
Vrasja e një fëmije 14-vjeç nga një bashkëmoshatar i tij në Tiranë ka ngritur alarmin mbi sigurinë në shkolla javët e fundit, mbi të gjitha sepse incidente të ngjashme u përsëritën ditët në vazhdim. Diskutimet janë hapur në programe televizive dhe arenën politike. Si ta zgjidhim? Është faji i prindërve, i shoqërisë, i medias, apo i rrjeteve sociale? Kryeministri Edi Rama duket se ia faturoi fajin këtyre të fundit dhe doli me një propozim: Mbylljen e plotë ose të pjesshme të “TikTok”-ut. “Dilema jonë si qeveri është nëse duhet të provojmë dhe ne të ecim në drejtim të vendosjes së filtrave kur në fakt nga eksperiencat e deritanishme mësojmë se efektiviteti i tyre është shumë i ulët, ndërkohë që dhuna vetëm rritet apo të ndërmarrim një masë drastike për mbylljen e plotë të Tik Tok-ut edhe pse jo të snapchatit në Republikën e Shqipërisë. Këtë dilemë do ta hedhim për një diskutim të gjerë nga prindërit për të marrë një vendim sa më demokratik për këtë problem të madh dhe kompleks.”-tha Rama dy ditë pas ngjarjes së rëndë.
Por çfarë mendojnë shqiptarët? Në një pyetësor të Gogo.al, të publikuar në datën 19 Nëntor kur u pyetën sesi mund t’i edukojmë më mirë brezat, audienca jonë u përgjigj në pjesën më të madhe (54%) se janë të mendimit që familja duhet të fokusohet më shumë tek fëmijët. Alternativat e tjera të zgjedhura sipas mendimit të audiencës, në rend zbritës janë: Brezat e rinj të jenë më respektues ndaj autoritetit të mësuesit, Policia të sigurojë më mirë rendin, Media të ketë kujdes me modelet që promovon, Shkolla ta kryejë më cilësisht edukimin. Sigurisht ky pyetësor nuk tregon 100% opinionin e të gjithë shqiptarëve, por gjithsesi mbetet një tregues.
Si mund të edukojmë më mirë brezat?
Posted by Gogo.al on E martë, 19 nëntor 2024
Me një situatë të ngjashme u përball Mbretëria e Bashkuar në fillim të viteve 2000 dhe më pas në 2010-ën, kur përjetoi një rritje të ndjeshme të incidenteve me thika në shkolla dhe në zonat përreth tyre. Në vitin 2005, një raport i Kombeve të Bashkuara kishte arritur në përfundimin se Skocia ishte vendi më i dhunshëm në botën e zhvilluar. Në 2009-2010, statistikat treguan se dhuna me armë të ftohta ishte një ndër shkaqet kryesore të lëndimeve dhe konflikteve ndërmjet të rinjve, veçanërisht në qytete si Londra, Birmingham, dhe Manchester. Kështu që nisën një fushatë zgjidhjesh, që nga rritja e forcave të sigurisë në shkolla deri te edukimi i prindërve dhe i të rinjve. Një fushatë e cila pati sukses veçanërisht në Skoci, numri i të rinjve të dënuar për përdorimin e një arme ka rënë me 85% në dekadën e fundit (kliko këtu).
Por nëse fillimisht masat patën sukses, vite më vonë pati përsëri një fazë tjetër shqetësuese në lidhje me krimin tek të rinjtë. Viti 2017, sipas një artikulli të asaj kohe nga “The Guardian” u bë viti më i keq për vdekjet e të rinjve të shkaktuara me thikë. Por asnjë nga fëmijët dhe adoleshentët që ishin vrarë me thika në Britani, nuk ishte nga Skocia, atje ku situata kishte qenë më problematikja një dhjetëvjeçar me herët. Kjo bëri që Skocia të shihej si një shembull suksesi, pikërisht për shkak të famës së keqe që kishte patur më parë, prej problemeve me bandat dhe dhunën tek të rinjtë. Ndaj lind pyetja: Si e zgjidhi Skocia problemin e konflikteve me thika në shkolla?
Zgjidhja e Skocisë – Dhuna si një problem i shëndetit publik
Qeveria britanike në bashkëpunim me autoritetet lokale dhe policinë, ndërmori disa hapa të rëndësishëm një dekadë më parë për të reduktuar dhunën në shkolla, duke përfshirë kontrolle të rrepta në hyrjet e shkollave, ku u instaluan detektorë metalesh dhe u shtuan kontrollet rutinë në shkollat e prekura. Angazhimi i komunitetit: Prindërit, mësuesit dhe organizatat rinore u përfshinë në punë edukative dhe trajtime psikologjike për të parandaluar konfliktet. Si dhe një legjislacion më i rreptë. Skocia nisi dhe programin në vitin 2009 të quajtur “No Knives Better Lives” (Pa thika, jetë më të mira), një program që përfshinte edukimin e nxënësve mbi rreziqet e përdorimit të thikave dhe krijimin e një mjedisi të sigurt për të raportuar dhunën. Programi punon me partnerë në 32 zona të autoriteteve lokale në Skoci për të parandaluar dhunën me thikë, duke trajnuar qindra praktikues çdo vit dhe duke përdorur media sociale ose programe shkollore për të inkurajuar të rinjtë të flasin. Ata po ashtu japin dhe këshilla prindërimi. Mbi të gjitha inkurajohen të rinjtë të angazhohen në aktivitete edukuese, si përshembull duke realizuar shfaqje dhe filma që adresojnë pikërisht këtë problematikë.



Në Skoci arritën në përfundimin se programet më të suksesshme janë programet që: kanë një qasje që përfshin shumë agjenci, që punojnë me të rinjtë në mjedisin e tyre, trajnimi i prindërve dhe terapitë (lexo këtu). Dhe të njëjtën qasje po mundohen të mbajnë për të trajtuar dhe problematika të tjera.
Sipas analizës së “The Guardian”, e veçanta e Skocisë është që e trajtoi këtë si një problem të shëndetit publik, më shumë se sa thjesht si një problem policie. Motoja ishte e thjeshtë: “Dhuna është e parandalueshme, jo e pashmangshme”. Qasja skoceze ishte mjaft konvencionale në fillim. “Policia luajti një rol qendror në fillim”– shpjegon Christine Goodall, e cila së bashku me dy kirurgë të tjerë themeluan “Medics Against Violence” në 2008, një shoqatë bamirësie e mbështetur nga profesionistë të shëndetësisë, të cilët u vullnetarizuan në shkollat lokale, duke u folur të rinjve për rreziqet dhe pasojat e përfshirjes në dhunë, duke ofruar një perspektivë mjekësore mbi ndikimin e alkoolit dhe drogës në trurin e adoleshentëve dhe duke ofruar këshilla mbi si të ruajnë veten dhe bashkëmoshatarët e tyre. “Ata bënë një fushatë shumë të vështirë për të ndryshuar legjislacionin rreth krimit me thikë.”
Dënimi mesatar për mbajtjen e një thike në Skoci është trefishuar, nga katër muaj që ishte në periudhën 2005-06 në një mesatare prej 13 muajsh në periudhën 2014-15. Vendimi për të trajtuar krimin me thikë si një çështje të shëndetit publik dhe jo thjesht si një çështje policie duket se ka ndikuar. Statistikat zyrtare të qeverisë skoceze tregojnë se midis viteve 2008-09 dhe 2017-18, numri i krimeve të dhunshme të regjistruara nga policia në Skoci ka rënë me 43%, ndërsa krimet e regjistruara të përdorimit të një arme të ftohtë (ku nuk përdoret për të kryer një shkelje tjetër) kanë rënë me 60%. Ndërkohë numri i të rinjve, nën moshën 18 vjeç, të dënuar për përdorimin e një arme sulmuese ka rënë me 85%. Pra nga 456 në periudhën 2008-09 ka rënë në 68 të rinj të dënuar në periudhën 2017-18 (lexo këtu për më shumë).
A mund të aplikohet kjo qasje dhe në Shqipëri? Pse jo? Ndoshta Shqipëria mund të mos ketë fondet e Skocisë, ama diçka më shumë mund të bëhet, duke u frymëzuar nga kjo qasje, e trajtimit të problemit.




