Jonida Hëna, sipërmarrësja e “Ferma Sotirës” në Leskovik rrëfeu gjatë podkastit në Gogo.al me gazetaren Valmora Gogo si iu dogj shtëpia që banonte prej vitesh. “Unë ndjej dhe një pjesë shumë të madhe të fajit me thënë të drejtën. Nuk e di pse atë ditë m’u tipos ta pastroja dhe kisha zgjedhur një ditë që Toni mungonte në shtëpi, kishte një tur të gjatë me kuaj, vajzat ishin në shkollë, dhe thashë: “Do bëhet pis shtëpia, do e pastroj, kur të vijnë e gjejnë në rregull” dhe ajo pjesa domethënë kur flakët kishin kapur katin e dytë dhe kishin dalë nga dritaret edhe pjesa kur erdhën çupat nga shkolla, sa u futën në fermë, gjëja e parë që panë ishin flakët gjigande”,-kujton ajo.

Hëna tregon kaosin që u krijua dhe çdo gjë shkrumbua para sytve të tyre: “Nuk më hiqen nga mendja. Unë po pastroja oxhakun dhe po e pastroja duke e djegur. I vë një leckë aty dhe e pashë që diçka nuk shkonte. I thirra Çeços, punëtorit të vjetër: “Çeço po nxjerr shumë tym!” dhe e ke parasysh, u mblodh ai, ramë në qetësi, domethënë te kjo pjesa, unë duke menduar që ai ka më shumë vite, e di më mirë se mua dhe shpërtheu kështu papritur”.

Nga shtëpia mbeti vetëm hiri. Ajo ndihet fajtore se si nuk mundi dot të menaxhonte situatën: “Tani më gërryen pak ai meraku, mënyra, nuk e menaxhova mirë. Domethënë unë thjesht mendoja që mund t’i shuaja flakët, ndërkohë që këtë kohë mund ta kisha menaxhuar duke nxjerrë gjërat nga shtëpia. Unë s’u mora fare me atë gjë. Dhe u dogjën shumë gjëra. Për gjërat e mia nuk më vjen keq, po për gjërat e çupave, kujtimet. Për kujtimet, më vjen keq. Më vjen keq që ato janë mërzitur dhe shkaku është i imi. Edhe me dokumentet patëm edhe një siklet tjetër, se u nxorrën edhe një herë nga e para”.

Sipërmarrësja Hëna shton edhe problemin tjetër më të madh, atë të shtëpisë së pasiguruar: “Jo, nuk e kishim siguruar, ishim në proces legalizimi”-thotë ajo duke e parë si një zgjidhje të mirë sigurimin dhe shton se nuk e dinte si ishin përvojat me agjencitë e sigurimit. Ajo bëri një zgjidhje të shpejtë si GoFoundMe duke dalë vetë në rrjete sociale për të kërkuar ndihmë. Me gjithë bujarinë e shqiptarëve, ajo nuk e ka ndërtuar dot ende shtëpinë e re.

“Dhe unë bëra GoFoundMe dhe nuk është se e prisja gjithë atë mbështetje me thënë të drejtën. Ishte një zgjidhje e imja që GoFoundMe-n ta bëja drejtpërdrejtë”, -Hëna tregon se vendosi ta çonte deri në fund nismën vetë si edhe pse u këshillua nga mikeshat e saj që ta hapnin të tjerët për të.

****

Një draftligj për sigurimin e detyrueshëm është duke u shqyrtuar nga Ministria e Financave dhe ajo e Drejtësisë, por ende nuk ka kaluar në parlament. Nga ky draftligj pritet të përfitojnë pronarët e pasurive të paluajtshme si për: banesat dhe seksionet që ndodhen brenda banesave që përdoren si njësi, zyra apo për qëllime të tjera të ngjashme, ndërsa nuk bëhet i detyrueshëm për ndërtesat të cilat përbëhen nga argjile/qerpiç, strukturë me fibër – kallami  ose të tjera të ngjashme si edhe ndërtesa me vendosje të lëvizshme ose të përkohshme.

Lexo edhe: https://gogo.al/sigurimi-i-detyrueshem-i-banesave-ne-shqiperi-nga-termetet-te-permbytjet/

Draftligji sqaron se detyrimin për lidhjen e kontratës së sigurimit e kanë edhe subjektet e banesave sociale me qira, banesat në proces legalizimi, si edhe njësitë e vetëqeverisjes vendore, të cilët financojnë primin e sigurimit nga buxheti i tyre, ndërsa shtresat në nevojë sociale do mbulohen nga buxheti i shtetit për primin e sigurimit i cili është çmimi ose shuma e parave që klienti (i siguruari) paguan pranë kompanisë së sigurimit për të përfituar mbulim sigurues për një periudhë të caktuar. Ai përfaqëson pagesën për transferimin e rrezikut nga individi te siguruesi dhe mund të paguhet në një këst të vetëm ose në këste dhe përcaktimi i tij bëhet në varësi të disa faktorëve si: risku i dëmit, historia e sigurimit, dhe pjesa e zbritshme (nëse zgjidhet një pjesë e lartë e zbritshme, primi është më i ulët).

Nga mbulimi i sigurimt të detyrueshëm për tërmetet përjashtohet mbulimi i sigurimit për të gjitha dëmtimet fizike trupore duke përfshirë humbjen e jetës, kërkesa për kompensim të dëmeve jopasurore, sendet brenda banesës së objektit të siguruar, shpenzimet në lidhje me heqjen dhe zhvendosjen e  mbetjeve dhe humbjet financiare nga ndërprerja e veprimtarisë dhe fitimi i munguar.

Sigurimi aktualisht është vullnetar për një gamë të gjerë problematikash. Për të bërë aplikimin kërkohet certifikata e pronës dhe kontrata është 1-vjeçare me mundësi për t‘u rinovuar. Sigurimi vullnetar i pronës përfshin dëme nga zjarri, tërmeti, përmbytje, stuhi, breshër, rrëshqitje, thyerje xhamash apo vjedhje.

Lexo draftligjin për sigurimet:

Krahas shoqërive “Sigal” e “Intersig” paketa sigurimi garantohen edhe nga “Sigma Vienna Insurance Group”,  “Eurosig”, “Atlantik”, “Albsig”, “Insig” dhe “Ansig”. Sigurimi mbulon dëme nga zjarri, tërmeti, përmbytjet, rrëshqitje të tokës, dëme nga tymi apo edhe nga sulmet gjatë grevave apo protestave, veprimet keqdashëse, nëse shtëpia preket nga orteqet, shpërthime uji nga tubacionet, dëmë nga pajisjet elektrike, vjedhjet etj.

Tarifat e çmimeve për sigurimin e pronës?

Duke kërkuar rastësisht në faqet zyrtare të ëeb-eve provuam të llogarisim vlerën që duhet paguar në linkun e shoqërisë “Sigal”. Në dritaret përkatës vendosëm të dhënat. Për një apartament me sipërfaqe 100 m2 në Tiranë, me paketën standarte e cila përfshin dëmët e rrufesë, zjarrit dhe eksplozionit detyrimi që duhet paguar në një vit është 4,550 lekë në vit, ndërsa me paketën silver e cila ka edhe mbulimin për tërmetin pagesa arrin në 13, 650 lekë në vit. Për të njëjtën sipërfaqe në Shkodër paguhet 3,474 lekë në vit standartja dhe 10,423 lekë në vit, ndërsa në Sarandë një familjë mund të paguajë 3, 0009 lekë për paketën e parë dhe për të dytën, 9026 lekë. Tarifa ndryshon në varësi të sipërfaqes, llojit të banesës apo edhe rrethir ku ndodhet.

Në Shqipëri janë 8 kompani sigurimi: “Sigal”, “Intersig”, “Sigma Vienna Insurance Group”, “Eurosig”, “Atlantik”, “Albsig”, “Insig” dhe “Ansig” që veprojnë në treg duke organizuar paketa të kombinuara me dëmet që mbulojnë. Aplikimi bëhet thjesht me certifikatë pronësie dhe zgjidhet të aplikohet edhe online. Draftiligji që e bën të detyrueshëm sigurimin e pronës, nëse miratojet në kuvend pritet të ndryshojë rregulla e lojët duke garantuar pronat e paluajtshme.

LËR NJË KOMENT

Avokate me profesion, 50-vjeçarja Fatima Zahra El Mansouri ka qenë për disa vite kryetare e bashkisë së Marrakeshit. Fatima Zahra El Mansouri është emëruar kryeministrja e parë grua e Marokut, pasi...
/ Sep 30
Nga Auron Tare Shiu i vjeshtës kishte filluar ndërsa unë isha në studiot e një televizioni që më kishte ftuar atë natë. Pas bisedës po prisja te kafja e televizionit...
/ Oct 3
Çfarë është Shqipëria e këtyre 35 viteve? Fatos Lubonja, një nga intelektualët e paktë që i ka mbetur Shqipërisë, për koherencën, qëndrueshmërinë e ideve të tij ndër vite dhe guximin...
/ Jul 29
Kuvendi i Kosovës miratoi me 91 vota pro projektligjin për Dhomat e Specializuara. Ndryshimet e propozuara lidhen edhe me Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë. Nisma e PDK-së kishte...
/ Oct 5