
Pas skandaleve të njëpasnjëshme të qeverisë “Rama” dhe bashkëpunëtorëve të tij, duket sikur ëndrra e keqe do të zgjasë edhe më shumë, ku pas materialeve në “word docx” që u gjetën në makinën e Ergys Agasit, një dokumentar do të njohë dritën e publikimit. Jo nga shqiptarë, por këtë herë nga një regjisor dhe producent austriak Frederik Füssel, i cili po punon një dokumentar të ri investigativ, bazuar në rrëfimet e një dëshmitari nga Shqipëria, identiteti i të cilit përbën sekret.
Ndryshe nga publikimi i skandaleve të tjera të bazuara kryesisht në përgjime apo zbërthime aplikacionesh, dokumentari pritet të hedhë dritë jo vetëm mbi skemat korruptive, por edhe se ku kanë shkuar paratë e aferave apo edhe llogaritë bankare të politikanëve apo biznesmenëve të përfshirë.
Në një video të publikuar nga gazetarja Lindita Çela shfaqet gazetari austriak me një USB në dorë, ku dëshmitari sekret ka dokumentuar të gjitha pagesat që janë kryer nga personat për të cilët hedh akuza.
Paraprakisht thuhet se bëhet fjalë për projekte të njohura në Shqipëri që kanë prodhuar afera të mëdha korrupsioni, ndërsa të implikuar janë zyrtarë të lartë të shtetit., të cilët kanë zhvatur fondet publike përmes skemave të ndryshme.
Në videon e publikuar nga gazetarja Lindita Çela sqaron se: “Materiali që publikohet tani është vetëm një fragment i shkurtër i një investigimi më të gjerë, i cili do të sjellë në vijim detaje dhe prova që hedhin dritë mbi përfshirjen e gjithkujt, ndërsa hetimi dhe procesi i verifikimit vazhdon”.
Biseda:
Gazetari: Pra çfarë ka në këtë USB?
Dëshmitari: Të gjitha të dhënat, të gjitha pagesat…
Gazetari: Pra, nëpërmjet kësaj USB-je mund të shkosh te të gjitha…?
Dëshmitari: Të gjithë njerëzit që unë po akuzoj sot.
Gazetari: Pra këtu ke emrat?
Dëshmitari: Ke emra, shumën e parave, ke të dhëna, ke dhe arsyet se pse janë paguar këto para tek ata…
Kush është Frederik Fussel
Frederik Füssel është regjisor, producent dhe drejtor fotografie austriak, ndërsa karriera e tij nisi në vitin 1992 në ABC TV Austria. Ai ka punuar në produksione filmike dhe televizive në mbi 50 vende dhe në vitin 2001 themeloi kompaninë FMproductions. Aktualisht është CEO dhe producent i Seven Ocean Pictures.
Füssel realizoi disa dokumentarë ndërkombëtarë. “Singing for Life” fitoi Çmimin Special në Prix Italia në Torino në vitin 2011. Një nga punët e tij të fundit është “People of War” (2024), dokumentar i xhiruar përgjatë dy viteve në Ukrainë, ku ndoqi vullnetarë që evakuonin civilë dhe shpërndanin ndihma pranë zonave të luftës.
Füssel ka punuar gjithashtu si drejtor fotografie në produksione televizive dhe ka realizuar projekte në Europë, Afrikë, Azi dhe SHBA.


