvillimin. Sot po na thonë se duhet të humbasim Nartë–Zvërnecin për të fituar zhvillimin.

Në pamje të parë dy historitë nuk kanë asgjë të përbashkët. Njëra ndodhi në qendër të Tiranës, tjetra po ndodh mes lagunës, pyllit dhe detit. Njëra kishte në qendër një godinë, tjetra ka në qendër një peizazh. Njëra prekte kujtesën kolektive të qytetit dhe shtetit, tjetra prek një nga sistemet natyrore më të rëndësishme të bregdetit shqiptar. Por sa më shumë i afrohesh të dyja rasteve, aq më e qartë bëhet se mekanizmi politik dhe urbanistik që i prodhon është pothuajse identik.

Në rastin e Teatrit Kombëtar, publikut iu tha se qyteti kishte nevojë për zhvillim dhe se një arkitekt i famshëm botëror do t’i jepte Tiranës një projekt që do ta vendoste në hartën ndërkombëtare. Emri i Bjarke Ingels nuk u soll vetëm si autor projekti, por u përdor si garanci morale për projektin. Kush e kundërshtonte ishte kundër zhvillimit. Në Nartë–Zvërnec, emrat kanë ndryshuar, por formula mbetet e njëjtë. Edhe këtu kemi premtime për zhvillim dhe transformim ekonomik, të mbështetura nga prestigji ndërkombëtar. Vetëm se këtë herë rolin e figurës legjitimuese nuk e luan një arkitekt, por një mbiemër presidencial amerikan, i vendosur në qendër të narrativës publike për të mbështetur projektin dhe intimiduar kritikën.

Por ngjashmëria më e madhe nuk qëndron tek emrat. Ajo që i lidh këto dy raste është mënyra se si u krijua mundësia për zhvillim. Në rastin e Teatrit Kombëtar, rruga u hap përmes ndryshimit të kufirit të Qendrës Historike të Tiranës. Në rastin e Nartë–Zvërnecit, rruga u hap përmes ndryshimeve të vitit 2024 në ligjin për zonat e mbrojtura. Në të dy rastet nuk ishte territori ai që ndryshoi. Nuk ndryshoi as historia e tij, as vlerat që justifikonin mbrojtjen. Ndryshoi vetëm vendimi politik mbi atë territor. Në rastin e Teatrit u ndryshua kufiri i mbrojtjes. Në rastin e Nartë–Zvërnecit u ndryshua ligji. Në të dy rastet shteti nuk veproi si garant i mbrojtjes. Veproi si arkitekt i përjashtimit, duke ndryshuar rregullat që deri atëherë e kishin bërë të pamundur zhvillimin.

Ndryshimi i kufirit të Qendrës Historike të Tiranës nuk solli vetëm shembjen e Teatrit Kombëtar. Ai hapi rrugën për një valë transformimesh që ndryshuan përgjithmonë jo vetëm strukturën dhe siluetën e qendrës së qytetit, por gjithë mënyrën se si funksionon qyteti. Kufiri që deri atëherë shërbente si pengesë ndaj zhvillimit u rivizatua për t’i hapur vendin ndërtimit. Ansambli historik humbi një pjesë të konsiderueshme të sipërfaqes së tij dhe bashkë me të u humbën edhe objekte që deri dje konsideroheshin pjesë e pandashme e kujtesës urbane.

Në rastin e Nartë–Zvërnecit askush nuk pati nevojë të zhvendoste kufirin. Mjaftoi të ndryshonte ligji. Dhe kështu, pa lëvizur asnjë metër në hartë, ndryshoi gjithçka. Deri dje zona e mbrojtur ishte argumenti pse këtu nuk mund të ndërtohej, ndërsa sot e njëjta zonë e mbrojtur përdoret si argument pse ndërtimi mund të bashkëjetojë me mbrojtjen. Kjo është arsyeja pse debati nuk ka të bëjë vetëm me një resort. Ka të bëjë me pyetjen se: Çfarë mbetet nga mbrojtja kur ajo pushon së qeni pengesë për zhvillimin?

Në rastin e Teatrit, toka ishte publike dhe publikut iu kërkua të pranonte humbjen e saj në emër të një përfitimi të ardhshëm. Por gjatë debatit publik u zbulua gjithashtu se copa të truallit të Teatrit, të konsideruara prej dekadash si pjesë e pronës publike, ishin transferuar ndër vite në duar private. Në rastin e Nartë–Zvërnecit, paradoksi është edhe më i madh. Na thuhet se investimi është krejtësisht privat, dhe pas vendosjes së gardhit, publiku zbulon se territore që për dekada janë perceptuar si pasuri e përbashkët, të mbrojtura nga regjime të veçanta dhe të administruara si rezerva natyrore, rezultojnë të jenë bërë pronë private.

Në të dy rastet, pyetja nuk fillon me zhvillimin. Ajo fillon me pronësinë. Sepse përpara se publiku të pyeste çfarë do të ndërtohej, u gjend përballë një pyetjeje tjetër: si përfundoi në duar private ajo që deri dje konsiderohej pasuri publike ose e përbashkët? Dhe pikërisht këtu qëndron pyetja më e rëndësishme: si u krijua mundësia që këto territore të bëheshin objekt zhvillimi? Sepse as Teatri Kombëtar dhe as Nartë–Zvërneci nuk u bënë të zhvillueshme rastësisht.

Në të dy rastet publikut i kërkohet të heqë dorë nga një vlerë konkrete sot, në këmbim të një përfitimi të premtuar nesër. Në Tiranë ishte teatri. Në Nartë–Zvërnec është peizazhi, biodiversiteti dhe territori. Në të dy rastet argumentohet se zhvillimi do të sjellë vende pune, të ardhura, rritje ekonomike dhe rritje të vlerës së zonës. Por këto janë përfitime të ardhshme, hipotetike dhe të varura nga faktorë të paqëndrueshëm të tregut. Ndërsa ajo që humbet është reale, e prekshme dhe e menjëhershme.

Por ndoshta mësimi më i rëndësishëm që na la Teatri Kombëtar nuk lidhet me vetë ndërtesën. Ai lidhet me precedentin që krijoi. Teatri ishte dominoja e parë. Pas tij erdhën kullat, erdhën përjashtimet e tjera dhe erdhi transformimi i qendrës historike të Tiranës në një mënyrë që pak kush do ta kishte besuar kur nisi ai debat. Prandaj edhe debati për Nartë–Zvërnecin nuk lidhet vetëm me një resort, por me precedentin që po krijohet sot, pasi historia e zhvillimit në Shqipëri tregon se projekti i parë nuk është pothuajse kurrë projekti i fundit.

Megjithatë ekziston një dallim i rëndësishëm. Në rastin e Teatrit Kombëtar, zhvilluesi doli publikisht dhe e mbrojti projektin. Interesi ekonomik kishte emër dhe mbiemër. Në rastin e Nartë–Zvërnecit, përtej kompanive, konsulentëve dhe strukturave juridike, ende nuk kemi një figurë që të dalë hapur dhe të marrë përsipër publikisht autorësinë politike dhe ekonomike të projektit. Kjo e bën debatin edhe më të paqartë. Sepse sa më shumë flitet për madhështinë e investimit, aq më pak flitet për mënyrën se si u krijuan kushtet që ky investim të bëhej i mundur.

Në fund, ajo që mbetet e përbashkët mes dy rasteve nuk është as arkitekti, as investitori, as propaganda. Është mënyra se si prodhohet vendimmarrja. Të dy projektet u zhvilluan larg debatit publik real, u paraqitën si të pashmangshëm dhe iu servirën publikut si fakte të kryera. Në të dy rastet, zhvillimi u përdor jo si argument për të hapur debatin, por si arsye për ta mbyllur atë.

Shënim: Titulli redaksional. Titulli origjinal “Nga Teatri Kombëtar në Nartë–Zvërnec”

LËR NJË KOMENT

Avokate me profesion, 50-vjeçarja Fatima Zahra El Mansouri ka qenë për disa vite kryetare e bashkisë së Marrakeshit. Fatima Zahra El Mansouri është emëruar kryeministrja e parë grua e Marokut, pasi...
/ Sep 30
Nga Auron Tare Shiu i vjeshtës kishte filluar ndërsa unë isha në studiot e një televizioni që më kishte ftuar atë natë. Pas bisedës po prisja te kafja e televizionit...
/ Oct 3
Çfarë është Shqipëria e këtyre 35 viteve? Fatos Lubonja, një nga intelektualët e paktë që i ka mbetur Shqipërisë, për koherencën, qëndrueshmërinë e ideve të tij ndër vite dhe guximin...
/ Jul 29
Kuvendi i Kosovës miratoi me 91 vota pro projektligjin për Dhomat e Specializuara. Ndryshimet e propozuara lidhen edhe me Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë. Nisma e PDK-së kishte...
/ Oct 5