
Deputetja e PS-së Iris Luarasi ka denoncuar manipulimin në rrjetet sociale të një fotoje të saj me ambasadorin e BE-së Silvio Gonzato.
Dyshja ishte pjesë e një përfaqësie që shkoi në burgun e Spaçit para pak ditësh në përkujtim të viktimave të komunizmit.
Fotoja e manipuluar shfaqte Luarasin e Gonzaton të kapur dorë për dore ndërkohë që ajo është e përpunuar me inteligjencë artificiale. Luarasi ka publikuar fotot e pamanipuluara në Facebook.
Luarasi shkruan se fotoja është dezinformim dhe ky i fundit është tallje me lexuesit e goditje ndaj standardeve të BE-së.
Në fund deputetja socialiste thekson se fabrimi i fotove nuk është gazetari po mashtrim dhe ata që luajnë me këtë gjë duhet të mbajnë përgjegjësi.
“Njoftim urgjent nga bota paralele e portaleve. Kemi një “lajm” që në një klik arrin të jetë njëkohësisht homofob dhe mizogjin. Dy sulme, një foto. Efikasitet i vërtetë, vetëm se i vënë në shërbim të gënjeshtrës. Dhe jo vetëm kaq. Foto e publikuar është punuar me inteligjencë artificiale, që të dukemi sikur jemi kapur për dore. Kjo nuk është gazetari, por është një kurs i shpejtuar se si të dezinformosh. Ironia më e madhe? Unë jam kryetare e nënkomisionit kundër dezinformimit. Dhe ju sapo më dhuruat rastin studimor më perfekt që mund të kërkoja. Sepse dezinformimi nuk është shaka: është tallje ndaj lexuesit, dëm ndaj një diplomati dhe një goditje ndaj vetë standardeve që Bashkimi Europian kërkon nga media shqiptare. Kush luan me të vërtetën, duhet të përgjigjet edhe për të. Përgjegjësia mediatike nuk është opsion, por është detyrim. Kur fabrikon realitete me AI, s’je gazetar. Je mashtrues ordiner. Liria e medias nuk është leje për të falsifikuar! Foto e dytë është fotoja origjinale, e paretushuar: në Spaç, aty ku dikur burgoseshin ata që thoshin të vërtetën. Sot disa e keqpërdorin lirinë që të tjerët e paguan me burg, për të fabrikuar urrejtje.”

Ky shkrim është pronësi intelektual e Hashtag.al


