Kjo e premte ka sjellë reshje shiu në të gjithë vendin, duke bërë që mbi 30 familje në zonën e Vlorës të evakuohen, disa shtëpi dhe biznese të përmbytura, e deri në probleme në qarkullim dhe vonesa në nisjen e trageteve e pezullim të lundrimeve të anijeve të peshkimit. Qarqet me rrezikshmërinë më të lartë, me reshjet më intensive janë Vlora, Fieri, Shkodra, Kukësi, Tirana dhe Dibra.

Situata kritike në Vlorë dhe në Fier

Banorë të evakuar, rrugë të mbushura me ujë , biznese dhe shtëpi të përmbytura kështu ka përfunduar qyteti Vlorës mbrëmjen e kësaj të premteje. Ka qenë vetë kryetari i bashkisë, Ermal Dredha, i cili në një dalje për mediat e quajti situatën e vështirë, teksa tregon se mbi 30 familje janë evakuar drejt konvikteve

“Situata vijon të mbetet jo ajo që duam. Kjo për shkak të prurjeve të reshjeve që ishin shumë të dendura. Zgjati për një kohë të gjatë, 2 orë e 30 minuta pa ndalim që shkakoi dhe një efekt negativ tek pjesa e kanalit të ujrave të larta që ka dalë jashtë shtratit dhe gjithë uji ka vërshuar në mes të qytetit.  Jemi munduar me të gjitha mjetet e njerëzit që kemi në dispozicion jemi në terren për të menaxhuar situatën por situata ka qenë realisht alarmante. Edhe këtu ku jemi kemi kanalin nga bishti i Kalldrëmit që është bllokuar në një nga nyjet e veta. Do të punojmë të hapet me skrep për të kaluar uji”-deklaroi Dredha. 

Shpërthimi i kanalit të ujrave të larta ka bërë që rruga që të çon në spitalin e Vlorës të përmbytet, si dhe zona historike, Manastirit i Zvërnecit. Gjithashtu shumë lagje të qytetit, si “Rilindja”, “Pavarsia, “Albano e Romina” etj, aksi pranë Kishës Ortodokse, pjesë të bulevardit “Ismail Qemali” si dhe biblioteka publike janë nën ujë.  Situata është gjithashtu kritike në zonën e Fierit dhe Pogradecit, ku si pasojë e motit të keq, disa fshatra janë përfshirë nga errësira totale këtë të premte.

Përmbytje në Lezhë e në Durrës

Reshjet e shiut kanë sjellë problematika në qytetin e Lezhës dhe të Durrësit, ku rrugët janë përmbytur. Situata më problematike duket të jetë në qytetin e Lezhës, ku sistemi i kanalizimeve nuk e përballoi nivelin e lartë të prurjeve. Deputetja e PD-së Lindita Metaliaj ka publikuar disa video në rrjetin social “Facebook”, ku shkruan se bashkia duhet të kishte marrë masat e duhura para nisjes së sezonit të reshjeve.

“Niveli i ujit ka arritur në disa cm, duke vështirësuar lëvizjen e qytetarëve, lëvizjen e nxënësve të shkollave, hyrjet e pallateve, hyrjet në bizneset e qytetit ku uji ka vërshuar në katet e para. Problematike paraqitet edhe lëvizja e automjeteve në rrugët e qytetit. Jemi në stinën e vjeshtës dhe bashkia Lezhë duhet të kishte marrë të gjitha masat e nevojshme që sot mos të kishim këtë situatë. Kanalizimet, pusetat duhet të ishin pastruar gjatë verës, sot jemi me 4 tetor dhe akoma nuk është vënë dorë. I bëj thirrje bashkisë Lezhë të lënë shown mediatik, propagandën dhe mbushjen e detyruar të sallave me administratë e mësues, por të dalin në terren dhe t’i japin zgjidhje urgjente situatës së krijuar.”– shkruan deputetja Metaliaj. Sipas saj, situata më problematike paraqitet në Bulevardin Gjergj Fishta, në lagjen Besëlidhja, në bllokun e banimit “11 Janari”.

Lezha sot

Posted by Gogo.al on E premte, 4 tetor 2024

Edhe nënkryetari i PD-së dhe njëherazi drejtuesi politik i Qarkut të Lezhës, Agron Gjekmarkaj ka reaguar pas përmbytjes së qytetit, duke thënë se atje mungon edhe energjia elektrike. “Pas zerimit të borxhit të Bashkisë Lezhë dhe propagandës me administratën shtetërore se gjithçka ‘shkëlqen’, del në pah realiteti me të cilin përballet çdo ditë qytetari lezhjanë. Shiu përmbytë rrugë dhe lagje si ‘bereqet’ fitore post daljes njehëherë e mirë nga borxhi. Asnjë të mirë reale dhe afatgjatë si ka sjellë Lezhës pushteti i majtë që e mbytë qytetin sa herë bie shi, dhe le në errësirë mijëra banorë si në kohë me shi ashtu dhe në kohë me diell!”- shkruan ai.

Vonesa në nisjen e trageteve në Durrës

Moti i keq ka shkaktuar vonesa në lundrimet e trageteve të mbrëmjes nga Durrësi drejt portit të Barit. Mbrëmjen e së enjtes, për shkak të erës së fortë u pezullua lundrimi i anijeve. “Referuar parashikimeve të Autoriteteve detare për përkeqësim të kushteve të motit, mbrëmjen e sotme (dt.03.10.2024) nuk do të ketë lundrime të trageteve nga Porti i Durrësit drejt Portit të Barit. Tragetet do të nisen drejt Barit (Itali) mëngjesin e ditës së nesërme(04.10.2024).”– njoftoi Autoriteti Portual i Durrësit.

Tragetet drejt Barit janë nisur me 8 orë vonesë për shkak të dallgëve të larta. Kompanitë e lundrimeve kanë bërë me dije për Autoritetin Portual se tragetet e linjës Durrës-Bari dhe anasjelltas kanë rinisur lundrimet në të dyja anët e Adriatikut: “Trageti ‘AF Francesca’ ka lundruar drejt Barit ditën e djeshme rreth orës 23:30. Trageti ‘AF Francesca’ ka rinisur lundrimin ditën e sotme nga Porti i Durrësit rreth orës 5:5. Ndërkohë nga Porti i Barit kanë rinisur gjithashtu lundrimet mëngjesin sotëm dt.04.10.2024 rreth orës 7:00, nga ku është nisur trageti ‘Rigel III’ i planifikuar për nisje mbrëmjen e djeshme.” Sakaq lundrimet për peshkarexhat e vogla mbeten të pezulluara për 24 orët në vijim.

Por reshjet e shiut dhe era e fortë kanë shkaktuar probleme dhe me lëvizjen e automjeteve në Durrës. Më problematike mbeten rruga dytësore e lagjes 17, kryqëzimi pranë stadiumit, rruga e Currilave, rruga dytësore pranë zjarrfikëses dhe disa akse të tjera në zonat periferike.

Përmbyten dhe rrugët në Tiranë

Edhe kryeqyteti ka pasur problematika pasi niveli i lartë i reshjeve ka bërë që të bllokohen tubacionet dhe uji të shkaktojë përmbytje në disa zona, duke vështirësuar kalimin e automjeteve dhe bllokuar trafikun. Grupet e emergjencës së Bashkisë bashkë me ekipet e tjera kanë njoftuar se po punojnë intensivisht për të normalizuar situatën.

Përmbyten rrugët e Tiranës pas reshjeve të shiut

Posted by Gogo.al on E premte, 4 tetor 2024

Çfarë të presim?

Intensiteti i lartë i reshjeve pritet të sjellë përmbytje në shumë zona urbane. Instituti i Gjeoshkencave ka paralajmëruar paraditen e së premtes se mund të ketë dhe rrëshqitje dherash në zonat malore. “Sot pasdite (e premte, dt. 04) do të ketë reshje me intensitet të lartë në të gjithë vendin. Në qarqet Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave. Në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjëndjes së kanalizimeve.”– thotë IGJEUM.

Në një intervistë për “Report Tv”, specialistja e Shërbimit Meteorologjik Anira Gjoni foli lidhur me situatën, duke treguar se 5 janë qarqet më problematike: “Gjatë ditës së sotme presim që të kemi reshje me intensitet të lartë në të gjitha qarqet e vendit. Qarqet si Shkodra, Kukësi, Dibra, Tirana dhe Vlora, presim të kenë reshje intensive, por edhe qarqet e tjera në nivele mestare reshje do jenë intensive. Në të gjitha qarqet reshjet do të jenë në formën e shtrëngatave dhe presim që të kemi problematika përgjatë pasdites së sotme, në qendrat urbane dhe në varësi të gjendjes së kanalizimeve, por do të hasim dhe me vërshime të shpejte të lumenjve të vegjël por dhe rrëshqitje.”. Ajo shtoi se reshjet do të vijojnë deri në orët e mbrëmjes dhe të shtunën presim të kemi kthjellimin e motit dhe reshje të dobëta lokale, jo problematike.

LËR NJË KOMENT

Klevi Metaj u përball i vetëm me 6 policë. Rrjeti është dominuar në fotoja e portretit të tij. Qëndresa e e Metajt ka tërhequr vëmendjen e komentuesve. Në protestën e...
/ Oct 13
Nga Dorian Matlija Gjatë gjithë jetës sime profesionale kam besuar te zgjidhja paqësore e konflikteve, te ligji dhe institucionet. Helbete, avokat hesapi dhe kështu i bie të mendoj në kohëra...
/ Oct 14
Gogo.al hap studion e podkastit duke ftuar një pjesëtar të audiencës sonë besnike, Olard Siqecën. Një qëndrim mbi Call Centerat i themelueses dhe gazetares Valmora Gogo, u bë shkak për...
/ Oct 12
“Sa më shumë polici, aq më shumë studentë” është parulla me të cilën studentët u bëjnë thirrje të rinjve t’i bashkohen protestës së sotme, më 14 tetor, në orën 14:00,...
/ Oct 14