Mësuesit e ditareve klasike tani janë përballë Chat GPT-së ku një ekuacion i vështirë mund të zgjidhet me një kërkesë fare të thjeshtë. Koha e ka kusht përdorimin e Inteligjencës Artificiale, por sa praktike është ajo dhe a mund të përdoret nga të gjithë? Eksperti i Rrjeteve Kompjuterike, Erion Demiri përmes videove ka treguar radhën konkrete të hapave që ndiqen duke u ardhur në ndihmë të gjithë mësuesve që të përshtaten me zhvillimin e teknologjisë edhe në arsim. Sipas tij është një faqe e thjeshtë në dukje që mund të hapet duke klikuar në Google. Por më tej Demiri sqaron se pas saj fshihet një sistem i tërë i avancuar të cilit mund t’i drejtohesh në çdo gjuhë të botës dhe ka aftësinë të analizojë e përpunojë kërkesën dhe informacionin që të duhet.

Para kompjuterit të tij, Demiri i bën një pyetje Chat GPT-së për klasifikimin e gjallesave sa për të ilustruar shembullin. Ai thotë se pas pak minutash gjenerohet informacioni mbi të cilin shfaqet interes. Eksperti shpjegon se: “Ajo që duhet të kuptojmë është se ky informacion nuk është marrë i gatshëm nga diku, nuk kemi faqe te e cila ne të shkojmë. Ky është ndryshimi i AI-t nga interneti, nga web-i që kemi njohur deri më sot”. Ai vëren se materiali në çdo rast duhet verifikuar. Nëse një mësues ka interes të shkojë e të thellohet edhe më tej mbi temën që po bën kërkime përmes Inteligjencës Artificiale, Demiri thotë se duhet kërkuar edhe te linqet me të cilat Chat GPT-ja shoqëron informacionin e nxjerrë.

Aftësia për të ndërtuar pyetjen në mënyrën e duhur është edhe çelësi i gjithë punës kërkimore. Demiri thotë se që pyetja të ndërtohet siç duhet, kërkohet të përdorim të njëjtën gjuhë si në dialogjet mes njerëzve. “Sistemet e AI-t kanë janë ndërtuar duke marrë për bazë një sasi të madhe informacioni si funksionon truri i njeriut. Në çastin që ne duam që të marrim një informacion sa më të saktë, mënyra si i bëjmë pyetjet, ndjek rregullat standarte”. Sipas tij duhet të jemi të qartë e konçizë dhe të mos ndryshojmë gjatë pyetjes fokusin. Ai siguron se mund të bëhen edhe pyetje të tjera brenda së njëjtës pyetje. Për ta bërë sa më të kuptueshme ai i kërkon sistemit të dhëna për klasifikimin e gjallesave dhe origjinën e Aristotelit dhe Chat GPT pas pak minutash paraqiti të ndarë përgjigjen për pyetjen e parë dhe renditi fakte mbi jetën e Aristotelit.

Chat GPT është një sistem i AI-t që mund t’u vijë në ndihmë mësuesve pa pagesë, por nuk përjashtohet edhe mundësia për shërbime ekstra me pagesë dhe me më shumë akses në kërkim a përpunime që u vlejnë në punën e përditshme me nxënësit në klasë. Demiri këshillon se do ishte mirë për mësuesit që ta përdorin për pyetje të thjeshta, por më shumë për t’i orientuar drejt “veglave” më të specifikuara. Për të gjetur të duhurën ai jep një shembull të vërtetë si mund të shkojë më tej me AI duke shkruar: “Jam një mësues i klasës së 6-të dhe dua të di veglat dhe platformat që mund të më ndihmojnë”.

Demiri thotë se “Google Gemine AI” ka një vërsion i cili ndihmon shumë në mënyrën e mbajtjes së shënimeve, apo edhe “Claude.al” si më i përshtatshëm për shkollat 9-vjeçare. Demiri u ndal te “Magic school”. Ai shprehet se “Magic school” është me i avancuari dhe falas. Për të, ky aplikacion është një asistent i mirë për mësuesit. “Që nga përgatitja e tekstit, mund të gjenerosh imazhe, të ruash informacione dhe madje të dialogosh me të edhe në forma shumë më njerëzore të tipit: “E shpjegova mësimin nr. 3 në klasë dhe Arbeni e filani nuk e kuptuan mirë. Gjatë kohës që dialogon në fund të disa javëve të sugjeron se: “Po shpjegon këtë mësim të ri dhe ndoshta Arbeni dhe ky tjetri kanë nevojë për një shpjegim të dytë. Dhe krijon një profil të nxënësve”. 

Në aplikim mund të futet emri, lënda që mësuesi jep, shkolla ku punon, rrethi apo edhe interesi që ka. Eksperti Demiri shton se një interface i Magic School në shqip është pak i dobët, por informacionin e gjeneron njësoj. Nëse një mësues do përdorë “Magic School” nuk ka nevojë të fusë dy herë të dhënat pasi ato janë aty të ruajtura, madje ofron edhe mundësinë të regjistrohet edhe emri si nxënësit kanë dëshirë t’i drejtohen mësuesit të tyre. Ai thekson se edhe pse aty mund të përpunohen teste për nxënësit në bazë të literaturës që mësuesi ngarkon në sistem, duhet bërë kujdes me kontrollin e saktësisë së tekstit.

Verifikimi i informacionit që nxjerr Chat GPT është thelbi i gjithë punës. Si mund ta bëjnë këtë mësuesit? Duke u nisur nga përvoja e tij akademike me studentët, Demiri thotë se një mësues e di mirë se çfarë nxënësit duhet të dinë. “Ka goxha informacion në web që të bësh pyetjet: “A duhet bërë kjo pyetje?” apo “Duhet ta dinë apo jo?”, i takon mësuesit që të bëjë peshimin përfundimtar nëse ky test është me informacionin që ai duhet të kishte shpjeguar apo jo. Ky test vë pikat mbi I te pikat e rëndësishme që duhet të kishte mësuar nxënësi e me radhë”. Ai vë theksin te rëndësia për të kuptuar se sa më shumë persona u drejtohen sistemeve dhe përdorin, sistemi regjistron të dhënat dhe përgjigjet “OK” nëse ajo që ka gjeneruar është e saktë e më pas ofron të dhëna më të sakta e të konfirmuara”.

Demiri ndalet te vëmendja që duhet t’i japim verifikimit të asaj që prodhon AI dhe thotë: “Nuk ka rëndësi se çfarë sistemi po përdorim, po rëndësi ka fakti”. Sipas tij ndryshimi që kanë sistemet e AI nga web-et e zakonshme. Ai thotë se duhen parë edhe burime të tjera jo vetëm AI. Të kërkosh në linqe që AI paraqet si burime reference, kërkon edhe një konfirmim për seriozitetin dhe besueshmërinë që shfaqin. Linqe të universiteteve të afirmuara apo kërkimeve shkencore janë për t’u marrë në konsideratë, përpara asaj që Wikipedia ofron si një enciklopedi massive dhe lehtësishte e manipulueshme.

Një problem që ka lindur nga përdorimi masivisht i AI-t në shkolla nga nxënësit, është autenticiteti i realizimit të detyrave apo projekteve. Si mund ta dallojë një mësues një punim të realizuar 100% me Inteligjencë Artificiale? Demiri thotë se kjo po bëhet çdo ditë e më e vështirë për shkak të futjes më dendur të informacionit në AI dhe sistemi po aftësohet me hapa të shpejtë duke e bërë gati të pamundur të bëhet diferenca. Pavarësisht kësaj Demiri thotë se mësuesit arrijnë ta peshojnë nëse nxënësi i tyre është në lartësinë e përgjigjeve që jep Inteligjenca Artificiale.

“Po bëhet më e vështirë të dallohet. Një nga veglat më të përdorura sot është një GPT 0 një faqe e cila e bazuar në AI merr dhe analizon tekste të ndryshme dhe mundohet të japë një rezultat të përafërt. Është mësuesi ai që peshon nëse ky fëmijë është i aftë të shprehet në këtë formë”. Demiri shtron pyetjet: “A shprehet nxënësi në këtë formë? I krijon ai fjalitë në këtë formë?” Ai shton edhe rëndësinë e testeve me shkrim në klasë dhe ato hidhen në sistem për të bërë dallimin nga origjinaliteti në të shkruar. Krahas këtyre metodave ai sugjeron edhe diferencimin nga shenjat e caktuara që përdoren si viza e gjatë apo edhe fjali të strukturuara në gjuhë të “robotizuar”.

LËR NJË KOMENT

Esmeralda Hasani është emëruar në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit (SHISH). Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar emërimin e saj, pas shkarkimit nga detyra të Vlora Hysenit. Para...
/ Nov 12
Nga Elvana Tivari Po i marr me radhë, me Pishë Poro-Nartën si shembull, sepse aty shihet më mirë se çfarë mbron ky ligj. ① Arsyeja e parë e KM-së: projektligjet...
/ Nov 18
Cilët janë të rinjtë tanë ekselentë? Nëpër çfarë rrugësh të vështira kalojnë ata sot dhe për çfarë kanë nevojë? A i njohim realisht të rinjtë tanë dhe shpirtin e tyre...
/ Nov 16
Pas lajmeve për konfirmimin e një rasti me malarie në Shqipëri dhe dyshimeve për një pacient të dytë të prekur nga kjo sëmundje, Instituti i Shëndetit Publik ka publikuar të...
/ Nov 18