
Më 13 dhjetor 2020, nëpërmjet një komunikimi, gazetari Gjergj Erebara njoftonte se pikërisht profili nga po shkruante i ishte bllokuar 24 orë, bllokim që nuk po funksiononte më përderisa ai e kishte marrë në zotërim sërish llogarinë virtuale.
Gazetari theksonte se kishte qenë “një përpjekje heroike” e ushtrisë së trolleve për ta raportuar si llogari false duke shfrytëzuar rregullat për emrin e vërtetë të “Facebook”-ut. “Mendoj se partia duhet t’i pushojë nga puna të gjithë trollsat si të paaftë.”, shkruante Erebara.
Në Gjermani, një tjetër personazh i njohur shqiptar vuante të njëjtën pasojë: bllokimin për 24 orë të profilit të saj në “Facebook”.
Inida Kreuz, e njohur me emrin e artit Zhaku, arriti nëpërmjet shkathtësisë së IT-së që kishte pajtuar ta rikthente brenda 24 orëve profilin e saj. 2800 raportime kishte marrë Zhaku me “argumentimin” e bullizmit ndaj Mustafa Nanos dhe Alfred Pezës dhe po të njëjtin “argumentim” kishin raportuar profilet në rastin e dytë për Taulant Ballën, personazhe të cilët artistja i kishte përmendur në statuset e veta.

Po çfarë i bashkon këto dy raste, në dukje pa lidhje me njëri-tjetrin, përveç se kohës së njëjtë kur kanë ndodhur?
Po të vëzhgosh aktivitetin në “Facebook” të Erebarës dhe Kreuzit mund të gjesh fare lehtësisht elementin që i lidh: aktivizimin energjik për ngjarjet e protestës disaditore të të rinjve në Tiranë.
Gjergj Erebara dhe Inida Kreuz kishin postuar ide dhe informacion, kishin ndarë linke e diskutuar në hapësirat e tyre virtuale se çfarë po ndodhte në Tiranë ato orë të zhvillimeve të forta.
Këto dy raste tregojnë as më shumë e as më pak se pikën kulminante të luftës së ndezur të trolleve ndaj personazheve publikë, luftë që në fakt ka korresponduar edhe me metoda të tjera paraprake ndaj personazheve të ngjashëm si censurim komentesh nga administratorët e profileve ku përdoruesit kanë qenë më aktivë, vërshim komentesh jo aq organik nga trollet në profile të caktuara deri edhe te bllokimi me të drejtë ligjore nga kompani si “Acromax”-i për materiale të caktuara në emër të pronësisë intelektuale.
Trolli, ky emër marrë nga folklori skandinav, është një adresë, një profil që ka për zakon të shqetësojë qëllimisht përdoruesit e shënjestruar deri në krijimin e një lufte virtuale duke përhapur mesazhe fyese, dezinformuese, të gënjeshtra, gjysmë të vërteta dhe jashtë kontekstit.
Diskursi në Tiranë mbi luftën e trolleve për qëllime të pastra politike është i thekshëm.
Të denoncuar shpesh si “Sufllaqexhinjtë”, ata ironizohen në mediet sociale nga përdoruesit, ndërsa flitet shpesh për ushtri 20 a 30 vetësh në zyra të posaçme por po ashtu për punonjës administrate që zotërojnë së paku dy profile e nga ku zhvillojnë aktivitet të dyshimtë virtual.
Po në mënyrë të shpeshtë kanë qarkulluar në medie sociale edhe mesazhe të ngjashme komentuesish të ndryshëm, si dy rastet më poshtë, që tregojnë jo vetëm profilet e rremë por edhe dorën e padukshme të orkestruesve që kanë nisur te ta mesazhin, i cili padashje ose me qëllim është publikuar i pandryshuar nga dy llogari të ndryshme.

Lufta e “skuthave virtualë” ka qenë e dukshme edhe në dy raste të tjerë personazhesh të njohur si ai ndaj gazetarit të “Bild”-it Peter Tiede që publikoi audiopërgjimet e shitblerjes së dyshuar të votave për Dibrën dhe ndaj moderatores Sonila Meço.
Por lufta është bërë më e fortë edhe në mënyrë direkte ndaj medieve, mjafton të kujtojmë rastin e “Hashtag.al”, medie online që u mbyll thuajse për 1 muaj për shkak se kishte përdorur në një shkrim foton e Carlo Bollinos, të cilën e kishte marrë në “Google” e që raportuesit në kompaninë e hostit kishin kërkuar bllokimin e websitit për shkak të shkeljes së të drejtës së autorit.
Po kështu, rasti më i fundit është ai ndaj medies sociale “Jeta osh qef”, ku sipas versionit të administratorëve të saj, 17 ditëshi i bllokimit të profilit në “Facebook” ka të bëjë me një sulm rilindas, duke iu referuar kështu urdhrave qeveritarë.
Si ta dallojmë kur kemi të bëjmë me profile të rremë në rrjetet sociale? Mjafton të verifikojmë elementë të tillë si emri i çuditshëm, kontakti i krijuar prej pak kohësh, foto profesionale e të kuruara, foto të marra nga “Google” edhe për foton kryesore të profilit (aktoresh, modelesh etj), profil i përditësuar rrallë, pak veprimtari edhe në komente e shpërndarje, listë e dyshimtë me miq, apo që “Google” nuk të jep ndonjë rezultat po të kërkosh me emrin e profilit, për të kuptuar se kemi të bëjmë me një llogari të rremë që me shumë gjasë është krijim i strategjisë së nëndheshme virtuale.