Meqë qeveria Rama nuk u rrëzua dhe me gjasë pasi të mbarojë skulpturën që kishte nisur do shkojë serbes-serbes në zyrë, le të reflektojmë pak mbi progresin që shënoi “revolucioni” i 11 shkurtit 2023.

Simbolika dominon rezultatin

Përtej elementëve të zakonshëm parë në çdo protestë tjetër të kësaj opozitë, (lexo Këtu për më shumë) u vu re një organizim më efikas që gjithçka të mbaronte sa më shpejt.

Mesazhi simbolik që Sali Berisha, kreu i kësaj lëvizjeje revolucionare dha, u fokusua te njohja me kujdes e vendndodhjes së institucioneve dhe Partisë Socialiste në Tiranë. Sipas tij, ato janë pikat kyçe të problemit; selia e Partisë Socialiste, Bashkia e Tiranës, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Parlamenti i Shqipërisë.

Mbrojtje më e mirë nga grushtat

Në këtë revolucion u vu re një përgatitje më e mirë e truprojave të ish-kryeministrit Berisha, pas incidentit ku një person e goditi atë në fytyrë.

Në formë gjysmëhëne, truprojat kishin blinduar çdo qasje të qytetarëve nga turma si dhe u vu re një distancë më e madhe se zakonisht e grupeve të xhirimit.

Po kështu në videon që qarkulloi më pas, gjatë mbërritjes së Berishës në selinë e PD-së, u pa një mobilizim më i madh i truprojave për të larguar çdo subjekt të dyshimtë, edhe një burrë të moshuar me qeleshe.

Sa më shumë “Selfie”

Një pjesë e eksponentëve kryesorë të Partisë Demokratike nuk mund ta kuptonin rolin e tyre në këtë revolucion pa treguar për gjithë Shqipërinë se ata ndodheshin aty.

Fotot ku nxjerr veten quhen teknikisht “Selfie”, ndërsa është ky një mjet në komunikim përmes rrjeteve sociale që po perfeksionohet gjithnjë e më shumë nga opozitarët.

Jozefina Topalli, Albana Vokshi¸ Belind Këlliçi, Mimoza Hadarmataj etj. nuk hezituan të dilnin në këto foto dhe të lejonin shpërndarjen e tyre në rrjetet sociale.

Një formë evidence për pjesëmarrjen apo më shumë një formë bindjeje për shqiptarët e tjerë që vëzhgonin revolucionin nga shtëpia?!

Poezia drithëron shpirtrat

Çfarë poezie u recitua sot? Kjo mund të qe pyetja, ndërsa e reja e këtij revolucioni është se nuk u teprua me përdorimin e arteve të bukura.

Ndryshe nga dramaciteti i nënave me të zeza, kësaj here ata që lexuan fjalimet qëndruan te At Gjergj Fishta.

Arti skenik i përdorur në protestën e mëparshme

Kjo pjesë nga At Gjergj Fishta është përdorur edhe nga ish-presidenti Ilir Meta disa vjet më parë në daljet e tij publike.

Shpejtësia e dritës më e vogël se e revolucionit

Më shpejt se shpejtësia e dritës. Më këtë krahasim simbolik mund të përmbyllet kjo analizë e formës të këtij revolucioni opozitar.  Kjo përpjekje bëri më pak bujë se revolucioni kur Berishën e goditën me grusht. Në rreth 3 orë nisi dhe u mbyll gjithçka.

Nuk duhet të harrojmë që incidenti i goditjes së Berishës dhe jehona që kjo ngjarje bëri në shtypin ndërkombëtar, eklipsoi edhe pritjen që kryeministri Edi Rama u bëri në të njëjtën ditë liderëve të Europës në Tiranë.

Valmora Gogo është gazetare dhe lektore e Komunikimit dhe e Gazetarisë. Prej 17 vitesh ajo kontribuon në hapësirën mediatike në Shqipëri, duke nisur që prej gazetës Shekulli e deri te mediet online si Newsbomb.al, Shuplaka.al dhe Hashtag.al. Gogo mban gradën “Doktor në Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” dhënë nga Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës. E fokusuar në kërkim dhe kryesisht në politikë, Gogo kujdeset në informimin e saktë të opinionit publik shqiptar.

Leave a Reply

  • (not be published)