
Pa pritur e pa pandehur deputetja Marjana Koçeku u gjend në mes të protestës në ditën e 21-të të saj kundër kryeministrit Edi Rama në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”në Tiranë. Fotot e saj qarkulluan në media ku ajo duket pranë qytetarëve që thërrisnin: “Rama n’burg, Berisha n’burg.” Ardhja në protestë u paralajmërua në heshtje përmes fotove me flamingo.


Nuk mungoi as njoftimi publik në rrjete sociale për tërheqjen nga grupi parlamentar i PS-së ku Koçeku shkruajti: “Prej sot jam deputete e pamvarun. Idealet e vlerat e mia janë ato që i kam pasë e i kam shprehë qysh para se me u asociu me nji parti. Ato m’i diftojne kufijtë”. Pas kërtij vendimi reagoi kreu i Grupit Parlamentar të PS-së taulant Balla i cili kërkoi që të ndiqet rruga zyrtare. “Njerëzit duhet të njoftojnë zyrtarisht. Tani, ku e di unë që s’i kanë vjedhur Facebook-un, zonjës? Megjithatë, thotë se ka tentuar të flasë me të. Unë e kam marrë në telefon, nuk ma ka hapur. Kaq”.
Zërave kundër, Koçeku iu përgjigj me një tjetër mesazh: “Nuk ua kam marrë mandatin e deputetit. Ma keni marrë ju mue, për 10 muej rresht. Tash mandati ka ardhë në vend të vet. Nëse jeni kaq të sigurt që unë nuk fitoj pa ju dhe ju i keni plot 83 mandate, atëherë shpërndajeni parlamentin, shkojmë në zgjedhje të parakohshme dhe masim forcat se kush fiton çka. Kësaj radhe do marr me vete kecin tim të shtrenjtë, bashkë me kmesën e mprehtë, dhe do zbres me kandidue në Tiranë. Para se të vij, ndoshta iu marr leje malësorëve të mi me e folë gjuhën standard”. Pasi nuk pranoi të fliste për mediet dje gjatë protestës, Koçeku ka shkruajtur një mesazh të shkurtër: “N’tribunën ma t’bukur t’demokracisë”.


