Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takimin këtë të dielë me emigrantët shqiptarë në Itali, takim që u zhvillua në Pallatin e sportit në Busto Arsizio, afër Milanos. 

Siç ndodhi në takimin e mbajtur dy javë më parë në Athinë, eventi u hap me muzikë, këndimin e himnit shqiptar dhe atij Italian.

Për shkak të pranisë së madhe të shqiptarëve, organizatorët u detyruan të hapin dyert e pallatit të sportit për të pritur të tjerë shqiptarë që vinin të shihnin kryeministrin, pavarësisht se stadiumi ka një kapacitet mbi 4 mijë persona të ulur.

“Jeni shëmbëlltyra e ribashkimit me Europën”

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Edi Rama tha se emigrantët shqiptarë në Itali, janë shëmbëlltyra e ribashkimit me Europën dhe përbashkuesit e dy brigjeve të Adriatikut.

“Një përqafim të gjithëve kudo janë nga kjo arenë e mrekullueshme ku flamujt kuqezi dhe tre ngjyrëshi italian dëshmojnë lidhjen e përjetshme mes dy popujsh që i ka bashkuar një det i tërë historie.
Shqiptarët e Italisë jeni shëmbëlltyra më rrezatuese e pararojave shqiptare të ribashkimit me Europën. Ju, jo politika as media as biznesi. Ju jeni përbashkuesit e dy brigjeve të Adriatikut.
Jeni fuqia më e madhe e rikthimit të Arbërisë së vjetër e Shqipërisë së re. Dje kjo dukej gjëja më e pamundur në botë kur u bëtë mbartësit e peshës tronditëse të misionit historik mbi anijet e ndryshkura të Shqipërisë komuniste.”
– tha ai.

“Ju diskriminuan, sa ndodhte një grabitje gazetat shkruanin se ishte një shqiptar”

Rama foli për situatat e vështira që kanë kaluar shqiptarët në Itali për shkak të paragjykimeve. Ai tha se shqiptarët në vitet 1990 u diskriminuan, ndërsa sot janë qytetarë të barabartë të Europës.

“Shqiptari në vitet 1990 ndihej i diskriminuar. Ndodhte një grabitje, gazetat lokale thoshin se është një shqiptar. Ndodhte një vrasje dhe mediat thoshin se është një shqiptar. Edhe kur ikte në drejtim të paditur, vrasësi i panjohur ishte shqiptar. Shqiptarët ishin dashuruar me Italinë dhe Seria A e Kombëtarja Italiane ishte në zemrën e tyre. Shqiptarët edhe nën diktaturë e donin Italinë dhe thesaret e saj. Shqiptarët kthenin antenat nga Italia, si shteti komunist kundërajrorët.”– tha kryeministri.

“Në Itali nuk ju detyruan të ndryshonit emrin si në Greqi”

Megjithatë ai bëri një krahasim me Athinën, duke thënë shqiptarët të cilët u detyruan të jetonin në Greqi, u detyruan gjithashtu të ndryshonin edhe emrat që u kishin vënë prindërit. Gjë që nuk ka ndodhur në Itali.

“Motra e vëllezër, mora shumë mesazhe nga shqiptarët në Itali pas valles kuqezi në zemër të Greqisë. Në më shumë se një rast më thonin që kur të vija në Milano nuk duhet të harroja se edhe ju keni vuajtur. Ndjeheshit të përjashtuar nga një garë dhimbjeje.

Shqiptarët në Itali nuk u detyruan të ndryshojnë emrin si në Greqi. Gjë që është një njollë turpi në historinë e Europës demokratike.”- tha Rama.

“Rusët bënë Evropën të kuptojë nevojën e bashkimit”

Ai hodhi edhe ca kunja për BE-në, duke thënë se lufta e Rusisë i kujtoi Evropës se duhej të bashkohej.

“Sot shtet demokratike ose ia dalin të gjithë së bashkë në Europë, ose mbesim mbrapa në një Europë që sot është më shumë e sfiduar që nga Lufta e Dytë Botërore. Gjermania ia doli të bashkohej pa lojëra politike apo për të pritur që gjermano lindorët të përshtateshin. Ndërsa BE u zvarrit me zgjerimin derisa rusët u shfaqen me luftën e parë pushtues për dekada duke e bërë Europën të kuptojë se duhet të bashkohet një orë e më parë përmes urave të demokracisë, jo të bashkohet me hapin e breshkës përmes buroracisë.”

Nga njohja e pensioneve përfitojnë 421 mijë emigrantë

Rama u ndal dhe në marrëveshjen për njohjen e pensioneve me Italinë.

Sipas tij, nga kjo marrëveshje e munguar përfitojnë 421 mijë emigrantë shqiptarë. 

“21 mijë prej jush do të përfitojnë nga marrëveshja e sapo lidhur e pensioneve më Italinë, ku falë angazhimit personal të kryeministres suaj këtu, dhe një zëdhënëseje shumë e fortë e jona në BE, Giorgia Meloni, ne ja dolëm të vendosim më në fund, pas një përpjekjeje të gjatë 10-vjeçare, një gur të çmuar dhe të munguar që e keni merituar plotësisht.”– tha Rama.

“Vitin tjetër Shqipëria pret udhëheqësit politikë evropianë”

Po ashtu kryeministri shqiptar tha se vitin e ardhshëm në Tiranë do të vijë udhëheqja e re politike e komunitetit evropian.

“Sot Shqipëria pret e përcjell miq, që nga miliona e miliona evropianët, që vijnë gjithnjë e më të shumtë për ta vizituar cdo vit. Shqipëria shikohet si Evropa e Ballkanit akoma të trazuar. Vitin e ardhshëm Shqipëria do të mikëpresë në Tiranë që të gjithë udhëheqësit e komunitetit të ri politik evropian, nga Mbretëria e Bashkuar në Ukrainë dhe Moldavi, nga Norvegjia në Turqi dhe nga Portugalia në Azerbajxhan.

Kush mund ta imagjinonte këtë Shqipëri sot në arenat evropiane që i ngjan të gjithëve ju në familjen evropiane. Por Shqipëria sot ju pret edhe ju, shqiptarëve të Italisë dhe botës. Shqipëria po behet shteti që aq shumë i ka munguar shqiptarëve të Shqipërisë.”– tha ai.

Gënjeshtra se 1 milionë shqiptarë paskan ikur

Në këtë fjalim para diasporës, kryeministri u ndal pak dhe tek lajmet mbi emigrimin masiv të shqiptarëve gjatë qeverisjes së tij. Ai tha se nuk është e vërtetë që janë larguar 1 milionë shqiptarë në 10 vjet, por pranoi që largime ka patur më shumë se sa kthime.

“Disa gojë nga ato që ju i njihni mirë thoshin që unë nuk duhet të vija këtu, sepse nën udhëheqjen time paskan ikur 1 milionë shqiptarë. Kjo është një gënjeshtër e madhe, e ligë dhe e turpshëm, njësoj si ajo e autobusëve të ardhur nga Tirana, e cila doli po nga ato gojë të pista duke i ofenduar shqiptarët e Greqisë që u shkrinë si lumi në det në atë përqafim kuqezi të Athinës për të treguar dashurinë dhe për të shprehur mallin.

E vërtetë është, kanë ikur në këto 10 vjet shumë shqiptarë, shumë më tepër sesa janë kthyer, por Shqipëria e katandisur në 1.5 mln banorë, Shqipëria e narkoshteti, Shqipëria ku nuk ka as punë e as shpresë është një Shqipëri që ekziston në humnerën e atyre gojëve që përndjek tokën e fëmijëve të Shqipërisë, qysh kur u shpall pavarësia në 1912. Që prej asaj dite më të liqtë e armiqve të vetë Shqipëria i pati nga radhët e parisë së vet.”- tha Rama.

“Kthehuni në Shqipëri me dijet dhe eksperiencën që morët”

Ai iu ka bërë thirrje sot emigrantëve në Itali që të kthehen në Atdhe për të bërë më shpejt Shqipërinë aty ku duhet të jetë.

“Kemi shumë punë për të bërë, por pikërisht sepse është e tillë ka edhe shumë mundësi për këdo që kthehet me dijet, eksperiencën, kursimet e veta e duke pas mësuar guximin do fitojë për veten e familjen më shumë se ata që ngurojnë, sepse shpirti ua do por presin që ta gjejnë gati. Ai që do të kthehet më shpejt do këtë më shumë paqe për shpirtin e ndarë në dysh. Koha e mirë e Shqipërisë ka ardhur. Vetëm ne mund ta bëjmë këtë kohë si ajo që do shënjohet në histori, koha e bashkimit përfundimtar me familjen europiane.”– tha ai.

Numër i lartë i emigrantëve që donin të ishin pjesë e takimit me Ramën iu doli jashtë parashikimeve organizatorëve, të cilët hapën dyert e pallatit të sportit, pavarësisht se stadiumi ka një kapacitet mbi 4 mijë persona të ulur.

Shumë këngëtarë të njohur ishin pjesë e organizimeve për hapjen e takimit, mes tyre përmendin Elhaida Dani, Alban Skënderaj, Noizy dhe Elvana Gjata të cilët performuan hitet e tyre dhe mbajtën edhe fjalime.

Leave a Reply

  • (not be published)