
Nga Ruben Avxhiu
Një javë nga Dita e Zgjedhjeve Presidenciale në SHBA. Disa të dhëna që ju ndihmojnë për të kuptuar procesin. Fituesi nuk është ai që merr më shumë vota në total, në gjithë Amerikën, por ai që mbledh më shumë prej të ashtuquajturave Kolegje (Vota) Elektorale. Çdo shtet ka një numër të caktuar votash të tilla, të ndara në bazë të popullsisë. Sa më shumë njerëz ka shteti aq më shumë Kolegje Elektorale i takojnë. Kalifornia, Nju Jorku dhe Teksasi kanë më shumë nga të gjitha. Me pak përjashtime, kush del i pari në një shtet i merr të gjitha votat. Gjithsej po t’i mbledhësh janë 538 Kolegje Elektorale. Që të zgjidhesh President duhet të marrësh të paktën 270 Kolegje Elektorale.
SHBA ka 50 shtete. Shumica e tyre dihet se për kë do të votojnë. Kështu që fushata është përqendruar kryesisht në 7 shtete. Aty do të ndahet shapi nga sheqeri. (Ka shqiptaro-amerikanë në të gjitha këto shtete, por sidomos në tre prej tyre: Miçigani, Pensilvaninë dhe Uiskonsin. Fushatat janë përqendruar më shumë në komunitetin e parë. Mesatarisht anketimet në Miçigan tregojnë kandidatët në distancë jo më shumë se 2% nga njëri-tjetri. Gabimi në anketime mund të shkojë 3%-5% dmth asgjë nuk mund të parashikohet me saktësi. Shtetet e tjera ku mund të ketë të papritura janë: Nevada, Karolina e Veriut, Arizona, dhe Xhorxhia.)

Statisticienët po bëjnë qejf me formula të ndryshme rezultatesh të mundshme, se rezultatet mund të kombinohen në shumë mënyra. Çfarë ndodh nëse Trumpi fiton në Miçigan dhe Pensilvani, por humbet në Uiskonsin, Nevadën, dhe Arizonën? Çfarë ndodh nëse Harrisi fiton në Miçigan, Uiskonsin dhe Arizona por humbet në Pensilvani, Karolinën e Veriut, dhe Nevada?
Edhe ju mund të luani me numra të ndryshëm. Nisuni nga kjo: Pa rezultatet në këto shtete dhe si dhe dy zona nga shtete që nuk ia japin të gjitha fituesit, Maine dhe Nebraska, rezultati është ky:
Kamala Harris 225
Donald Trump 218
Sipas WSJ, nga shtetet që kanë mbetur, Trumpi ka 32 kombinime rezultatesh, sipas të cilave mund të fitojë, kurse Harrisi vetëm 25. Kamala Harris nga 25 kombinime rezultatesh, 48% kërkojnë që të dalë fituese në Pensilvani. Trumpi ka vërtet më shumë, 32, por në 81% të kombinimeve të mundshme, duhet të fitojë në Pensilvani. Pra sipas kësaj analize statistikore, Pensilvania është shtet me më shumë rëndësi për kandidatin Trump sesa për demokraten Harris.
Tani, në Miçigan, ku ndaj shqiptarëve është treguar më shumë interes nga fushatat. 52% e kombinimeve të mundshme të rezultateve në shtetet e pavendosura, përfshijnë një fitore për Harrisin në Miçigan. Kurse për Trumpin 56%. Pra, shteti Miçigan ka rëndësi shumë për të dy, por pak më shumë për republikanin Trump.

Pak më ndryshe në Uiskonsin. Fitorja në Uiskonsin për Harrisin është në 56% të kombinimeve të ndryshme që mund të nxjerrin fituese të zgjedhjeve. Për Trumpin vetëm 47%. E kështu me radhë. Mund të bëni vetë llogari e kombinime të ndryshme, sidomos nëse jeni i fandaksur mbas statistikave.
Pensilvania ka 19 Kolegje Elektorale
Karolina e Veriut 16
Xhorxhia16
Miçigan 15
Arizona 11
Uiskonsin 10
Nevada 6
Zonat Maine-02 dhe Nebraska-02 kanë nga 1 secila.
Pa këto rezultati është Harris-Trump 225-218. Ku do të shkojnë këto votat e mësipërme? Ja një kombinim: Nëse fiton në Karolinën e Veriut dhe Xhorxhia, dy shtete shpesh të djathta, Trumpi ngjitet në 240 (218 + 16 + 16), pastaj i duhen vetëm 30. I duhet mbase Pensilvania që ka 19 dhe pastaj 10 Uiskonsin dhe 1 nga Nebraska. Dhe Trump 270-Harris 268.
Një kombinim i mundshëm për Harrisin është të fitojë Miçiganin dhe Arizonën dhe shkon në 250 (225+15+10). Pastaj i duhen vetëm 20. Mbase fiton në Pensilvani, dhe një kolegj e merr nga Maine. Ja u bë 270.
BARAZIM
A mund të dalin barazim? Gjithmonë bëhet kjo pyetje. Po. Nëse dalin barazim, votimi vazhdon në Kongres, në Dhomën e Përfaqësuesve, ku kongresistët nga secili prej 50 shteteve zgjedhin nga një kandidat. Secili shtet deklaron se për kë votuan më shumë kongresistët e tij. Kush kap të paktën 26 shtete, fiton. Barazimi nuk ka ndodhur kurrë, përveçse në filma, e seriale televizivë, por është statistikisht i mundshëm.


