

Të shtunën e 13 Korrikut, ish-presidenti Donald Trump u përball me një atentat gjatë një mitingu në Pensilvani.
Ky lajm tronditi jo vetëm SHBA-të, por pati një bujë të madhe në të gjithë botën, e njëjta gjë dhe në vendin tonë.
Ajo që vëmë re gjatë këtyre ditëve është se si opozita apo mbështetës të ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili është në arrest shtëpie, po e përdorin këtë ngjarje për të lartësuar dhe mitizuar figurën e tij.
Edhe Berisha e ka krahasuar veten me atentatin që iu bë Trumpit.
Në një deklaratë nga ballkoni i shtëpisë, ai u shpreh se e ndjen më shumë se të tjerët atentatin ndaj ish-presidentit dhe kandidatit për president të SHBA-ve, Donald Trumpit.
Ai gjithashtu përmendi incidentin që i ndodhi rreth një vit më parë, gjatë një proteste të mbajtur nga opozita, ku një person e goditi me grusht në sy duke i shkaktuar dhe një hematomë (lexo këtu për incidentin).
“Si një politikan i cili pak kohë më parë provoi një atentat, jo me plumba por me hekura të organizuar nga Edi Rama, Taulant Balla, Ardi Veliu, me agjentin e policisë kriminale ‘leva’ vetëm e vetëm se Edi Rama donte të kremtonte samitin e lidervë europian në Tiranë, duke i mbyllur gojën opozitës së mallkuar, liderit të saj.”– ka deklaruar Berisha.
Ai ka shtuar se për shkak të asaj ngjarjeje që i ka ndodhur vetë në protestë: “Pra e ndjej pak më shumë se të tjerët, aktin e urryer terrorist që u ndërmor mbrëmë për vrasjen e presidentit Donald Trump në aktivitetin elektoral në Pensilvani”.
Nga përfaqësues, anëtarë të PD-së apo thjesht mbështetës të Berishës ka pasur një sërë postimesh në rrjetet sociale në të cilat krahasohet Trumpi si ish-president të cilit i bëhet një atentat dhe Berisha, ish-kryeministër i cili po hetohet për korrupsion dhe është lënë në arrest shtëpie. Të dy në kërkim të rikthimit në pushtët.
Një ndër ta është dhe nën-kryetari PD-së Luçiano Boçi, i cili në një postim ka komentuar se atentatorët ndaj Berishës dhe Trumpit janë të njëjtë, duke u krahasuar me njëri-tjetrin. Ai i referohet ndëshkimit të Berishës juridikisht, por edhe incidentit të lartpërmendur ku u godit me grusht në fytyrë në një protestë.
“Ata vepruan për të eleminuar e vrarë Berishën brenda partisë, por dështuan me sukses. E gjitha e ndërkallur dhe e brenda një kori bretkosash me spin-doktorët e mediave të blera që përdoren si atentatorë me pagesë duke shëtitur emision më emision.
Nuk nguruan dhe me një ‘Crooks’, për ta goditur fizikisht dhe vrarë si rastësisht Berishën. Zoti atë ditë ishte afër tij.”-shkruan Boçi.
Ai vazhdon duke thënë se kryeministri Edi Rama ka tentuar “ta vrasë” Berishën edhe në zgjedhje, madje edhe duke u përpjekur ta eliminojë si kryetar të PD-së.

Agron Gjekmarkaj është një tjetër personazh që i ka krahasuar Trumpin dhe Berishën me njëri-tjetrin.
Ai përmend faktin se pas sulmit, Trumpi mori telefonata solidarizuese nga politikanë të ndryshëm, duke përmendur kështu Joe Bidenin, Barak Obamën, Kamala Harrisin. Ndërsa Berishën askush nuk e telefonoi kur u grushtua në protestë.
“Muaj më parë në një manifestim paqësor të PD-së një qytetar goditi me grusht Sali Berishën, ish-President, ish-Kryeministër dhe Kryetar i Opozitës. Disa morën anën e agresorit dhe jo të viktimes. Nuk e di nëse e telefonoi njeri Sali Berishën?!”– shkruan ai.

Gjithashtu dhe Alfred Lela, i cili është drejtor i Komunikimit të PD-së ka reaguar duke thënë se të dyja rastet janë të ngjashme.
“Nuk mund të kalohet ‘rasti Trump’ pa u krahasuar me ‘rastin Berisha’. Ngjashmëritë janë të gjitha aty: Persekutimi i Berishës me gjykata në vitin e fundit, atentati fizik ndaj tij nga një person që, ashtu si Crook, u cilësua ‘ujk i vemtuar’, ‘me probleme mendore’etj.”– ka shkruar ai në postimin e tij në Facebook.

Aktivisti Klajdi Bello e ka komentuar këtë rast duke ndarë një foto montazh të Berishës dhe Trumpit dhe duke e shoqëruar me diçiturën: “Liderët e dënuar për mos t’u dorëzuar!”
Ai thotë se të dy këta lidera janë persekutuar në forma dhe mënyra të ndryshme që ata të tërhiqen nga rruga e tyre, për t’i sjellë demokracinë e munguar vendeve respektive ku ata jetojnë. Po ashtu, Bello shton se të dy “u detyruan të kalojnë nëpër kalvaret e stërzgjatura gjyqësore, me regji politike, në mënyrë që t’i dënonin dhe mos t’i lejonin më në skenën politike”.
Listës i shtohet edhe deputeti Edi Paloka, i cili është shprehur se këto dy raste ngjajnë si dy pika uji me njëra-tjetrën.
“A nuk është e njëjta gjë që po ndodh dhe me Berishën në Shqipëri? ‘Dy realitete që ngjajnë si dy pika uji me njëra-tjetrën e që duket se të dyja kanë duart e fëlliqura të Sorosit që ju lëvizin fijet.’”– thotë ai.

Sigurisht rrjeti mund të mbartë akoma më shumë reagime të ngjashme, por këto janë vetëm një përfaqësim i tyre.
A është Berisha një Donald Trump? Këtë mund ta besojnë shumë mbështetës të tij, por diferencat mes këtyre dy ngjarjeve janë shumë të thella.
Së pari sepse ngjarja ka ndodhur në një nga shtet më të fuqishme të botës për të mos thënë më kryesori dhe së dyti kemi të bëjmë me një atentat të mirëorganizuar, për më tepër me snajper. Ndërsa arma e përdorur në sulmin ndaj Berishës ishte grushti i një qytetari.


