
Gara mes Donald Trumpit dhe Kamala Harrisit për Shtëpinë e Bardhë po arrin kulmin e ndërkohë Inteligjenca Artificiale duket se po merr një rol të rëndësishëm, pasi po luan me vëmendjen e amerikanëve, Në pjesën më të madhe po përdoret thjesht për argëtim, por është bërë aq e vështirë për t’u kuptuar ndryshimi mes fotove e videove reale dhe atyre të Inteligjencës Artificiale, saqë po bëhet burim për “fake news”.
Në fakt mashtrimi ka qenë prej kohësh pjesë e politikës, por rritja e mjeteve të inteligjencës artificiale që lejojnë njerëzit të gjenerojnë me shpejtësi imazhe ose video të rreme të emërtuara si “deepfakes”, mund të bëjnë të duket sikur dikush po bën apo po thotë diçka që nuk po e bën në të vërtetë. Dhe këtë ekspertët po e shohin si diçka tejet të rrezikshme për zgjedhjet.
Si po përdoret Inteligjenca Artificale në fushatën zgjedhore të SHBA-së?
Në zgjedhjet e këtij viti në SHBA, vihet re një rritje e përdorimit të Inteligjencës Artificiale, pasi kemi parë shpesh herë video të çuditshme të politikanëve, por sidomos të atyre dy më kryesorëve: Trumpit dhe Harrisit. Dy kundërshtarët i kemi parë duke kërcyer, duke u përqafuar e madje dhe duke u puthur njëri me tjetrin. Sigurisht këto ishin të lehta për t’u kuptuar nga publiku që ishin të rreme, askush nuk do ta besonte që Harrisi dhe Trumpi do shkëmbenin një puthje aq pasionante njëri me tjetrin, kur ende s’i kemi parë ta bëjnë këtë gjë publikisht me partnerët e tyre.
Por ka momente të tjera që këto video të rreme kanë prodhuar dhe artikuj të rremë dhe madje në disa momente vetë politikanët kanë rënë pre e tyre. Një rast i tillë është ai i fotove që qarkulluan të këngëtares me famë ndërkombëtare Taylor Swift, të cilat sugjeronin se ajo mbështet kandidatin republikan për president, Donald Trumpin. “Taylor dëshiron që ju të votoni për Donald Trumpin.”- thoshtë imazhi në bluzat e veshura nga fanset e këngëtares. Pamjet ishin aq të besueshme saqë vetë Trumpi i besoi dhe i postoi në rrjetin e tij social Truth Social.

Në rrjetin social X, të tjera imazhe tregojnë këngëtaren Swift duke përqafuar Trumpin, duke i mbajtur dorën ose duke kënduar një duet me të ndërsa republikani i bie kitarës. Përdoruesit e mediave sociale kanë përdorur gjithashtu metoda të tjera për të pohuar në mënyrë të rreme që Swift mbështet Trumpin. Këto duken disi të pabesueshme, por ka të tjera të cilat duken shumë reale. E tillë është një video e këngëtares duke mbajtur një banderolë pro Trumpit në tapetin e kuq.
“Trumpi fitoi. Demokratët mashtruan”-lexon banderola që nuk ekziston dhe nuk ka ekzistuar kurrë, pasi Swift prej vitesh është një prej artistëve që është shprehur publikisht kundër Trumpit. Megjithatë për Taylor Swiftin kjo nuk është hera e parë që bëhet target i “deepfakes”.
Përveç këngëtares, mund të përmendim edhe fotot e e shpërndara nga fushata e Ron DeSantis që tregonte Donald Trumpin duke përqafuar doktorin amerikan, anëtarin kryesor të grupit të punës për koronavirusin, Anthony Fauci. Këto foto më pas u verifikuan se ishin të rreme dhe vetëm një produkt tjetër i inteligjencës artificiale.

Çfarë thonë ekspertët?
Eksperti Hansy Farid, i cili analizoi imazhet e Swift-it që Trumpi shpërndau në rrjetet sociale, tha se ato duken të jenë një përzierje e imazheve reale dhe të rreme, një mënyrë “djallëzore” sipas tij për t’i bërë të duken sa më reale.
Ndërsa gara mes Trumpit dhe Harrisit intensifikohet, ekspertët e dezinformimit po japin alarmin për rreziqet e Inteligjencës artifriciale.
“Jam i shqetësuar ndërsa i afrohemi zgjedhjeve, kjo do të shpërthejë. Do të bëhet shumë më keq se tani.”- tha Emilio Ferrara, një profesor i shkencave kompjuterike sipas Los AngelesTimes. Ndërsa Hany Farid, profesor i dezinformimit shtoi se: “Ne kemi shumë probleme të së kaluarës, të gjitha mitet dhe mosmarrëveshjet me të cilat po merremi për 10 vjet, ndërsa tani po tejmbushemi nga inteligjenca artificiale dhe jemi vërtet shumë partiakë”.
Pjesë e kritikave për dezinformimin nëpërmjet Inteligjencës Artificiale po përmenden dhe kompanitë e teknologjive. Duncan Crabtree, drejtori ekzekutiv kombëtar i Sindikatës së Aktorëve të Ekranit dhe Federatës Amerikane të Artistëve të Televizionit dhe Radios, e shikon problemin tek kompanitë e mediave sociale, të cilat sipas tij nuk po bëjnë sa duhet për të adresuar problemin.
“Dezinformimi dhe gënjeshtrat e përhapura nga deepfakes nuk mund të rikthehen kurrë. Veçanërisht me zgjedhjet që në shumë raste kanë diferenca të ngushta, këto gënjeshtra mund të kenë pasoja shkatërruese në botën reale.”- tha Duncan Crabtree. Ndërsa fushata bëhet më agresive, edhe videot e fotot e Inteligjencës Artificiale po bëhen të tilla dhe kushedi çfarë do shohim tjetër deri në nëntor.


