
Qeveria shqiptare po përgatit një version të ri të draftligjit për sigurimin e detyrueshëm të banesave, që nuk fokusohet më vetëm te tërmetet, por përfshin edhe përmbytjet, duke u bazuar edhe tek ekspozimi i banesave ndaj këtij rreziku pas episodeve të fundit të përmbytjeve në vend. Drafti, që po diskutohet aktualisht mes institucioneve, synon të krijojë një mekanizëm të detyrueshëm financiar, i cili do të ndihmojë qytetarët të përballojnë humbjet materiale në rast fatkeqësish natyrore dhe njëkohësisht të reduktojë barrën e buxhetit të shtetit. Në thelb, ky draft shndëron sigurimin e banesës nga një zgjedhje vullnetare në një instrument të domosdoshëm për qytetarët, duke i lidhur kontratat me aksesin në shërbime publike dhe duke krijuar një arkitekturë institucionale të qartë të Fondit Kombëtar për Sigurimin e Detyrueshëm nga Tërmetet dhe Përmbytjet, ku një shoqëri aksionere në pronësi të shtetit, është hallka qendrore e skemës.
Detyrimin për sigurim e kanë pronarët e banesave private, përdoruesit që disponojnë kontrata furnizimi energjie ose ujë, njësitë e vetëqeverisjes vendore për banesat sociale dhe individët që përfitojnë ndihmë sociale. Drafti zgjeron qartë kategoritë e të siguruarve edhe ata që nuk disponojnë dokument pronësie mund të konsiderohen “i siguruari” nëse kanë kontratë furnizimi, duke siguruar kështu mbulim të gjerë. Kontrata e sigurimit duhet të lidhet çdo vit ose për periudha më të gjata sipas policës dhe mund të paguhet nëpërmjet agjentëve të shitjes, pranë Fondit apo edhe elektronikisht. Në rast vonese në pagesë, sigurimi pezullohet deri në kryerjen e saj. Ndryshimi i pronësisë së banesës nuk e anulon kontratën, pronari i ri ka detyrimin të njoftojë Fondin brenda 15 ditëve.
Skema mbulon dëmet në pasurinë e paluajtshme të banesës të shkaktuara nga tërmetet ose përmbytjet gjatë vlefshmërisë së policës. Një ndryshim i rëndësishëm për përmbytjet është se mbulohen edhe sendet brenda banesës, ndërsa për tërmetet jo. Përjashtimet kryesore janë dëmtimet trupore, përfshirë vdekjen, dëmet jopasurore dhe humbjet nga ndërprerja e veprimtarisë ose fitimi i munguar. Gjithashtu, sigurohen vetëm ndërtesat me strukturë të qëndrueshme, ndërtesat e përkohshme, me argjilë, qerpiç ose fibër-kallami përjashtohen.
Kufiri maksimal i sigurimit përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, ndërsa parashikohet një pjesë e zbritshme prej 2% të vlerës së dëmshpërblimit, e cila paguhet nga i siguruari për çdo dëm. Shuma përcaktohet sipas rrezikut specifik të zonës dhe karakteristikave të banesës, duke përdorur modele aktuale për tërmetet dhe përmbytjet, dhe miratohet me vendim të Këshillit të Ministrave pas pëlqimit nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF). Për përmbytjet, metodologjia është e fazuar dhe e kushtëzuar sipas zonave me risk, duke përdorur të dhëna historike dhe hidrologjike. Modeli i riskut identifikon zonat më të rrezikuara, karakteristikat e banesave dhe skenarët e probabilitetit të përmbytjeve, duke përfshirë edhe ndryshimet klimatike dhe zhvillimet urbanistike.
Fondi Kombëtar është institucioni qendror që administrojnë skemën. Ai funksionon me pavarësi financiare dhe operative, dhe financimi vjen nga primet (pagesat që bën personi i siguruar) e qytetarëve, komisionet e risigurimit, të ardhurat nga investimet, grante dhe buxheti i shtetit. Shpenzimet përfshijnë dëmshpërblimet, trajtimin e dëmeve, komisionet për lidhjen e kontratave, risigurimin dhe operacionet e fondit. Fondi raporton të paktën dy herë në vit tek Ministri i Financave dhe AMF, duke publikuar statistika dhe të dhëna të tjera të qarta për transparencë.
Një nga mekanizmat më të fortë të draftit është lidhja e sigurimit me marrjen e shërbimeve publike, regjistrime kadastrale, shërbime e-Albania dhe QKB. Mungesa e kontratës mund të rezultojë në kufizime në këto shërbime dhe masa administrative për qytetarët.
Ligji nuk hyn menjëherë në fuqi. Ai parashikon një periudhë 12-mujore pas botimit në Fletoren Zyrtare, gjatë së cilës Këshilli i Ministrave duhet të nxjerrë aktet nënligjore për zbatimin e primit, shumës së sigurimit, zbatimin e përmbytjeve dhe detajet e tjera operative.
Drafti i ri përcakton se shoqëritë e sigurimit privat nuk mund të lidhin kontrata vullnetare për banesat që nuk kanë fillimisht një kontratë sigurimi me Fondin, duke i lënë vetëm rolin e agjentëve për shitjen e policave.
Në përfundim, ky draftligj shndërron sigurimin e banesave në një mekanizëm të detyrueshëm, i cili synon të mbrojë qytetarët dhe buxhetin e shtetit nga pasojat e fatkeqësive natyrore. Përfshirja e përmbytjeve e bën skemën më gjithëpërfshirëse dhe tregon qartësisht një lëvizje drejt menaxhimit aktiv të riskut, duke i dhënë qytetarëve mbrojtje financiare më të plotë dhe duke krijuar një sistem të qëndrueshëm për zbatimin e tij.


