Ryszard Czarnecki, një ish-eurodeputet dhe nënkryetar i Parlamentit Evropian është arrestuar në aeroportin e Varshavës në lidhje me një skandal të lidhur me një universitet privat në Poloni. Czarnecki, i cili përfaqësonte partinë e krahut të djathtë Ligj dhe Drejtësi (PiS) e humbi vendin e tij në Parlamentin Europian në zgjedhjet e mbajtura në muajin qershor.

Ish-eurodeputeti dhe bashkëshortja e tij Emilia Hermaszewska u arrestuan të mërkurën pas akuzave për mashtrim dhe grumbullimin e shifrave gjashtëshifrore gjatë kohës së tij si eurodeputet. Czarnecki krenohet se ka mbështetur krijimin e një dege të Universitetit privat Collegium Humanum në Uzbekistan. Por ai thjesht harroi që universiteti nuk kishte të drejtë ta bënte një gjë të tillë. “Këto janë lojëra politike dhe akuzat ndaj meje janë absurde. Nuk u deklarova fajtor sepse ishte e qartë se nuk kisha asgjë për të rrëfyer.”-tha me krenari Ryszard Czarnecki, sipas Politico.eu. Më poshtë disa foto nga momenti kur po largohej i shoqëruar nga Prokuroria mbrëmjen e së mërkurës.

Takimi dhe mbështetja për Berishën

Czarnecki është eurodeputeti që mbështeti ish-kryeministrin Sali Berisha kur ai u vu nën hetim nga SPAK dhe më pas u la në “arrest shtëpie” lidhur me çështjen e kompleksit “Partizani”. Ai ka ardhur në Shqipëri gjatë kohës që Berisha ka qëndruar i mbyllur në banesën e tij në Tiranë, dhe ky i fundit e ka pritur me tortë dhe raki. Të paktën kështu ka treguar vetë Czarnecki në një shkrim të publikuar në mediat polake më 13 shtator, pasi ai u arrestua.

“Mikpritja e presidentit është vërtet e jashtëzakonshme dhe i ngjan polonishtes së vjetër: Në tavolinë shfaqet një alkool i fortë shqiptar – raki dhe tortë. Problemi është se presidenti Berisha nuk mund të më takojë në restorantin e tij të preferuar në Tiranë apo në selinë e Partisë Demokratike, të cilën e çoi në fitore elektorale më shumë se një herë. Nuk mundet sepse… ka kohë që është në arrest shtëpie! Po, në Evropë, në dekadën e tretë të shekullit të 21-të, lideri i opozitës prej shumë muajsh nuk mund të largohet nga shtëpia e tij dhe kjo po ndodh në një vend që ka vite që negocion me Brukselin për anëtarësimin e tij në Bashkimin Evropian! Çfarë thotë BE-ja për këtë? Nuk thotë asgjë.”-thuhet në artikullin në fjalë. Koha kur ka ndodhur takimi mes tyre nuk dihet, por politikani polak e ka publikuar foton e mëposhtme në rrjetin social “X” vetëm para pak ditësh.

Për çfarë akuzohet ish-edurodeputeti polak

Media polake “Newsweek” shkruan se Prokuroria ngriti dy akuza kundër Czarneckit. E para ka të bëjë me ndikimin në Ministrinë e Shkencës dhe Arsimit të Lartë si dhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme si dhe përfitimin e mbi 92,000 PLN (ose 21 mijë Euro) nga rektori i “Collegium Humanum Paweł”. Ai thuhet se ka pasur edhe përfitime personale, të cilat konsistonin në marrjen e dokumenteve të rreme nga bashkëshortja që vërtetonin përfundimin e studimeve pasuniversitare në këtë universitet. Në këmbim, sipas prokurorit që po kryen hetimet, Ryszard Czarnecki ka vepruar si ndërmjetës në marrjen e vendimeve, vlerësimeve dhe opinioneve pozitive për universitetin, duke përfshirë pëlqimin për krijimin e një dege të huaj. Akuza e dytë ka të bëjë me pastrim parash. Prokurori paraqiti dy akuza të ngjashme ndaj bashkëshortes së politikanit, punonjëse në universitetin në fjalë. Të dy përballen me 10 vite burg.

Universiteti privat është nën hetim nga Byroja Qendrore kundër Korrupsionit e Polonisë (CBA), e cila e akuzon për shitjen e diplomave të masterit, duke iu dhënë shumë studentëve të drejtën të ulen në bordet e kompanive shtetërore polake në këmbim të përfitimeve materiale dhe personale.

Themeluesi dhe ish-rektori i universitetit, Paweł Czarnecki, u arrestua në shkurt në vitit të kaluar. Sipas portalit të lajmeve Wirtualna Polska, Czarnecki është akuzuar për 30 krime: mes të cilave për ryshfet, abuzim me pozitën e tij dhe detyrimin e njerëzve për të kryer marrëdhënie seksuale. Paëeł Czarnecki është nipi i politikanit Ryszard Czarnecki, dhe së bashku me xhaxhain e tij kishin shumë lidhje të nivelit të lartë brenda PiS – partia që humbi pushtetin në zgjedhjet e vitit të kaluar në Poloni. Qeveria e re e kryeministrit Donald Tusk po bën presion që politikanët e PiS-it të përballen me ndjekjen penale për korrupsion dhe akuza të tjera.

Ryszard Henryk Czarnecki është një politikan polak, historian, gazetar, aktivist sportiv, anëtar i Sejmit (parlamentit polak), ish-anëtar i Parlamentit Evropian (nga 2014 deri në 2018 dhe nënkryetar i tij), në vitin 1993 zv/ministër i kulturës, në vitet 1997-1998 kryetar i Komisionit për Integrimin Evropian, nga viti 1998 deri në 1999 ministër-anëtar i Këshillit të Ministrave.

LËR NJË KOMENT

Navanethem "Navi" Pillay, një juriste nga Afrika e Jugut dhe ish-komisionere e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, fitoi Çmimin Nobel për Paqen 2026, "për përpjekjet e saj...
/ Oct 9
Nga Irena Beqiraj “Vetëm fanatikët e rrezikshëm refuzojnë të bëjnë kompromis" - ky do të ishte një justifikim i mirë për argumentin e Braçes i cili votoi pro një reforme...
/ Oct 11
A mendon se Korreshi po investon në partinë e duhur? Kur do ta tejkalojnë Berishën? A gjendet emri i një eksponenti të lartë të PD-së në dosjen e Ballukut? Çfarë...
/ Oct 6
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Greqi, Kimberly Guilfoyle, është vënë sërish në qendër të vëmendjes pas një investigimi të "The Wall Street Journal", sipas të cilit ajo është mburrur...
/ Oct 11