
DHUNIMI I PUNËTORIT TË PASTRIMIT NË VLORË ËSHTË ALARM PËR TË TRAJTUAR SERIOZISHT MUNGESËN E SIGURISË NË PUNË NË KËTË SEKTOR!
Ditën e sotme, në mes të ditës dhe në qendër të qytetit të Vlorës, është dhunuar një punonjës pastrimi 70-vjeçar. Dy persona kanë zbritur nga një furgon dhe e kanë goditur pa mëshirë, pa asnjë arsye 70-vjeçarin. Fatkeqësisht, kjo nuk është një ngjarje e izoluar, por pjesë e një fenomeni shqetësues që prek punonjësit e pastrimit në mbarë vendin. Ata, të braktisur nga punëmarrësi, institucionet publike dhe shoqëria, shpesh janë hallka e vetme që mban barrën e të gjitha konflikteve me qytetarët: edhe kur kompania i shfrytëzon mbi kapacitet, edhe kur mungojnë mjetet e pastrimit, sa herë që tenderat ndërrohen dhe kjo shkakton qytet më pak të pastër, ata janë të parë që konfliktohen nga qytetarët, shpesh duke u sharë, diskriminuar, dhunuar verbalisht.
Vetëm pak kohë më parë, një punonjës pastrimi humbi jetën në aksin Elbasan–Peqin, teksa po pastronte anës rrugës. Shumë të tjerë janë aksidentuar nga makina në Tiranë dhe qytete të tjera. Disa janë dhunuar nga persona të dehur, e të tjerë nga njerëz që nuk kanë asnjë respekt për punën dhe jetën e punonjësve të këtij sektori. Mosreagimi i shoqërisë ndaj një fenomeni të tillë prodhon dhunë të vazhdueshme, diskriminim, shfrytëzim të një prej shtresave më vulnerabël të shoqërisë, si edhe e rrit konfliktin në shoqëri, ku viktima mbeten gjithmonë punonjësit e pastrimit, duke e përkeqësuar jetën e këtij segmenti të shoqërisë i cili përjeton diksriminime të shumëfishta, prej atij për llojin e punës e deri te mungesa e pagës së dinjjitetshme.
Ne, si “Drejtësi Sociale”, besojmë se ka ardhur koha që puna e pastruesve të njihet si punë e rrezikshme dhe e vështirë. Këta punëtorë meritojnë një pagë dinjitoze, siguri në punë dhe, mbi të gjitha, respektin që u është mohuar prej kohësh. I bëjmë thirrje mediave që të tregojnë përgjegjshmëri dhe ndjeshmëri në trajtimin e këtij rasti dhe rasteve të ngjashme, duke shmangur gjuhën stigmatizuese dhe duke e vendosur vëmendjen te mungesa e sigurisë dhe dinjitetit të punonjësve të pastrimit. Mediat kanë një rol thelbësor në formësimin e opinionit publik dhe mund të kontribuojnë në ndryshimin e qëndrimeve diskriminuese ndaj kësaj kategorie punëtorësh.
Ky shkrim u publikua nga organizata “Drejtësia Sociale”


