Le të bëjmë një shpikje në ministri, meqë qendra e shërbimeve arsimore nuk ka funksionuar mirë deri tani, të mos merremi të përmirësojmë atë, po ta “transformojnë”, ta quajmë agjenci dhe mos të harrojmë të përfshijmë mirë e mirë dhe fondacionin AADF. Ky është interpretimi më i thjeshtë nëse dikush nga ju që po lexoni këtë shkrim do ishte anëtar i grupit të punës dhe do merrte nga ato orientimet frymëzuese për t’iu futur punës për krijimin e një projektligji që lidhet me një nga sektorët më delikatë në arsim: zhvillimin, administrimin dhe analizën e testeve kombëtare e ndërkombëtare në veçanti Maturën Shtetërore, provimet e shtetit dhe profesionet e rregulluara dhe administrimin e bazës së të dhënave shtetërore për arsimin. Në fakt, nismëtare e këtij “megatransformimi avangard” për arsimin shqiptar nuk është ministrja aktuale e Arsimit dhe Sporteve Mirela Kumbaro, por Ogerta Manastirliu. Projektligji ka kaluar për konsultim që në 9 korrik 2025, duke u mbyllur në 6 gusht 2025. “Ky projektligj ka për qëllim të përcaktojë rregullat për organizimin e funksionimit, detyrat dhe kompetencat e Agjencisë së Shërbimeve Arsimore, si institucion autonom dhe nën mbikëqyrjen e ministrit përgjegjës për arsimin që ka për mision garantimin e interesit publik në ofrimin e shërbimeve në fushën e arsimit, profesioneve të rregulluara, vlerësimeve kombëtare dhe ndërkombëtare, nxitjen me synimin e përmirësimit të shërbimeve arsimore dhe krijimin e kushteve të favorshme në interes të publikut.”, shkruajnë në mënyë deklarative formuluesit.

Në thellësi – Për çfarë e kanë fjalën?

Po ta shohësh me kujdes projektligjin dhe dokumentet “argumentuese” të krijuesve, gjen disa shpjegime se pse lind nevoja e transformimit nga qendër në agjenci. Qendra nuk ia ka dalë të performojë.

“Veprimtaria e Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA) ka rezultuar në nivele jo të kënaqshme, larg pritshmërive të përmbushjes së detyrimeve ligjore mbi realizimin e shërbimeve arsimore në kohë reale dhe cilësi shumë të mirë. Për pasojë veprimtaria e deritanishme e QSHA-së krijon besueshmëri të ulët te publiku si për institucionet arsimore në tërësi dhe në proceset arsimore e vlerësuese që zhvillohen kjo Qendër në veçanti. Në QSHA evidentohen probleme në menaxhimin dhe analizën e të dhënave arsimore, duke krijuar pasiguri në të dhënat që paraqiten të cilat nuk janë koherente.Kapaciteti i ulët i burimeve njerëzore në QSHA, infrastruktura e niveleve jo të mira, cilësore, për shkak të mungesës së investimeve në këtë drejtim, e cila duhet të jetë në sasi dhe cilësi shumë të lartë, krahasuar me shumëllojshmërinë e shërbimeve arsimore, teknikalitetet dhe specifikat e sofistikuara që ato kërkojnë, kanë sjellë vonesa në kohë, mungesë efikasiteti dhe cilësie në shërbimet arsimore që zhvillon QSHA.”, raportojnë përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve.

Propozojnë disa skenare, mes të cilave dhe rivitalizimi i qendrës ekzistuese, por jo, më e mira sipas tyre është të përfshijnë edhe fondacionin AADF.

Implikimi i AADF-së

Mirëpo mes rreshtash shikon se si një agjenci kombëtare mund fare lehtësisht “të merret peng” nga një fondacion.

Vini re me kujdes se si implikohet Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim AADF, i cili ka tagrin të zgjedhë anëtarë të bordit të agjencisë.

Për shembull, në Këshillin Drejtues të Agjencisë së Shërbimeve Arsimore, AADF-ja mund lehtësisht të emërojë 2 anëtarë, përkrah 2 anëtarëve të ministrisë dhe 1 eksperti me përvojë ndërkombëtare në arsim.

Përcaktohet qartësisht se në periudhën 2026-2028 kjo agjenci do të mbahet me ristrukturimin e fondeve ekzistuese të qendrës por dhe mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë. “(AADF-së, partner të BE-së….)”, specifikojnë raportet e projektligjit.

Ministria madje shprehet se ka bërë një takim konsultativ në 9 shtator 2025 me AADF-në, 1 muaj pas konsultimeve publike.

Ekzistonka po kështu një memorandum mirëkuptimi mes ministrisë dhe AADF-së dhe AADF-ja ka shkuar deri aty sa ka angazhuar ekspertë ndërkombëtarë nga “Cambridge Assesment International Education” dhe pikërisht qenkan këta që kanë sugjeruar ndërtimin e një agjencie kombëtare “autonome”.

AADF-ja është komentuar gjatë për çështjen e menaxhimit të parkut të Butrintit, një nga pasuritë më të mëdha të trashëgimisë sonë. Kritika të ashpra ka patur në opinionin publik, ndërsa nuk dihet mirë se si do rezultojë implikimi edhe në arsim. Shqipëria e ka një nga sektorët më problematikë arsimin. Nuk dihet nëse ky fondacion do përmirësojë apo thjesht po privatizon me këtë lëvizje politikat tona kombëtare mbi arsimin.

Valmora Gogo është gazetare dhe lektore e Komunikimit dhe e Gazetarisë. Prej 17 vitesh ajo kontribuon në hapësirën mediatike në Shqipëri, duke nisur që prej gazetës Shekulli e deri te mediet online si Newsbomb.al, Shuplaka.al dhe Hashtag.al. Gogo mban gradën “Doktor në Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” dhënë nga Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës. E fokusuar në kërkim dhe kryesisht në politikë, Gogo kujdeset në informimin e saktë të opinionit publik shqiptar.

LËR NJË KOMENT

Klevi Metaj u përball i vetëm me 6 policë. Rrjeti është dominuar në fotoja e portretit të tij. Qëndresa e e Metajt ka tërhequr vëmendjen e komentuesve. Në protestën e...
/ Oct 13
Nga Ola Xama Të dhënat për numrin e policëve të plagosur apo vlerën e objekteve të dëmtuara në protestë, për herë të parë nuk më bëjnë përshtypje. Personalisht kam pëlqyer...
Gogo.al hap studion e podkastit duke ftuar një pjesëtar të audiencës sonë besnike, Olard Siqecën. Një qëndrim mbi Call Centerat i themelueses dhe gazetares Valmora Gogo, u bë shkak për...
/ Oct 12
Shtëpia e Bardhë kërkoi dorëheqjen e Guilfoyle pasi "The Wall Street Journal" raportoi se ajo i kishte kërkuar 100,000 dollarë një donatori të Trumpit. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Katie...
/ Oct 13