Ethet elektorale sa vijnë e shtohen, me vetëm pak muaj që na ndajnë nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ish-kryeministri Sali Berisha, i cili akutalisht ndodhet në arrest shtëpie, ka publikuar listën e deputetëve, të cilët do të udhëheqin listat për deputet.

Berisha i shtrënguar të mos dalë nga banesa, ia ka lënë punët në dorë Flamur Nokës dhe Edi Palokës. Kështu të mërkurën e datës 5 Shtator, Kryesia e Partisë Demokratike mbajti një mbledhje në të cilën u bënë me dije disa ndryshime. Fushata e ardhshme zgjedhore do të drejtohet nga Flamur Noka dhe Edi Paloka, ndërsa u caktuan dhe drejtuesit politikë në qarqe.

Ajo që bie në sy është se mbështetës të hershëm të Partisë Demokratike u lanë jashtë, mes të cilëve përmendim Jozefina Topallin, Edmond Spahon, Luan Baçin, Isuf Çelën si dhe Tomorr Alizotin. Po ashtu në listën e re, Partia Demokratike përfaqësohet vetëm nga 12 drejtues politikë, të gjithë burra, duke lënë jashtë kësaj here drejtueset gra të partisë. 

Ndryshimet në zgjedhjet e ardhshme

Flamur Noka dhe Edi Paloka u emëruan në krye të fushatës në nivel kombëtar, ndërsa për qarkun e Tiranës, drejtues politik u vendos Belind Këlliçi edhe pse vitin e kaluar ai i humbi zgjedhjet për kryetar bashkie. Për qarkun e Elbasanit është vendosur Ervin Salianji, i cili më parë drejtoi si fitues zgjedhjet për bashkinë e Kavajës. Ai zë vendin e Gazment Bardhit, të cilit ju caktua të drejtojë fushatën elektorale në Fier. Përsa i përket zonës së veriut në qarkun e Lezhës është vendosur Agron Gjekmarkaj, zonë të cilët demokratët e fituan, Luçiano Boçi do të drejtojë qarkun e Shkodrës, qarku i Kukësit do të drejtohet nga Flamur Hoxha dhe Xhelal Mziu do të jetë përfaqësuesi për Dibrën.

Qarku i Beratit do të drejtohet nga Eno Bozdo, ndërsa i papritur ishte vendimi për Ivi Kason në qarkun e Korçës. Ndryshime nuk pati për qarkun e Gjirokastrës, ku fushata do të drejtohet nga Tritan Shehu, ashtu sikurse dhe për qarkun e Vlorës që do përfaqësohet nga Bujar Leskaj. Pasi u bënë me dije listat, Berisha lajmëroi se do të vijohet përsëri me protesta deri në realizimin e kushtit kryesor, i cili është krijimi i një qeverie teknike.

Gjithashtu ai shtoi se: “Dhe meqë jam këtu, unë ju lutem shumë të sqaroni çdo anëtare dhe anëtar tonin dhe çdo qytetar dhe qytetare, se ajo që votuat në parlament nuk ka asnjë lidhje me problematikat e mëdha të zgjedhjeve, të cilat kanë rrënuar barazinë e zgjedhjeve, karakterin e tyre, kanë siguruar kontrollin e vullnetit të qytetarëve nga qeveria. Jo vetëm që reforma zgjedhore nuk u pranua nga Edi Rama, por siç theksova më sipër, asnjë nga krimet monstruoze elektorale nuk ndëshkua nga drejtësia e tij. Ç’ka do të thotë se në zgjedhjet e vitit 2025, do të bëhet e vërtetë fjala e tij se, nuk keni parë gjë akoma. Se do të përdorë mekanizma të tjerë për të grabitur votën që ne akoma nuk kemi parë.
Se i tillë është oreksi i tij për pushtet, e bën që të heqë dorë nga çdo lloj parimi.
“- tha Berisha.

Si u pritën këto ndryshime?

Gazment Bardhi ishte një nga deputetët që komentoi publikisht në lidhje me listën e deputetëve. Ai theksoi se Berisha e nxori në kohë listën dhe e mbajti premtimin se do të dilnin në kohë për të përmbushur të gjitha përgjegjësitë që lidhen me organizimin elektoral.

“Ajo që duhet të vlerësohet dhe shpresoj që ta vlerësoni që ndodh për herë të parë në PD është që lista e drejtuesve politikë të qarqeve dhe organizimi elektoral i partisë nis 8-9 muaj përpara datës së zgjedhjeve, dhe kam bindjen që i gjithë ekipi i PD-së, jo vetëm 12 drejtuesit e qarqeve, do të jetë një ekip i shkëlqyer që do të plotësojnë njëri-tjetrin.”- tha ai gjatë intervistës për Syri Tv.

Ai gjithashtu foli dhe për faktin se Partia Demokratike nuk do të përfaqësohet nga asnjë zonjë në listën e drejtuesve. “Zonjat në PD nuk i kemi si fasadë për të mbuluar ato që realisht bëjnë fushatën. Ne e dimë se përse zonja Spiropali që ju e quajtët të suksesshme në Shkodër, pasi vetëm si imazh televiziv dhe si emër i shpallur ishte zonja Spiropali, pasi  drejtues politik në Shkodër ishin Bajrët dhe Pëllumb Gjoka. Dhe e vërteta është se PD nuk ka nevojë të përdori zonjat dhe më pas të bëjë aleancë me krimin e organizuar për t’i besuar krimit të organizuar fushatën.”- tha Bardhi.

Ndërsa u përfol se deputeti Luan Baçi kishte pakënaqësi për vendimin e drejtimit të Bardhit për qarkun e Fierit, ai i ka mohuar këto lajme duke u shprehur se përkundrazi ndjen kënaqësi.
“Jo pakënaqësi që nuk kam, por ndjej kënaqësi që në ekipin drejtues të qarkut të vijë nënkryetari. Nuk më sposton askush, jam deputet i Fierit, nuk ka spostime. Ka ndryshime që bëhen herëpashere. Ka rreth 2 muaj që përflitet në media, kush do jenë drejtues politikë, nuk është korrekte që marrin në telefon dhe thonë nga burime të sigurta pranë PD do jenë këta drejtues. Nuk thonë se nga kush. Përsëri kanë dështuar në atë ç’kanë thonë.”
– tha Baçi gjatë intervistës për Report TV.

Tani na mbetet të shikojmë sesi do të funksionojë kjo zgjedhje e Berishës gjatë fushatës elektorale dhe presim nëse do ketë një strategji të radhës.

LËR NJË KOMENT

Navanethem "Navi" Pillay, një juriste nga Afrika e Jugut dhe ish-komisionere e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, fitoi Çmimin Nobel për Paqen 2026, "për përpjekjet e saj...
/ Oct 9
Nga Irena Beqiraj “Vetëm fanatikët e rrezikshëm refuzojnë të bëjnë kompromis" - ky do të ishte një justifikim i mirë për argumentin e Braçes i cili votoi pro një reforme...
/ Oct 12
A mendon se Korreshi po investon në partinë e duhur? Kur do ta tejkalojnë Berishën? A gjendet emri i një eksponenti të lartë të PD-së në dosjen e Ballukut? Çfarë...
/ Oct 6
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Greqi, Kimberly Guilfoyle, është vënë sërish në qendër të vëmendjes pas një investigimi të "The Wall Street Journal", sipas të cilit ajo është mburrur...
/ Oct 11