klodiantomorri

Nga Klodian Tomorri

Në fillim të muajit të kaluar, një kompani e quajtur “I.B.N” iu drejtua Gjykatës së Shkallës së Parë në Tiranë për nxjerrjen e një urdhri sekuestroje. Kompania për të cilën kërkohej sekuestroja ishte flamuri i qiellit shqiptar, “Air Albania”.

Sipas vendimit të Gjykatës, krenaria kombëtare siç e pati quajtur kryeministri, i detyrohej kompanisë “I.B.N”, 4.5 milionë euro fatura të papaguara. I gjithë ky borxh ishte i provuar përmes faturave fiskale dhe i certifikuar nga një vendim i mëparshëm gjykate në muajin tetor të vitit të kaluar.

Gjykata e Shkallës së Parë e miratoi urdhërin duke vendosur sekuestron konservative mbi aksionet e “Air Albania”-s deri në shlyerjen e plotë të detyrimit. Por urdhri mbahet sekret dhe nuk është publikuar, ndonëse ai që është publikuar është një kundërurdhër i siguruar nga “Air Albania”, po në gjykatë dy javë më parë, për të pezulluar veprimet përmbarimore.

Krenaria kombëtare e Shqipërisë ka kohë që është në telashe me shlyerjen e faturave për furnitorët, madje edhe për punonjësit. Pak muaj më parë në eksktraktin e kompanisë u shfaq një tjetër urdhër sekuestroje, këtë herë i vendosur nga ish-administratori i saj Sinan Isik. Ky kërkonte pagën, që kompania nuk ja kishte paguar siç pretendonte.

E vënë sërish në qendër të vëmendjes publike, pas deklaratave të Arben Ahmetajt që e cilësoi “Air Albania”-n si një kompani të rrënuar financiarisht nga charterat e Edi Ramës, kompania reagoi duke i quajtur akuzat si të pabesueshme, madje duke u hedhur në kundërsulm, teksa e akuzoi Ahmetajn si debitor që nuk ka paguar biletat e fluturimit.

Por përtej pretendimeve të palëve, për “Air Albania”-n ka një të vërtetë të madhe. Kush hyn në biznes me kompaninë ka jetë të vështirë përpara.

Ndonëse “Air Albania” i mban prej gati 5 vitesh të fshehta bilancet dhe pasqyrat e saj financiare duke shkelur haptazi ligjin, vështirësitë financiare të kompanisë nuk mund të fshihen dot më.

Fatura 4.5 milionë euro ndaj “I.B.N”-së nuk janë detyrimet e vetme që kompania nuk ka shlyer. Pak kohë më parë, emri i saj u hoq në mënyrë të turpshme nga stadiumi kombëtar, për shkak se kompania nuk i kishte paguar federatës tarifën e emrit. Këto janë vetëm faktet publike. Por mali i borxheve të saj dyshohet të jetë shumë më i madh.

Megjithatë në këtë histori pjesa më e rëndësishme nuk janë borxhet që kompania ka ndaj privatëve sepse në fund të fundit tashmë shumica e tyre e dinë që të bësh biznes me “Air Albania”-n ka risk të lartë. Pjesa më e rëndësishme në këtë histori janë risku i detyrimeve publike të kompanisë.

A po i paguan taksat dhe detyrimet e tjera ligjore “Air Albania”?

A po i derdh ajo taksat që mblidhen në çmimin e biletave atje ku duhet të derdhen?

Cili është sot kapitali i saj?

A ka lidhje rritja me 20 milionë euro gjatë vitit të kaluar e zërit të Llogarive të Arkëtueshme në bilancin e Aeroportit me “Air Albania”-n? Si është zgjidhur çështja e tyre?

Këto janë pyetjet që duhet t’u përgjigjet “Air Albania”. Sepse kompania që u shit si flamuri i krenarisë kombëtare përfundoi në të vërtetë në një kompani, që u ndërtua vetëm për të siguruar charterat e maskotit të saj. Dhe tani fatura po u ngarkohet qytetarëve. Dhe po financiarisht “Air Albania” është e rrënuar. Një aset toksik, që emeton vetëm borxhe.

LËR NJË KOMENT

Navanethem "Navi" Pillay, një juriste nga Afrika e Jugut dhe ish-komisionere e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, fitoi Çmimin Nobel për Paqen 2026, "për përpjekjet e saj...
/ Oct 9
Nga Gjergj Erebara Banka e Shqipërisë bleu shifrën rekord të 428.5 milionë eurove gjatë muajve prill, maj dhe qershor të këtij viti, një shifër e cila, sipas të gjitha gjasave,...
/ Oct 10
A mendon se Korreshi po investon në partinë e duhur? Kur do ta tejkalojnë Berishën? A gjendet emri i një eksponenti të lartë të PD-së në dosjen e Ballukut? Çfarë...
/ Oct 6
Ndonëse kanë kaluar 36 vite nga rrëzimi i komunizmit, Shqipëria duket se ka ndërruar emërtimin e sistemit politik, por jo përmbajtjen e saj. Kjo shembullzohet me efektet dhe diksursin publik...
/ Oct 10