
Vetëm pak ditë më parë, Fredi Beleri u zyrtarizua si kandidat për eurodeputet i partisë greke “Demokracia e re” të drejtuar nga kryeministri i shtetit fqinj grek Kyriakos Mitsotakis. Kjo ndërkohë që vetë Beleri ndodhet në paraburgimin e Fierit, e për këtë arsye në Athinë u desh të përfaqësohej nga vëllai i tij, Leonardo.
Çështja e arrestimit të Belerit ka qenë një çështje e nxehtë në marrëdhëniet shqiptaro-greke, me Greqinë, e cila ka kërcënuar se do të bllokojë bisedimet e anëtarësimit të Shqipërisë në BE nëse nuk respekton të drejtat e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës.
Që nga arrestimi i tij vitin e kaluar, ai është mbajtur në paraburgim dhe është penguar të marrë detyrën e kryebashkiakut, të cilën e ka kryer Jorgo Goro, i cili gjithashtu u arrestua më vonë (Mars të këtij viti) por ky tjetri për tjetërsim pronash.
Nëse Fredi Beleri fiton mandatin si eurodeputet, ai heq përfundimisht dorë nga betimi për kryetar në Himarë pasi ligji ynë ndalon që një kryetar bashkie të jetë deputet.
Momentalisht Beleri rezulton i dënuar me dy vjet burg, por avokatët e tij kanë vendosur ta apelojnë vendimin dhe ende po pritet shqyrtimi i dosjes nga Apeli i GJKKO-së për një vendim të formës së prerë.
Dënimi për blerje votash në Himarë
Në zgjedhjet e 14 Majit, Fredi Beleri ishte kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë” përballë Jorgo Goro në Himarë i cili garonte për mandatin e tij të katërt. E vetëm dy ditë përpara votimit ai u arrestua.
Beleri së bashku me bashkëpunëtorin e tij Pandeli Kokoveshi u arrestuan me urdhër të Prokurorisë së Vlorës në orët e para të mëngjesit të 12 majit 2023, pas akuzave për blerje votash.
Ai akuzohet se ka ofruar nga 50 Euro për tetë vota dhe se i kishte dhënë paratë nëpërmjet Kokaveshit. Megjithëse i arrestuar, Beleri u shpall fitues i zgjedhjeve të 14 majit. Megjithëse nën arrest, Beleri fitoi zgjedhjet por nuk mundi dot ta ushtronte detyrën e kryebashkiakut, të cilën vijonte ta mbante kundërshtari i tij Jorgo Goro.
Më 5 Mars të këtij viti, Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi ta shpallë fajtor për korrupsion aktiv në zgjedhje dhe e dënoi atë me 2 vjet burg. Kokaveshi nga ana tjetër u dënua me 1 vit e 6 muaj burg, masë që u pezullua dhe u vendos në shërbim prove për tre vjet.

Edhe Jorgo Goro përfundoi në paraburgim
Jorgo Goro u arrestua të shtunën e 23 marsit 2024 me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, pas dyshimeve se ka shpërdoruar detyrën në dy raste, duke tjetërsuar dy prona në Dhërmi, me një siperfaqe në total prej 10592 m2, ku përfitues fundor i truallit ka qenë biznesmeni Artan Gaçi, ish deputet i PS-së.
Hetimet ndaj Goros nisën pikërisht pas një kallëzimi të bërë në muajin gusht nga kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës Fredi Beleri. Sipas kallëzimit, Goro ka përcjellë për regjistrim në ish ZVRPP (Zyra vendore e rregjistrimit të pronave të patundshme) Vlorë një AMTP (Akt të marrjes së tokës në pronësi) në emër të një banori të Himarës (Pavli Mëhilli) përmes procedurave dhe dokumentave të falsifikuar.

Nga burgu, Beleri kandidat për eurodeputet
Çështja e arrestimit të Belerit ka qenë një çështje e nxehtë në marrëdhëniet shqiptaro-greke, me Greqinë, e cila ka kërcënuar se do të bllokojë bisedimet e anëtarësimit të Shqipërisë në BE nëse nuk respekton të drejtat e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës.
Që nga arrestimi, ai është mbajtur në paraburgim dhe është penguar të marrë detyrën e kryebashkiakut. Për këtë arsye, kandidati që ai mundi nga Partia Socialiste, e ka bërë detyrën në vend të tij.
Fredi Beleri u zyrtarizua si kandidat për eurodeputet i Partisë “Demokracia e re” të kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis vetëm pak ditë më parë.
Duke qenë se vetë Beleri ndodhet në paraburgimin e Fierit, ai u përfaqësua nga vëllai i tij, Leonardo, në shpalljen e votimit në qendër të Athinës. Vetë Beleri reagoi përmes një postimi në Facebook për emërimin e tij kandidat për eurodeputet.
“Beteja që po bëj nuk është personale. Është një betejë për shtetin ligjor dhe demokracinë. Është një betejë për vlerat e përqafuara nga Perëndimi dhe Evropa dhe që duhet të respektohen nga ata që duan t’i bashkohen familjes së madhe evropiane.”– reagoi ai në një postim ku falenderonte Mitsotakis për besimin.
Të tjerë kandidatë të Demokracisë së Re, janë Giorgos Aftias dhe Eleonora Meleti si dhe ish-kampioni olimpik i peshëngritjes Pyrros Dimas.
Lidhja e Belerit me “Masakrën e Peshkëpisë”
Pas shpalljes së Belerit si kandidat për eurodeputet, disa medie greke kanë sjellë ndërmend të shkuarën e tij.
Në një shkrim të gazetës “Ta Nea” përmendet masakra e Peshkëpisë dhe arrestimi i Fredi Belerit së bashku me 6 persona të tjerë, dhe gjetja e armëve në makinë, pas vrasjes së dy ushtarëve shqiptarë.
“Cila është kjo e kaluar ‘e errët’, të cilën pakkush e kujton dhe aq më pak e lidh me kandidatin aktual për eurodeputet të ND?
Fredi Beleri ishte një nga shtatë personat e arrestuar më 19 mars 1995 nga rojet kufitare greke pranë Delvinakut në Janinë, disa qindra metra larg kufirit greko-shqiptar.
Në bagazhet e dy makinave të tyre ata mbanin nëntë kallashnikovë, dy pistoleta, bajoneta, radio, uniforma kamuflazhi dhe kapuç.
Ky rast kishte marrë përmasa të mëdha në shtypin e kohës. Gjithsesi, arrestimi i shtatë personave, mes të cilëve edhe Fredi Beleri, u dha alarmin autoriteteve greke, pasi një vit më parë persona të panjohur kishin hyrë nga Greqia në Shqipëri dhe kishin vrarë dy ushtarë shqiptarë.”– shkruan Gazeta.Po ashtu theksohet se Fredi Beleri është mbështetur nga Agimi i Artë.
Si e shohin analistët e Shqipërisë lëvizjen e Greqisë
Gazetari Edmond Guri beson se kandidimi i Belerit është një lëvizje politike nga ana e Mitsotakis, partia e të cilit është përballur me një ulje të mbështetjes nga opinioni publik.
“Beleri me kombësi greke ka të drejtë të kandidojë. Është një vendim politik për të përforcuar më tepër ‘Demokracia e Re’, që kohët e fundit njihja në opinion ka ardhur në ulje për shkak të skandaleve dhe problemeve të mëdha. Disa parti të djathta e kanë propozuar që Beleri të jetë në listat e tyre për eurodeputet dhe ndoshta Mitsotakise ka pranuar.”– tha Guri për Report Tv.
Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido bëri një krahasim mes dy kryebashkiakëve të arrestuar, Goros dhe Belerit. Gjatë një interviste në Top News me Fiori Dardhëm, Bido tha se ka një ndryshim të madh mes tyre.
“Zoti Goro nuk ka shtetësi greke, i është hequr pasi nuk i shërbeu nacionalizmit grek. Ai ka identifikim shqiptar dhe e ka deklaruar para disa vitesh. Por këto kohë kanë dalë shumë politikanë që thonë se ka vetë-identifikim grek dhe këtë absurditet se kuptoj, sepse askush nuk i cakton dot tjetrit se çfarë vetë-identifikimi ka. E dyta, ka plot politikanë dhe deputetë në këtë vend që kanë etni greke, por janë shqiptarë. E treta, ka shumë politikanë që kanë shtetësi të huaj, dhe janë shqiptarë. Fredi Beleri është tjetër gjë, ai është akuzuar nga shteti grek si vrasës i Fatmir Shehut dhe Arsen Gjinit. Është përdorur dhe ka përdorur neonazizmin grek, për të avancuar interesa të neonazizmit dhe nacionalizmit politik në Shqipëri. Edhe në fushatën e fundit ka pasur struktura shtetërore të shtetit grek. Sepse pasaportat të cilat u dënua, nuk i jep një kompani private, i jep shteti grek. Bursat që jepte në shtetin grek, aksesin në spitalin e Janinës, janë aksese të shtetit grek. Ardhja e më shumë se dyfish e emigrantëve për të votuar, duket që nuk është bërë nga ai, por nga qarqe nacionaliste antishqiptare.”- tha Bido.
Po ashtu ai shtoi se Beleri ishte në dijeni për arrestimin e tij një ditë para se të binte në pranga, një informacion që e konsideron interesant pasi mund të kemi të bëjmë me një skenar ku Beleri e ka inskenuar vetë arrestimin e tij.
“Dje unë mora vesh një lajm shumë interesant. Nga shtabi i zotit Beleri u deklarua se z. Beleri një ditë para se të arrestohej e dinte që do të arrestohej dhe kjo është shumë interesante sepse i bie që z. Beleri ka inskenuar arrestimin e tij. E dinte një ditë para që do arrestohej dhe në nesërmen Pandeli Kokaveshi ka dhënë lekët për blerjet votash. Mund të kemi një skenar shumë të çuditshëm pse ai i arrestua, pse e shtyu 1 vit e ca dënimin e tij sepse nuk pranoi gjykim të shkurtuar, dhe mund të kemi një skenar shumë interesant. Sepse edhe pse e dinte që ishte në përgjim vajti dhe pagoi lekët Pandeli Kokaveshi ndaj të infiltruarit të policisë. Është një lajm i veçantë që ne duhet ta shqyrtojmë ndryshe tashmë.”- tha Bido.
Ndërkohë analisti Andi Bushati thotë se uron që Beleri të zgjidhet eurodeputet për të vendosur në dilemë edhe drejtësinë shqiptare.
“Uroj që Beleri të zgjidhet eurodeputet. Ti vërë në dilemë këtë langaraqët e drejtësisë. Ka një çështje, kush është personazhi Beleri dhe tjetër gjë çështja e SPAK dhe GJKKO, a bënë proces me prova apo të fabrikuar? Uroj të zgjidhet, do jetë e bukur. Disa nga grekët e shohin si nacionalist. Të majtët nuk ndajnë të njëjtët pikëpamje me Belerin, por asnjeri me mend në kokë, as në Greqi dhe askund, nuk mund të jenë që kundërshtari politik të dënohet pa prova.”– tha Bushati në programin “Të Paekspozuarit” të Ylli Rakipit.



