
Ambasadori i BE-së në Tiranë Silvio Gonzato i ka kujtuar autoriteteve dhe institucioneve shqiptare rëndësinë e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në procesin e integrimit. “Nuk duhet të flemë mbi dafina”- tha këtë të enjte ai në ceremoninë e 5-vjetorit të themelimit të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Por ky nuk është mesazhi i vetëm i tij, pasi herë pas here ambasadori Gonzato i ka dhënë politikës dhe institucioneve shqiptare mesazhe të qarta, qoftë nga aktivitete të ngjashme me këtë të 19 dhjetorit, qoftë nëpër intervista televizive. Por, kohët e fundit me hapjen e negociatave, këto mesazhe janë intensifikuar më shumë.
Shqipëria i hapi zyrtarisht negociatat për anëtarësim më 15 tetor të këtij viti, duke nisur me pesë grupkapitujt e parë. Ndërkohë që më 17 dhjetor kur u mbajt konferenca e tretë ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, u hapën negociatat për 2 kapitujt e radhës, që përfshijnë marrëdhëniet me jashtë, politikën e jashtme, të sigurisë dhe të mbrojtjes.
“Nuk duhet të flemë mbi dafina”
Ndonëse theksoi se SPAK është sinonim i suksesit në Shqipëri, duke e konsideruar si institucionin më të besueshëm në vendin tonë, Gonzato shtoi: “Duhet t’i hedhim sytë edhe drejt së ardhmes dhe nuk duhet të flemë mbi dafina, sepse rezultati i procesit të anëtarësimit në BE do të vazhdojë të mbështetet te kapacitetet e Shqipërisë dhe puna që do bëjë ajo për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, me anën e hetimeve të dukshme dhe ndjekjes penale duke sekuestruar e konfiskuar këto pasuri që janë vënë në formë të paligjshme.”
Ambasadori i BE-së gjithashtu theksoi se është urgjente krijimi i zyrës së rikuperimit të aseteve, për të identifikuar më mirë, gjurmuar më mirë si dhe për të sekuestruar pasuritë e paligjshme e për këtë kishte biseduar edhe me ministrin e Brendshëm, Taulant Ballën.

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato
“Transparenca dhe llogaridhënia jo në kurriz të pavarësisë”
Ambasadori në muajin shtator, pak javë para hapjes së negociatave, pati një përplasje me deputetin socialist Fatmir Xhafaj (lexo këtu) mbi drejtësinë. Pasi Xhafaj u mundua të theksonte nevojën për ndërhyrje ligjore te drejtësia në emër të llogaridhënies, Gonzato e kundërshtoi atë duke thënë se llogaridhënia dhe transparenca nuk mund të përdoren nga maxhoranca për të cënuar pavarësinë e institucioneve të drejtësisë.
“Pa institucione të pavarura të drejtësisë nuk ka drejtësi të pavarur. Kriteret si llogaridhënia dhe transparenca nuk mund të përdoren si kosto të pavarësisë. Ato janë mekanizma të brendshëm për të rritur këto cilësi.”- deklaroi ambasadori i BE-së, pasi Xhafaj tha se pavarësia në vendimmarrjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve “nuk mund të jetë këmishë force për të mos u gjykuar për përgjegjshmërinë, llogaridhënien dhe transparencën”, pasi sipas tij, ky do të ishte një gabim i madh.

Gonzato në takimin e organizuar nga qendra studimore CSDG, ku pati debatin me Xhafajn
“Arkitektura kushtetuese e Reformës në Drejtësi nuk preket”
Gjatë një interviste për “Top Channel” në fund të nëntorit, ambasadori i BE-së i ka dhënë një mesazh të qartë edhe komisionit të posaçëm “Xhafaj”, duke theksuar se arkitektura aktuale kushtetuese është e panegociueshme. “Ju e dini që ne vendosëm të marrim pjesë duke i ofruar ekspertizë Komisionit për ta udhëhequr dhe mbështetur në diskutimet e tij. Dhe një nga kushtet e qarta për këtë ofertë ishte që Komisioni të mos vinte në dyshim arkitekturën aktuale kushtetuese. Dhe kur flas për arkitekturën kushtetuese, kam parasysh situatën aktuale që e sheh sistemin e drejtësisë krejtësisht të pavarur nga legjislativi dhe ekzekutivi. Kjo është diçka që nuk është e negociueshme.”- deklaroi Gonzato, pas pyetjes së gazetarit Muhabet Veliu, lidhur me deklaratën e Xhafajt se nuk e përjashtonte mundësinë e ndryshimeve kushtetuese nëse ekspertët e Komisionit të Posaçëm për Qeverisje të Mirë dhe Antikorrupsion do ta rekomandojnë këtë.
“Nuk është proces ku plotësojmë disa kuti”
Gonzato thotë se procesi i integrimit nuk është thjesht një proces ku do të plotësohen disa kuti, por duhen zbatuar të gjitha angazhimet që Shqipëria merr përsipër. “Fokusi kryesor është që Shqipëria t’i zbatojë këto angazhime, kjo është ajo që BE dhe shtetet anëtare presin, e vetmja mënyrë për të arritur afatet ambicioze. Ka dy pika, së pari nuk është proces ku plotësojmë disa kuti. BE monitoron progresin s’sheh vetëm miratimin, por nëse reformat janë ekzekutuar.”– thotë Gonzato në një takim të organizuar nga Kuvendi para pak javësh.
Mesazhi për magjistratët: “Të konsolidohen arritjet e Reformës në Drejtësi“
Ambasadori Gonzato në fillim të nëntorit pati një mesazh dhe për magjistratët e rinj, duke theksuar rëndësinë që të ruhet fryma e reformës në drejtësi dhe të mos pengohet puna e saj. “Të gjitha arritjet e Reformës në Drejtësi të konsolidohen më tej, jo vetëm në aspektin ndëshkues për luftën ndaj korrupsionit, por edhe luftën paralajmëruese.”– tha Gonzato në një aktivitet të organizuar nga Shkolla e Magjistraturës. Ai shtoi: “Është e rëndësishme që mos të lëmë pas frymën e Reformës në Drejtësi duke marrë parasysh dhe elementet që mund ta përmirësojnë ose ta pengojnë zbatimin e saj dhe është e rëndësishme që ta mbrojmë.”

“Opozita të ulet në tryezë“
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama, ambasadori Gonzato i bëri thirrje opozitës të ulet në tryezë me maxhorancën. “E rëndësishme që opozita të ulet në tryezë. Suksesi i Shqipërisë është pronësia e çdokujt, të gjithë duhet të kenë pronësinë në të dhe do të vazhdoj ta ndaj këtë mesazh. Ka mënyra për të shprehur mospajtimin, ndryshimin e mendimit. Nuk mendoj se dhuna dhe ndërprerja e veprimtarisë është një mënyrë. Ka mënyra të tjera për t’u angazhuar në dialogun politik. Shpresoj të gjendet një rrugë për të riorganizuar opozitën. Kjo kërkon ende gatishmëri dhe angazhim nga të dyja palët.”- ka deklaruar Gonzato për të disatën herë.
Edhe në intervista televizive të mëparshme, Gonzato ka theksuar se e sheh problematike mos marrjen pjesë të opozitës në shumë vendime, për shkak të bojkoteve të shpeshta të votimeve në Parlament, në komisione e në procese të tjera me rëndësi. “Mungesa e opozitës është vërtet problem. Dhe kjo është diçka që e kam diskutuar disa herë, edhe me disa përfaqësues të opozitës. I kam thënë edhe qeverisë se duhet të jenë gjithëpërfshirëse dhe transparente.”- thotë diplomati italian në një intervistë me gazetarin Muhamed Veliu, pas hapjes së grup-kapitullit të parë të negociatave me BE-në.

Ambasadori Silvio Gonzato dhe kryeministri Edi Rama në një konferencë të përbashkët


