
Në disa shkrime publikuar së fundmi “Hashtag.al” ka hedhur dritë mbi mënyrën se si po zhvillohet vettingu i prokurorëve dhe gjyqtarëve në Shqipëri.
Në rastin e ankimimit të konfirmimit në detyrë të kreut të Prokurorisë së Tiranës Elisabeta Imeraj, u publikuan fakte se si vëzhguesit ndërkombëtarë kishin përdorur si dëshmitare kundër Imerajt një person me probleme mendore.
Po kështu, mes hulumtimit doli në dritë një rast i pastër i urrejtjes dhe diskriminimit krahinor, ku një komisionere kishte përdorur kundrejt Imerajt frazën “një maloke më pak”.
Kjo urrejtje e diskriminim krahinor doli sërish në pah në rastin e gjyqtarit Bledar Abdullai, i cili kishte deklaruar se ndaj bashkëshortes së tij, një këshilltar pranë OMN-së kishte përdorur frazën: “U bë kjo tropojania nga Viçidoli të ketë pasuri”.
Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi, Robert Gajda reagoi duke shprehur keqardhjen për paragjykimet që ushqejnë organet shtetërore shqiptare dhe udhëzoi shmangien e tyre, por nuk tha se çfarë masash do merrte.
“Institucioni i Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi udhëzon shmangien e paragjykimeve dhe përkatësive, në vlerësimin e personalitetit njerëzor dhe profesional.”, thuhej në reagimin për mediet.
Shoqatat e shoqërisë civile apo përfaqësues të grupeve parlamentare kanë heshtur ndaj këtyre situatave tronditëse që hedhin dyshime të forta mbi standardet se si po zhvillohet vettingu në Shqipëri ndërsa rrjetet sociale gëlonin nga postimet e qytetarëve që kundërshtonin përdorimin e diskriminimit.
Më pas një pjesë e shoqërisë lajmëroi ditën e premte më 8 prill në orën 12:00 një protestë kundër gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit krahinor. Protestën e ka mbështetur edhe ish-kryeministri Sali Berisha, origjina e të cilit është nga Tropoja.
Profesionistë si Dorian Matlija, Lutfi Dervishi apo Ylli Manjani kanë analizuar situatën, ndërsa vetëm sot një zyrë e BE-së reagoi duke i quajtur publikimet e fakteve nga mediet dhe reagimet e qytetarëve si dezinformim kundrejt organeve të vettingut dhe OMN-së. Reagimi u mbështet edhe nga Ambasada Amerikane në Tiranë.

Lexoni të plotë serinë e shkrimeve për vettingun në Shqipëri:
SKANDAL NË VETTING – Vëzhguesi Theo Jacobs përdori si provë denoncimet e një të sëmure mendore