
Ndërsa çdo ditë e më shumë i afrohemi zgjedhjeve të 11 majit, janë publikuar sërish sondazhe të reja. Ndonëse sondazhet kanë nisur prej disa javësh, disa ditë më parë u publikuan dhe dy sondazhet e fundit me rezultate të cilat ndryshonin nga ato të parat.
Në emisionin “Top Story” në Top Channel u prezantua sondazhi i dytë i realizuar nga kompania amerikane “McLaughlin & Associates”, e cila bashkëpunoi për herë të parë me një media shqiptare. Sondazhi u zhvillua gjatë 15 ditëve të fundit të muajit prill dhe përfshiu të gjithë territorin e Shqipërisë. Përveç pyetjeve të zakonshme, qytetarët u pyetën edhe për bindjet e tyre politike, nëse ndihen më pranë të majtës, të djathtës apo qendrës. Krahasuar me sondazhin e muajit shkurt, është vënë re një rënie në përqindjen e atyre që identifikohen si shumë majtas, majtas, djathtas apo shumë djathtas. Ndërkohë, janë shtuar ata që e shohin veten si pak majtas ose qëndrojnë në qendër.

Sondazhi i TopChannle
News24 gjithashtu publikoi sondazhin e dytë të realizuar nga Notosondaggi, i cili pasqyron prirjet elektorale të qytetarëve shqiptarë. Sipas sondazhit, Partia Socialiste kryeson me 45.5%, ndonëse ka rënë me 0.5% krahasuar me sondazhin e 14 prillit. Koalicioni PD-Aleanca për Shqipërinë Madhështore ndjek me 36%, duke shënuar një rritje prej 1%. Partia Mundësia ruan 6.5%, ndërsa Nisma-Shqipëria Bëhet është rritur në 5.5%. PSD ka rënë në 2%, Lëvizja Bashkë është rritur në 2%, ndërsa koalicioni Euroatlantik dhe ai Djathtas për Zhvillim kanë shënuar rënie. Rritje prej 0.5% kanë pasur edhe ata që preferojnë një forcë tjetër politike.

Sondazhi i News24
Sondazhet e mëparshme
Sondazhi më i përfolur është ai i “News 24”, i realizuar nga kompania italiane Notosondaggi, një emër i njohur në fushën e matjeve elektorale në Itali dhe Europë. Sipas këtij sondazhi, Partia Socialiste kryeson me 46% të votave, ndërkohë që 54% e votuesve janë të pozicionuar për alternativa të tjera.
Ky rezultat është komentuar nga kryeministri Edi Rama si një konfirmim i qartë i fitores: “Tani që të jemi shumë të qartë: unë nuk parashoh ndryshim të mazhorancës. PS do ta rifitojë shumicën…”, – deklaroi Rama në emisionin “Sy më Sy”.

Sondazhi i News24
Eksperti i zgjedhjeve Ilir Brasha, në një analizë të detajuar kombinon të dhënat e sondazhit të Barometrit të “EuroNews Albania” për muajin Shkurt me rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2021, për të prodhuar një projeksion të shpërndarjes së mandateve në Kuvendin e ardhshëm.
Në skenarin e parë, votat shpërndahen sipas tendencës aktuale: PS 75 mandate, PD-ASHM 54 mandate, NISMA-SHB 8 mandate, Mundësia 2 mandate, Bashkë 1 mandat. Kjo do të siguronte një fitore të re për Partinë Socialiste. Por në skenarin e dytë, ku përfshihet ndikimi i votës së emigrantëve dhe të pavendosurve, balanca lëkundet ndjeshëm PS 69 mandate, PD-ASHM dhe partitë e reja deri në 71 mandate së bashku.
Sipas Brashës, rreth gjashtë mandate janë në pikëpyetje dhe mund të lëvizin lehtësisht në qarqe si Tirana, Elbasani, Korça, Durrësi, Vlora, Dibra e Gjirokastra, në varësi të mobilizimit të elektoratit të lëkundur dhe votës së diasporës.
“Sistemi zgjedhor favorizon partitë e mëdha, por jo nëse partitë e reja arrijnë të përqendrojnë votën në qarqe të caktuara. Atëherë, çdo votë mund të bëhet mandat dhe çdo mandat mund të bëhet përcaktues për qeverisjen”, thotë Brasha.
Rasti i vitit 2021 është ilustrues: LSI mori 107 mijë vota në rang kombëtar, por vetëm katër mandate, për shkak të shpërndarjes joefikase të votës. Ndërkohë, PSD-ja e Tom Doshit me më pak se 36 mijë vota mori 3 mandate, falë përqendrimit në Shkodër dhe Tiranë. Në këto zgjedhje, sipas analizës, partitë e reja mund të sigurojnë deri në 16 mandate: NISMA Shqipëria Bëhet deri në 10 mandate, Partia Mundësia deri në 5 mandate, Lëvizja Bashkë 1 mandat.
PSD është përsëri jashtë sondazheve, por me potencial për mandate në Shkodër, Lezhë dhe Tiranë, ashtu si në 2021. Ndërsa Koalicioni Euroatlantik i Lulzim Bashës është ende nën radar, por pritet të matet më qartë në sondazhet e fundit përpara 11 majit.

Sondazhi i EuroNews
Sondazhet, edhe pse mund të tregojnë preferencat aktuale të zgjedhësve shqiptarë ose mund të jenë krejt të gabuara kanë një efekt përforcues në publik. Për shembull, ato mund të nxisin një zgjedhës të pavendosur për të votuar në rrymën që sondazhi favorizon. Jo më kot hedhja në publik po ndodh tani dhe marrja e rimarrja e tyre nga kryeministri Rama në retorikën e tij po ndodh me programim.


