Kuvendi nuk funksionon normalisht, incidentet dhe tensionet janë rikthyer, seancat përbëjnë lajm negativ në media, mazhoranca ruan kontrollin numerik të Kuvendit, por duke hequr dorë nga funksioni klasik kontrollues mbi ekzekutivin, opozita në krizë përfaqësimi është së fundi edhe subjekt i penalizimit kolektiv 40 ditor pa ndonjë bazë solide ligjore, ndërkohë që faza e re pas nisjes së negociatave me BE-në do të kërkonte një parlament shumë më funksional, më transparent, më llogaridhënës dhe më efektiv.
Kur parlamenti nuk funksionin si duhet, – shpiken nisma e aksione politike në funksion të fushatës elektorale, – në emër të “Eja në Kuvend” drejtuesit e Kuvendit nisin tur takimesh në qarqe me zyrtarët/mbështetësit e qeverisë/partisë në pushtet, opozita alternon protestat në Tiranë e Strasburg, ndërkohë që Ministri i Shtetit për parlamentin nuk merret me parlamentin, por ka javë që bën ture partiake & elektorale në Europë dhe SHBA!
Një nga funksionet thelbësore të Kuvendit është edhe funksioni zgjedhor. Kaq shumë janë tejkaluar afatet e zgjedhjes së disa institucioneve të rëndësishme sa në kalendarin e Kuvendit tashmë nuk shihet e nevojshme as të shënohet koha kur ka skaduar mandati. Për njërin nga institucionet, mandati ka skaduar më shumë se dy vjet më parë… rast unik dhe i pagjetshëm në asnjë prej parlamenteve në eurozonë ose në paradhomën e eurozonës!
Kur Kuvendi shkel ligjin dhe i ikën përgjegjësive, kjo quhet “politikë” dhe askush nuk mban përgjegjësi, kur qytetari shkel afatet ligjore ndaj një detyrimi administrativ kjo quhet shkelje ligji dhe penalizohet me gjobë deri me burgim! Koha për transparencë, llogaridhënie, sens përgjegjësie dhe politikë me integritet. Edhe në Kuvend.
*Shënimi është publikuar nga Instituti i Studimeve Politike



