
Nga Ervin Goci
Një opinion në lidhje me mundësinë e bashkëpunimit të partive të reja me njëra-tjetrën.
Duket si temë ekzotike, por në vlerësimin tim, është e rëndësisë së parë në një Shqipëri të regjur nga vjedhja dhe të pamundur nga antikorpet.
Meqenëse subjektet e reja nuk arrijnë dot të gjejnë të përbashkëta, dhe nuk kam për të harxhuar fare kohë për të gjet fajtorin se është banale, po jap unë disa propozime se ku mund të puqen pa asnjë sforco:
Si lëvizje ato janë shumë të ndryshme, por si subjekte pak a shumë kanë një fabul dhe një qëllim, të krijojnë një alternativë përfaqësuese, pra përpara se të flasim për bukurinë e krijesës së re, duhet të dimë që kjo krijesë ka lindur në një tokë aspak fertile, madje armiqësore, kështu që rreziku i tharjes është iminent. Kjo nuk i barazon, por i lidh në fatin e përbashkët, dhe kjo jo se pse e kam unë si vizion, por thjesht e imponojnë rrethanat.
Mjafton të kujtoni se sa shpejt e gjeti gjuhën Rama me Berishën për amnistinë, për të kuptuar se çfarë keni përballë.
E dyta, protestat nuk ka asnjë kuptim që të mos bëhen të përbashkëta, çfarë kuptimi ka që secili të mbërthehet pas një kauze, kur vendi është duke marrë flakë përditë?!
Së treti, ato duhet të bëjnë pjesë të aksionit të tyre dhe kauzat e subjekteve të tjera, pavarësisht snobizmit intelektual, sepse në fund të fundit ato janë kërkesa apo kauza të më të përjashtuarve. Nëse mbështetet aksioni për një Tiranë të jetueshme, e pse mos të mbështetet aksioni për votën e diasporës? Ku është sakrilegji këtu?
Së katërti, Këshilli Bashkiak psh, është një arenë që duhet ndezur me aksione të përbashkëta. Sigurisht me vullnet të mirë, me sinqeritet. Po çfarë kuptimi ka që dhe ato pak forca që janë, mos të koordinohen?!
Nëse ka dyshim, duhet distancim, jo mëdyshje të kota që lodhin njerëzit.
Së pesti, nëse ka mjaftueshëm modesti, do duhen hapur tryezat e përbashkëta për të folur për çështje kapitale dhe për të rënë dakord që pak principe themeltare do t’i mbështesim të gjithë bashkë. Në fund të fundit ka disa të këqija që janë të painterpretueshme, ato duhen luftuar dhe pikë.
Së gjashti dhe shumë e rëndësishme, është koordinimi mes tyre për kandidatë që t’i mbështesin të gjitha palët në zona të caktuara apo për kompromise të principta për figura konsensuale. Le të mos ketë rëndësi se kush e propozon, le të shkojë për logon që e propozon. Nëse një subjekt ka qenë aq i zoti sa të nxjerrë një kandidaturë premtuese dhe të pakontestueshme, le të mbështetet. Çfarë kuptimi ka që secili të nxjerrë nga një në çdo zonë, duke i futur stërkëmbësha njëri-tjetrit?!
Për të arritur çfarë?!
Këto që them, nuk i dëmtojnë fare ato në betejat e tyre, nuk ua përçudnon identitetin, po përkundrazi i bën nder, sepse tregon minimalisht që janë konstruktive dhe dinë të bëjnë kompromiset e duhura për një të mirë të përbashkët. Kjo zgjidhet me një të shkrepme, mjafton një takim fare njerëzor dhe i afërt për ta çuar përpara këtë të mirë për Shqipërinë.
Cilido që ka merak se do dëmtohet nga kjo punë, le të dijë që këto subjekte të reja nuk do mbijetojnë gjatë të gjithë bashkë në të njëjtën kohë, të ardhmen përpara e ka subjekti me organizimin më të mirë dhe me identitetin më të fortë, por cilido që mendon se e ka arritur që tani dhe është i aftë të dalë vetëm përballë ujqërve, le ta dijë që po e hedh veten në vrimë të zezë, e cila do ta thithë dhe as hiri nuk do t’i mbetet. Unë e di që pak a shumë të gjithë i mendojnë këto gjëra, sepse e kam patur fatin të flas me secilin, duhet thjesht kurajo dhe vizion, sigurisht me gjithë të drejtën e secilit për të ruajtur integritetin e vet, pa bërë asnjë kompromis të detyruar.
Jam kundër shkrirjeve artificiale, të pavullnetshme.
Uroj shumë që kjo ditë të jetë afër, vetë do punoj mesa fuqi kam që kjo gjë të ndodhë!
Jam i sigurt që është në të mirën e të gjithëve.


