
Protestat në Shqipëri po frymëzojnë edhe të rinjtë në Kosovë, të cilët prej javësh kërkojnë drejtësi për 4 ish-komandantët e UÇK-së që u dënuan nga Gjykata Speciale e Hagës me 81 vite burgim në total. Sheshet janë mbushur plot, pankartat me mesazhe pikante nuk kanë munguar dhe as thirrjet për t’u dëgjuar nga Kuvendet përkatëse. Të revoltuar ndaj vendimeve që qeveritë apo parlamentet marrin në emër të popullit, të rinjtë këtej e andej kufirit nuk po ndalen, duke kërkuar me ngulm që zëri i tyre të dëgjohet dhe kërkesat e tyre të plotësohen.
Mënyra e të protestuarit në Shqipëri duket se është kthyer në trend edhe në Kosovë. Ashtusikurse, aktivistja Arvina Lleshi dhe protestues të tjerë iu kanë zënë “pritë” deputetëve e ministrave në Shqipëri, “trendi” ka gjetur zbatim edhe në Kosovë, ku këtë të diel një grup të rinjsh kanë ndalur në rrugë shefen e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetvendosje, Arbërie Nagavci, duke i kërkuar llogari përse nuk po e thërrasin seancën e Kuvendit për katër ish-komandantët e UÇK-së, që sipas tyre janë dënuar padrejtësisht.
“Kur ka me u thirrë seanca, kur po e çoni Kuvendin? Marre me pas që s’po e votoni”, iu drejtuan të rinjtë deputetes së LVV-së Nagavci.
E zënë në befasi, deputetja Nagavci iu drejtua të rinjve: Turp të keni ju për këto veprime! Megjithatë, ata nuk u ndalën duke kërkuar llogari ndaj saj, ndërsa e konsideruan zvarritjen e seancës, si lojë politike.
Ndryshe nga më parë, të rinjtë në Shqipëri dhe Kosovë kanë zgjedhur përballjen e drejtpërdrejtë me politikanët, duke kërkuar transparencë dhe llogaridhënie për vendimet që marrin edhe në emër të tyre.


