
Mbledhja e fundit e Këshillit Bashkiak Sarandë solli miratimin me 31 vota unanime të përfaqësuesve të majtë dhe të djathtë për dhënien me qira të 60 hektarëve tokë për ndërtimin e një parku diellor nga kompania private “Park Sol Energy”. Banorët, të cilët pretendojnë se toka është pronë e tyre dhe se çështja ndodhet në proces gjyqësor, nuk u lejuan të hynin në sallë.
Reagimet pas vendimit
Vendimi i Këshillit Bashkiak, i votuar unanimisht nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste dhe të Partisë Demokratike në Sarandë, shkaktoi reagime të menjëhershme.
Gazetari Klodian Tomorri, në një reagim publik, e cilësoi vendimin si një akt të papranueshëm dhe ngriti pyetje mbi rolin e opozitës:

“Sot Këshilli Bashkiak e ka realizuar tentativën. Këshilltarët bashkiakë kanë votuar unanimisht për t’ia dhënë tokën privatit, edhe pse ajo pronë është në proces gjyqësor dhe pretendohet nga banorët.
Pas votimit, banorëve që protestonin u kanë çuar policinë. Tani unë kam një pyetje që sinqerisht nuk e kuptoj dot: çfarë fiton opozita që bashkon votat me qeverinë për të rrëmbyer tokat e njerëzve për klientët e qeverisë?
Nga duhet të ruhet mileti? Nga narkodiktatori apo bythëcët që kalojnë ylberin? Ore, çfarë bëni, jeni në vete apo jo?”

Edhe deputetja e PD-së në qarkun e Vlorës, Ina Zhupa, reagoi përmes një postimi në rrjete sociale:
“Dje, këshilli bashkiak Sarandë ka marrë një vendimmarrje të paligjshme, ndërkohë që ato toka janë të banorëve të Nivicës dhe ndodhen në një proces gjyqësor.
Ishte detyrim parësor i këshillit që banorët mos t’i linin jashtë duke u vënë policinë, por të pranonin kërkesën e bërë nga kryetari i PD Sarandë, këshilltari Shpëtim Ahmeti, për t’i dëgjuar ata në këshill. Kjo kërkesë u rrëzua nga kartonat e pushtetit, që nuk njohin qytetarët por vetëm oligarkët.”
Flamur Noka: “Tradhti ndaj qytetarëve të Nivicës”
Deputeti demokrat Flamur Noka reagoi menjëherë pas votimit, duke u shprehur i tronditur nga vendimi i këshilltarëve të PD-së në Sarandë:

“S’i besoj dot syve që kryetari i PD në Sarandë ka votuar pro këtij vendimi! Këshilltarët e Lul Bashës kanë votuar bashkë me PS, por jo këshilltarët e PD-së. Për ne, kjo është grabitje e pastër e tokës së fshatit Nivicë nga Rama dhe Rilindja për të shpërblyer dy biznesmenë të oborrit për kontributin e dhënë në farsën zgjedhore. Ne kemi qenë dhe do të jemi krah banorëve të Nivicës dhe të çdo qytetari që bandat e Rilindjes i rrëmbejnë pronën.”
A u bashkuan realisht votat e socialistëve dhe demokratëve?
Fakti është se vendimi i Këshillit Bashkiak Sarandë u miratua me vota unanime të këshilltarëve të pranishëm në sallë. Brenda PD-së, ky votim ka prodhuar dy narrativa të ndryshme: njëra flet për bashkëpunim me mazhorancën dhe tradhti politike, ndërsa tjetra që voton pro shfrytëzimit të tokës për interes publik sipas vendimit, njësoj si përfaqësuesit socialistë në sallë, pavarësisht se çështja është ende në gjykatë.

Nga ana tjetër janë banorët e Nivicës, të cilët janë me sytë nga gjykatat në pritje të vendimit për pronësinë e tokave të tyre. Në sallë ata, përveç se nuk ishin pjesë, mund të jenë ndjerë dhe të përfaqësuar aspak nga opozita që, “de facto”, votoi pro nismës së socialistëve.


