
Askush nga të vetët nuk ka guxuar të reagojë me germat “M.E.T.A” sepse me sa duket qartë dhe vetë Edi Rama ka vendosur të mos reagojë pas arrestimit më të bujshëm në mes arrestimesh të figurave të larta politike që SPAK-u ka urdhëruar ndonjëherë.
Socialistët kanë shpërfillur krejtësisht këtë zhvillim të rëndësishëm që lidhet me reformën në drejtësi në Shqipëri, reformë, e cila për hir së të vërtetës ndonjë ditë mund t’u skalitet në trup për aq sa shpesh e përmendin për raste të tjera.
Po pse Rama ka zgjedhur ta shpërfillë tërësisht këtë zhvillim? Çfarë kërkon ai të arrijë? A po tenton ta ruajë si kolateral për ta përdorur gjatë zgjedhjeve apo ka dashur të shmangë krijimin e perceptimeve te publiku se pas këtij arrestimi mund të fshihet ai, duke mos u bërë njësh me SPAK-un?
Dje u arrit në mënyrën më të përkryer që arrestimi i Metës të kthehej në një show për gjithë shqiptarët që kanë akses në media, një pjesë e të cilëve do jenë edhe votuesit e vitit 2025. I arrestuar me forcë dhe me video qytetarësh që kishin fiksuar momentet e tërheqjes zvarrë të tij, çuditërisht dje pati edhe shpërndarje në kohë rekord të këtyre videove.

“Gurët” e shpërfilljes
U skalit qartë se socialistët nuk kishin ndërmed të reagonin jo vetëm prej kryesorit të tyre, akuza e zakonshme ndaj të cilit nga rivalët politikë është se ka kapur të gjitha pushtet, por edhe me bashkëpunimin e të tjerëve.
Ndër të parët eksponentë të PS-së që nisi shpërfilljen ishte Elisa Spiropali, kryetare e kuvendit që Meta ka drejtuar më parë. Spiropali publikoi aktivitete të zakonshme të përditshmërisë së saj duke mos bërë asnjë koment për arrestimin e Metës.
I vetmi reagim domethënës në rreshtin e PS-së është ai i ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla.
Me një video ku “shenjëstronte targetin” nëpërmjet një loje me shigjeta, duket se mesazhi i Ballës ishte i fortë, por pa përmendur në asnjë moment emrin e Ilir Metës. “Ne shqiptarët nuk gabojmë me shënjestrën”, shkruante dje Balla krahas videos, duke folur në emër të shqiptarëve.
Partitë e vogla reagojnë, mes tyre dhe zëri i Bashës
Një reagim i përmbajtur ai i Arlind Qorit të Lëvizjes Bashkë, megjithëse qe ndër të vetmit që reagoi pas arrestimit të Metës. “Sidoqoftë, pavarësisht përceptimit popullor dhe jopopullaritetit të Metës, drejtësia në Shqipëri është ende e mangët sa kohë Erion Veliaj dhe Edi Rama, keqbërës të korruptuar njëlloj si Meta dhe Berisha, mbeten të lirë e të pushtetshëm. Çdo ditë që Ramës dhe Veliajt i vonon thirrja në SPAK për çështjet e inceneratorëve dhe pastrimin e parave me kulla në Tiranë, është një pikëpyetje gjithnjë e më e lartë për besueshmërinë e reformës në drejtësi.”, shkruante Qori.

Kurse Endri Shabani i “Nisma Thurjes” kujtoi kohën që po mbaron, duke thënë se është radha e Ramës. “Koha kur këta na vidhnin dhe kapardiseshin pa u hyrë gjemb në këmbë, po mbaron. Pas Berishës dhe Metës tani është rradha e Ramës, i cili është i vetmi kryeministër i tranzicionit që nuk është marrë ende i pandehur! Koha për drejtësi!”, tha Shabani.
Po në të njëjtën linjë qëndronte edhe Lulzim Basha, ish-kreu i PD-së, sipas të cilët kambanat po bien dhe për Ramën. “Kambanat po bien për Edi Ramën, brinjët e Trekëndëshit të Bermudës nuk qëndrojnë dot pa njëri-tjetrin. Fillimi i fundit të pandëshkueshmërisë shënon fillimin e fundit të tranzicionit. Shqipëria meriton më shumë”, shkroi Basha.


