Ndërsa gazetarë të ndryshëm nga Shqipëria mund të kenë vazhduar interesimet për të mësuar më shumë mbi marrëveshjen me Italinë për imigrantët, publikuar ekskluzivisht nga Gogo.al, kryeministrja italiane Giorgia Meloni doli sërish në mediet italiane.

Kësaj radhe ajo dha katër detaje që kapin vëmendjen në shumësinë e fjalëve lavdëruese të kësaj marrëveshjeje nga Meloni: riatdhesimi, imigrantë meshkuj, afati 28-ditor dhe kampi PCR.

Po çfarë do të thotë për Shqipërinë përmendja e një nga problemeve më të mëdha që qeveria italiane ka, pamundësia për të riatdhesuar imigrantët që nuk fitojnë mbrojtjen ndërkombëtare, pse gjinia e imigrantëve që do të vijnë në Shqipëri do të jetë ajo mashkullore, çfarë tipologjie është kampi PCR dhe a do të qëndrojnë realisht këta imigrantë në vendin tonë vetëm 28 ditë, ose për një periudhë të shkurtër?

Gogo.al komunikoi me ekspertë të menaxhimit të situatës së imigrantëve në Itali dhe Norvegji, të cilët njohin nga afër si funksionon në praktikë menaxhimi i kësaj krize për Europën dhe përtej saj.

Ngërçi i Italisë në menaxhimin e krizës

Një koordinator i një qendre imigrimi në Itali me një përvojë të gjatë rrëfeu për Gogo.al në kushte anonimati për shkak të natyrës delikate të pozicionit të tij, se si funksiononte në praktikë menaxhimi i kësaj krize.

Koordinatori shpjegon itinerarin e imigrantëve, procesin e aplikimeve dhe rishqyrtimeve për mbrojtjen ndërkombëtare, muajt dhe vitet që qëndrojnë mesatarisht në pritje imigrantët, problemet më të mëdha që ndeshin autoritetet italiane, pasojat me kontigjentin e krimeve dhe pamundësinë e Italisë që të kthejë me forcë imigrantët që u ka refuzuar qëndrimin në Itali.

Mijëra imigrantë vijnë nga ishulli i Lampeduzës në kampet në brendësi të Italisë. Lampeduza, një pikë e nxehtë (hotspot) bën procesin e mbledhjes së të dhënave të imigrantëve. Por para se të mbërrijnë në Itali nga Maroku, Egjipti, Algjeria, Tunizia, Burkina Faso, Sudani, Nigeria, Somalia, Mali etj. (mediatorët-ndërmjetësuesit e gjuhëve duhet të njohin rreth 75 gjuhë e dialekte të ndryshme, megjithëse përdorin si gjuhë zyrtare në komunikim anglishten dhe frengjishten) ata kanë kaluar vite sakrificë e punë të gjatë. Një pjesë e konsiderueshme e tyre qëndrojnë për vite të gjata në Libi duke punuar, për të siguruar paratë e udhëtimit të jashtëligjshëm për në Itali.

Sistemi i pritjes së emigrantëve në Itali funksionon në dy nivele: pritja e parë, e cila përfshin pikat e nxehta dhe qendrat e pritjes së parë, CAS, Qendrat e Pritjes së Jashtëzakonshme, një hibrid midis pritjes së parë dhe të dytë. Po ata që nuk aplikojnë për mbrojtje ndërkombëtare? Procedurat mbi ta kryhen në CPR (Qendrat e Përhershme dhe të Riatdhesimit). CPR-të janë qendra ku mbahen ata imgrantë që kanë marrë procedurat e dëbimit dhe duhet të riatdhesohen.

Pas mbledhjes së të dhënave të tyre kryesisht rezulton që ditëlindja e secilit immigrant vendoset 1 janar, për shkak se shumica janë analfabetë. Më pas ata ndahen për t’u dërguar në kampet në brendësi të Italisë (CAS) me logjikën gra dhe fëmijë, familjarë apo burra që kanë mbërritur të vetëm në Itali. Duke mbajtur fletën C3 në dorë (Emri, datëlindja dhe nga vijnë) regjistrohen në stacionet policore (Questure). Pas shoqërimit me avokatë, imigrantët kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare (Protezione Internazionale). Të dhënat në terren tregojnë që përafërsisht vetëm 40% të tyre e fitojnë mbrojtjen ndërkombëtare, ndërsa rreth 60% janë imigrantë ekonomikë. Atyre që u është mohuar u jepet mundësia të bëjnë kërkesë rishqyrtimi, mes të cilëve përafërsisht vetëm 5% u miratohet mbrojtja ndërkombëtare, duke lënë rreth 55% të imigrantëve në detyrimin për t’u larguar nga Italia. Këta 55% duhen të kalojnë në kampet e tipit CPR.

Para se të kalojmë te çështja e riatdhesimit, që duket se është problemi kryesor I Italisë, le të kthehemi fare pak te afatet. Përafërsisht periudha nga kërkimi i mbrojtjes italiane deri te përgjigja (ngritja e komisionit, shqyrtimi, paraqitja) mund të zgjasë deri në 6 muaj (minimum) e deri 2 vjet në rastet e kërkesave për rishqyrtim, teksa çdo komunitet ka një ndërmjetës gjuhe të njohur nga gjykata por po ashtu edhe shërbim ligjor. Imigrantëve u jepen 120 euro si para xhepi për t’u shpenzuar në 2 javë, ndërsa nëse përgjigja është negative ata do të duhet të largohen nga kampi brenda 24 orëve. Tipologjia e çështjeve për të cilat kryesisht imigrantët nga Afrika kanë më shumë gjasa ta fitojnë mbrojtjen ndërkombëtare përfshin shtete të origjinës në luftë, përndjekjet seksuale, konvertimet fetare etj.

Kështu, ata që nuk e përfitojnë mbrojtjen ndërkombëtare (afërsisht 55% e imigrantëve) kanë arsye ekonomike. Pas 24 orësh që marrin përgjigjen përfundimtare pas rishqyrtimit ata mbeten “në rrugë të madhe”, edhe pse mund të përdorin shërbimet në qendrat ditore që janë ngritur në gjithë Italinë. Statusi i tyre është ai i nënshkruar STP, që do të thotë se nuk kanë dokumente por kanë të drejtë të marrin shërbime mjekësore të kufizuara.

Por çfarë është kampi PCR, i cili do të ndërtohet edhe në Shqipëri?

Autoritetet italiane mund t’u refuzojnë imigrantëve mbrojtjen ndërkombëtare dhe t’i lajmërojnë se duhet të largohen në vendet e tyre të origjinës edhe pas dështimit të rishqyrtimit të kërkesave të tyre por nuk mund t’i detyrojnë të dëbohen kolektivisht me forcë për shkak të konventave dhe ligjeve ndërkombëtare.

Këtu ka lindur edhe problemi kryesor në Itali me imigrantët që nuk e kanë fituar mbrojtjen ndërkombëtare, të cilët humbasin automatikisht edhe të drejtën për të aplikuar për mbrojtje në vende të tjera si në Francë, Gjermani, Zvicër etj.

Pra, do të jetë kampi PCR që do të ngrihet në Shqipëri, ku do të pozicionohen kryesisht imigrantë meshkuj, që u është refuzuar mbrojtja ndërkombëtare (apo u kanë humbur dokumentet) dhe duhet të kthehen në vendet e tyre të origjinës por që ligjërisht nuk detyrohen dot dhe që asnjë vend tjetër i Europës nuk mund t’i pranojë.

Kjo ka krijuar probleme sa i përket zhvillimit të kriminalitetit në këto komunitete që e kanë humbur shpresën e fitimit të mbrojtjes, përtej presionit të shtuar nga shoqëria italiane dhe dyfishimit të numrit të imigrantëve në Itali në vitin e fundit.

Koordinatori i intervistuar jep edhe disa detaje sa u përket modeleve kulturore të punës që kryejnë imigrantët në Itali, në bazë të njohurisë dhe praktikës që sjellin nga vendet e origjinës. Kryesisht emigrantët nga vendet e Afrikës Qendrore merren me bujqësi, emigrantët nga Pakistani, Bangladeshi apo ata indianë merren me sektorin e shërbimeve në turizëm, ndërsa vihet re një hendek në të kuptuarin e punës europiane te emigrantë që vijnë nga vendet e Afrikës së Veriut si Maroku, Algjeria apo Tunizia.

Italia ka marrëveshje riatdhesimi me Egjiptin, Libinë, Algjerinë, Tunizinë dhe Nigerinë. Si do veprohet me ato shtete që nuk kanë marrëveshje bilaterale për riatdhesim? Këtu lind një problem i madh jo vetëm per Italinë por edhe për Shqipërinë në kthimin e pamundur të imigrantëve që vijnë nga vende që nuk ka marrëveshje riatdhesimi. Deri tani kemi parë vetëm fluksin imigrator nga Afrika po mos harrojmë ngjarjet që po zhvillohen në Lindjen e Mesme.

Modeli norvegjez i menaxhimit të krizës

“Bombë me sahat” e quan Telnis Skuqi, ish-punonjësi i përkohshëm i Zyrës së Emigracionit në Norvegji, njëkohësisht ish-azilkërkues politik.

Administrimi i një qendre pritje për refugjatët sipas tij ka gjashtë sfida dhe vështirësi:

-Shoqëria dhe reagimi publik: Në disa raste, ka rezistencë ose pakënaqësi nga pjesa e shoqërisë ndaj pranisë së refugjatëve. Njerëzit mund të kenë frikë, shqetësim për sigurinë dhe të kenë qasje të ndryshme ndaj pranisë së tyre.

-Burimet dhe financat: Administrimi i një qendre pritje kërkon burime financiare të mëdha. Për të ofruar strehim, ushqim, kujdes shëndetësor dhe shërbime të tjera për refugjatët, nevojiten fonde të mëdha që mund të jenë sfiduese për të siguruar.

-Kontrolli i flukseve të refugjatëve: Ndërhyrja e shpejtë për të pritur dhe ndihmuar një numër të madh të refugjatëve mund të jetë sfiduese për administratën e qendrës së pritjes.

-Nevojat dhe marrëdhëniet me refugjatët: Refugjatët kanë nevoja të ndryshme. Disa kanë nevojë për kujdes shëndetësor të menjëhershëm, trajtim të traumave apo kujdes për fëmijët. Administrimi i nevojave të tyre të ndryshme është një sfidë e vërtetë.

-Legjislacioni dhe procesi i azilit: Procedurat ligjore dhe procesi i azilit mund të jenë komplekse dhe të gjata. Administrimi i dokumentacionit, procedurave ligjore dhe sigurimi i ndihmës ligjore për refugjatët është një sfidë tjetër.

-Integrimi dhe pranimi në shoqëri: Pas qendrës së pritjes, është sfida e integrimit të refugjatëve në shoqërinë e re. Kjo përfshin gjetjen e punës, mësimin e gjuhës së re dhe njohjen e kulturës së re.

“Pra e thënë më drejtpërdrejtë, administrimi i një qendre pritje për refugjatë është një sport i rëndë, që kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm mes shumë aktorëve të përfshirë dhe përgatitjen për t’i adresuar këto sfida në mënyrë efektive dhe humane.”, komenton Skuqi, duke shtuar se maksimumi i imigrantëve që qëndrojnë në një qendër pritje në Norvegji është 150 vetë dhe kushtet e ftohta klimaterike nuk e favorizojnë mungesën e kontrollit të imigrantëve për shkak se nuk mund të lëvizin lirshëm në territor.

Mbajtja e 3000 refugjatëve në një kamp me kufizime të lëvizjes sipas ish-punonjësit të përkohshëm të Zyrës së Emigracionit në Norvegji mund të ketë disa pasoja negative.

-Kufizimi i lirisë së individëve: Ngritja e kampit si një vend i mbyllur mund të shkaktojë ndjesinë e izolimit dhe kufizimit të lirisë së individëve. Kjo mund të çojë në ndjenja të depresionit, ankthit dhe paqëndrueshmërisë emocionale te refugjatët.

-Kufizimi i mundësive për zhvillim dhe progres: Kur refugjatët janë të kufizuar në kamp, ata mund të kenë vështirësi në përfshirjen në jetën shoqërore dhe në gjetjen e mundësive për punë, arsim dhe zhvillim personal. Kjo mund të ndikojë në shëndetin emocional dhe mendor të tyre, gjë që kthehet në revolta të rrezikshme ku përfshihen tre aktorë: refugjatët, administrata dhe banorët e zonës.

-Rritje e tensioneve dhe konflikteve brenda kampit: Mungesa e lirisë së lëvizjes, pavarësisht standardit të lartë të mirëqënies që mund të ofrojë kampi, shkakton tensione dhe konflikte midis refugjatëve. Nëse nuk ka mjaftueshëm liri, tensionet rriten dhe shkaktojnë situata të rrezikshme.

-Rritja e varfërisë dhe pamundësia për vetëkujdesje: Kufizimi i lirisë së refugjatëve për të gjetur punë ose burime të tjera bazike, rrit nivelin e pakënaqësisë në kamp.

-Të drejtat njerëzore: Pra, kufizimi i lirisë së lëvizjes për një kohë të gjatë pa një arsye të qartë ligjore mund të shkelë të drejtat themelore të njeriut dhe të shkaktojë shqetësime të mëdha si për administratën e kampit, ashtu edhe për vetë ekzistencën fizike të kampit.

“Administrata e një kampi duhet të kujdeset për të garantuar që refugjatët të kenë një trajtim të drejtë, që të mos ndjehen të izoluar dhe të kenë mundësi për të zhvilluar veten në sajë të lirisë së tyre së lëvizjes dhe të punojnë drejt përmirësimit të kushteve të tyre jetësore, por unë e vlerësoj shumë të vështirë, pothuajse të pamundur të administrosh mendjet e 3000 refugjatëve, pra mundësia është zero.”, thotë Skuqi.

Procedurat për azilkërkuesit në Norvegji janë me përputhje me Procedurën e Dublinit, por ka një ndryshim të vogël, sidomos në 48 orët e para të kërkesës, që pothuajse është unike në llojin e vet dhe krejt ndryshe nga vendet e Bashkimit Europian.

Kur një person aplikon për mbrojtje ndërkombëtare në Norvegji, procedura përkatëse fillon me një vlerësim të rrethanave të tyre brenda 48 orëve të para. Pas aplikimit, personi do të intervistohet për të zbuluar arsyet, për të cilat po kërkon mbrojtje, pa të drejtë apelimi.

Nëse aplikanti përmbush kriteret për të qenë azilkërkues, atyre ju ofrohet mbrojtja ndërkombëtare ose statusi i mbrojtjes së përkohshme, deri në shqyrtim në themel të çështjes, ndërsa në raste të tjera, aplikantët që nuk përputhen me kriteret e azilit janë të detyruar të largohen nga Norvegjia, por kanë të drejtë të kundërshtojnë vendimin.

Megjithëse Norvegjia nuk është pjesë e Bashkimit Europian, pas referendumeve kryer te qytetarët e saj që i i kanë thënë “Jo” për shkak të sistemit të peshkimit, ajo ka një marrëdhënie të ngushtë me BE-në përmes Marrëveshjes së Zonës Ekonomike Evropiane (EEA) dhe disa marrëveshjeve të tjera dypalëshe. BE-ja dhe Norvegjia punojnë ngushtë për çështjet e politikës së jashtme dhe të sigurisë.

Valmora Gogo është gazetare dhe lektore e Komunikimit dhe e Gazetarisë. Prej 17 vitesh ajo kontribuon në hapësirën mediatike në Shqipëri, duke nisur që prej gazetës Shekulli e deri te mediet online si Newsbomb.al, Shuplaka.al dhe Hashtag.al. Gogo mban gradën “Doktor në Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” dhënë nga Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës. E fokusuar në kërkim dhe kryesisht në politikë, Gogo kujdeset në informimin e saktë të opinionit publik shqiptar.

Leave a Reply

  • (not be published)