
Qeveria socialiste e dalë nga zgjedhjet e 11 majit, është miratuar pa debat në kuvend. Mazhoranca nuk priti të mbaronte protesta e demokratëve të cilët nuk u pajtuan me shfaqen e ministres virtuale Diella me një mesazh në ekranet e kuvendit. Ndryshe nga ajo që parashikon rregullorja ku çdo deputet ka të drejtë të flasë për 10 minuta, e gjithë seanca ka zgjatur vetëm 25 minuta dhe qeveria “Rama 4” ka marrë “bekimin” e kuvendit vetëm me kartonat jeshilë të socialistëve. Skenari ishte i paralajmëruar nga vetë Rama i cili tha se mazhoranca e re nuk do ishte e duruar me protestat e deputetëve brenda sallës dhe si pasojë seancat plenare do ktheheshin në një procedurë votimi.
Deputetët e opozitës protestuan nga ulëset e tyre për daljen e Diellës. Kreu i kuvendit Niko Peleshi duke iu bindur Ramës, pasi u tërhoqi vëmendjen të djathtëve, vendosi të kalojë direkt në votim programin e qeverisë dhe emrat e ministrave me plot 82 vota pro, të mjaftueshme për të eleminuar debatin. Kreu i opozitës ka reaguar duke dalë nga salla, ndërsa qëndrimin e Ramës, Berisha e ka quajtur një akt tipik të Kim Yong Un-it dhe poshtërim për parlamentin.

Pa opozitën, kuvendi miraton kryesitë e komisioneve parlamentare
Pas 2 mbledhjeve të njëpasnjëshme, më 16 shtator kuvendi miratoi pa votat e opozitës kryesitë e komisioneve parlamentare me 77 vota pro dhe 1 kundër. Kjo nënkuptoi vetëm miratimin e kryetarëve të PS-së që drejtojnë komisionet parlamentare, dhe nënkryetarët e PS-së, pasi Partia Demokratike hezitoi.

Ligji “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”
Agjencia Kombëtare e Ekonomisë së Mbetjeve, (AKEM) sipas ligjit kthehet në shoqëri aksionere e cila merr përgjegjësinë për menaxhimin e gjithë procesit të menaxhimit të mbetjeve, ndërsa bashkitë bëhen kliente të kësaj shoqërie për të siguruar trajtimin e mbetjeve dhe depozitimin e tyre. Ligji krijon një situatë të paqartë për inceneratorët duke lënë në hije edhe vetë procesin e përpunimit të mbetjeve. Qeveria në këtë rast i jep prioritet fazës së ndarjes në burim, ripërdorim, riciklim dhe kompostim.
Ligji vë në qendër të vëmendjes fajtorin e ndotësin i cili paguan gjithë dëmin, por edhe këtu nuk ka patur transparencë nga mazhoranca, por parashikohet që metodologjia e kostove operacionale, shërbimet, pastrami dhe transporti duhet të caktohen nga Këshilli i Ministrave. Në një raport paraprak, që sipas ministrit Jaupaj është bërë duke u bazuar te praktikat e BE-së, kostoja e investimit arrin deri në 683 milion euro brenda 10 vitesh. Pritet që pagesa të sigurohet nga taksa e pastrimit që del nga xhepat e qytetarëve.

Miratohet në mesnatë pa debat konstruktiv buxheti për 2026-ën
Buxheti i vitit 2026 kaloi pa patur mundësinë të analizohej nga deputetët në kuvend. Ai ngjalli vetëm replika që sollën zgjatjen e seancës deri në mesnatë. Pas votimit nga shumica, plani financiar arrin në 8.5 miliardë euro ku shpenzimet rriten afërsisht me 550 milionë euro dhe përparësi kanë shëndetësia dhe mbrojtja sociale, infrastruktura dhe energjia, arsimi dhe ushtria, duke lënë pasdore bujqësinë.
Pas anashkalimit të procedurës së debatit në mënyrë të përsëritur ka patur edhe një reagim nga zyra e BE-së në Tiranë. Përmes një komunikate shkruhet se është për të ardhur keq që publiku shqiptar u privua nga mundësia për t’u informuar siç duhet dhe plotësisht rreth programit të qeverisë. “Debati mbi programin e qeverisë së re për katër vitet e ardhshme do të kishte ofruar një mundësi të rëndësishme për të diskutuar pikëpamje dhe qasje të ndryshme ndaj objektivit të anëtarësimit, i cili mbetet një ambicie ndërpartiake. Është për të ardhur keq që publiku shqiptar u privua nga mundësia për t’u informuar siç duhet dhe plotësisht rreth programit të qeverisë dhe për të dëgjuar përfaqësuesit e saj të zgjedhur të diskutojnë përmbajtjen e tij, në përputhje me dispozitat e ligjit.”-vëren BE-ja.
Nëse shmangia e debatit është edhe “moda” e re e parlamentarizmit, ku ligjet kalojnë formalisht vetëm me aprovimin e kartonat e shumicës socialiste, atëherë për çfarë na duhet kuvendi?


