
Nga Abdulla Diku
Argumenti që dëgjojmë sot për Zvërnecin dhe zona të tjera të mbrojtura në Shqipëri nuk është i ri. Edhe vende të tjera evropiane janë përballur me të njëjtën dilemë: të ndërtojnë resorte në zonat më të bukura natyrore apo t’i ruajnë ato. Edhe atje ka patur trafikim influencash, përpjeke për deformim të fakteve tentativa për korrupsion apo dilema nëse duhet mbrojtur natyra apo lejuar zhvillimi.
Ja disa nga shembujt:
1. Parku Kombëtar Plitvice Lakes (Kroaci)
Plitvice është parku kombëtar më i njohur i Kroacisë dhe pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Për shkak të bukurisë së tij, u shtua ndjeshëm presioni për ndërtimin e hoteleve, objekteve turistike dhe zgjerimin e infrastrukturës brenda parkut. UNESCO dhe IUCN paralajmëruan se zhvillime të tilla do të rrezikonin vlerat për të cilat parku ishte futur në Listën e Trashëgimisë Botërore.
Si rezultat, Kroacia u detyrua të forconte kontrollin mbi ndërtimet dhe të mos lejonte zhvillime të reja që cenonin integritetin ekologjik të parkut.
Sot Plitvice mbetet një nga destinacionet natyrore më të vizituara në Evropë pikërisht sepse ruajti natyrën e tij dhe nuk u betonizua.
2. Parco Nazionale delle Cinque Terre (Itali)
Cinque Terre është një nga brigjet më të famshme turistike të Mesdheut. Potenciali ekonomik për ndërtimin e resorteve dhe komplekseve të mëdha turistike ka qenë gjithmonë shumë i lartë. Por, Italia zgjodhi një model tjetër zhvillimi: kufizime të rrepta për ndërtimet e reja, mbrojtje të peizazhit tradicional dhe mbështetje për bujtinat, shtëpitë tradicionale dhe bizneset familjare. Edhe sot, çdo ndërhyrje i nënshtrohet kontrolleve shumë të rrepta dhe ekzistojnë kufizime të qarta për krijimin e strukturave të reja turistike. Pikërisht ky model e ka bërë Cinque Terre një nga destinacionet më të dashura në Evropë.
3. Parku Kombëtar Berchtesgaden (Gjermani)
Berchtesgaden ndodhet në një nga rajonet më turistike të Alpeve gjermane dhe mund të ishte shndërruar lehtësisht në një zonë me resorte të mëdha malore. Megjithatë, Gjermania vendosi që zemra e parkut kombëtar të mbetej e paprekur. Zhvillimi turistik u orientua jashtë zonave më të ndjeshme ekologjikisht, ndërsa brenda parkut prioritet mbeti ruajtja e proceseve natyrore, shtigjeve, peizazhit dhe biodiversitetit. Sot parku konsiderohet një model i turizmit të qëndrueshëm në mbarë Evropën.
4. Parku Kombëtar Doñana (Spanjë)
Doñana është një nga ligatinat më të rëndësishme të Evropës dhe një nyje kryesore për shpendët migratorë. Për dekada ka pasur presione për projekte turistike, infrastrukturore dhe zhvillime ekonomike në zonën përreth. Megjithatë, autoritetet spanjolle dhe institucionet evropiane kanë ndërhyrë vazhdimisht për të garantuar që mbrojtja e parkut të ketë përparësi ndaj interesave afatshkurtra ekonomike. Sot Doñana mbetet një simbol i ruajtjes së natyrës në Evropë.
5. Kaliakra (Bullgari)
Kaliakra është ndoshta shembulli më i afërt me debatin që zhvillohet sot në Shqipëri. Në këtë zonë të mbrojtur u propozuan projekte të mëdha turistike, përfshirë komplekse hotelerie dhe një resort golfi. Komisioni Evropian e çoi Bullgarinë në Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Evropian, duke argumentuar se zhvillimet kishin cenuar zonat e mbrojtura sipas legjislacionit evropian. Gjykata konstatoi shkelje të detyrimeve të Bullgarisë për mbrojtjen e natyrës. Ky rast u bë një precedent i rëndësishëm në Evropë: zhvillimi ekonomik nuk mund të justifikojë dëmtimin e zonave të mbrojtura. Secili prej këtyre parqeve, gjeneron sot mbi 100 milion euro në vit.






