
Gjurmët e historisë tragjike të kampit famëkeq të Aushvicit janë përjetësuar edhe në kinematografi. Një nga kapitujt më të errët të historisë që solli Lufta e Dytë Botërore është pa dyshim gjenocidi më i madh në historinë e njerëzimit, i njohur si Holokausti. Gjatë viteve 1941–1945, rreth 6 milionë hebrenj u vranë nga regjimi nazist, i ushqyer nga një ideologji raciste dhe e urrejtjes, e cila promovonte një “rend të pastër racor”. Sipas kësaj ideologjie, hebrenjtë dhe grupe të tjera etnike ishin fajtorë për problemet ekonomike, sociale dhe politike në Gjermaninë hitleriane dhe në Europën e përfshirë nga lufta në shekullin XX. Nacionalizmi ekstrem dhe urrejtja ndaj dallimeve fetare dhe etnike u përdorën nga propaganda naziste për të justifikuar vrasjet masive dhe shfarosjen sistematike.
Nazistët hapën kampe përqendrimi, në të cilat u kryen krime ndaj popullsisë hebraike, dhe më i madhi prej tyre ishte kampi i përqendrimit Auschwitz në Poloni. Fillimisht, ai shërbente për të burgosur kundërshtarët politikë të Adolf Hitlerit dhe të partisë naziste, si dhe polakët pas pushtimit të Polonisë. Ky ishte kampi më i madh i përqendrimit, ku u kryen krime kundër njerëzimit, duke prodhuar rreth 1.1 milion viktima, shumica prej të cilëve ishin hebrenj nga Europa.
Më 27 janar 1945, forcat aleate zbuluan dhe çliruan kampin e Aushvicit. Pamjet tragjike që u gjetën atje tronditën botën dhe vërtetuan në mënyrë të pamohueshme ekzistencën e Holokaustit. Nga viti 1945 deri më 1946, Gjyqi i Nurembergut dënoi me vdekje dhe burgim të përjetshëm liderët kryesorë nazistë për krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid. Këto ishin gjykimet e para ndërkombëtare të këtij lloji dhe vendosën precedent për të drejtën ndërkombëtare penale. Në vitin 1948 u krijua shteti i Izraelit, ku shumë të mbijetuar të Holokaustit u vendosën për të gëzuar të drejtën legjitime për të pasur një shtet të tyre.
Për të rrëfyer çfarë ndodhi brenda atij kampi famëkeq dhe për të kujtuar botës se çfarë mund të prodhojë një ideologji urrejtjeje, kinematografia ka kontribuar përmes filmave – disa prej të cilëve janë fitues të çmimeve prestigjioze si Oscar. Për shkak të ndjeshmërisë së vendeve origjinale si Auschwitz, që sot janë muze dhe vende përkujtimore, shumica e filmave mbi Holokaustin janë xhiruar në vende të tjera që riprodhojnë atmosferën tragjike pa cenuar respektin për viktimat.
Disa nga filmat më të vlerësuar janë:
1. Schindler’s List (1993)
I realizuar nga Steven Spielberg, filmi nuk u xhirua në kampet origjinale për arsye etike dhe ligjore, por në qytete si Praga dhe Krakov, që ruajnë arkitekturën e periudhës naziste. “Schindler’s List” bazohet në historinë e vërtetë të Oskar Schindler, një industrialist gjerman që shpëtoi më shumë se një mijë hebrenj. Filmi fitoi 7 çmime Oscar, përfshirë Filmin më të Mirë dhe Regjinë më të Mirë, si dhe çmime të tjera ndërkombëtare si Golden Globe dhe BAFTA.

2. The Pianist (2002)
Xhirimet u zhvilluan në Varshavë, Lodz dhe në studiot Babelsberg në Gjermani. Filmi rrëfen historinë e muzikantit hebre-polish Ëładysłaë Szpilman, i cili mbijetoi Holokaustin. Me regji nga Roman Polanski, vetë një i mbijetuar i Luftës së Dytë Botërore, filmi fitoi 3 çmime Oscar – për Regjinë më të Mirë, Aktorin më të Mirë (Adrien Brody) dhe Skenarin më të Mirë të Adaptuar – si dhe Palmën e Artë në Festivalin e Kanës.

3. Son of Saul (2015)
Ky film hungarez u xhirua në një kamp të braktisur në Kistarcsa, Hungari, duke rikrijuar atmosferën e Aushvicit. Rrëfen përditshmërinë e një anëtari të njësisë Sonderkommando, i detyruar të ndihmojë në procedurat e krematoriumit. Filmi fitoi Oscar për Filmin më të Mirë Ndërkombëtar, Grand Prix në Festivalin e Kanës dhe çmimin Golden Globe për Filmin më të Mirë të Huaj.

4. The Boy in the Striped Pajamas (2008)
Xhiruar në zona rurale në Angli, kryesisht në Kent dhe Berkshire, kampi u rindërtua për të ruajtur respektin ndaj vendeve të vërteta. Filmi ndjek miqësinë mes një djali gjerman, biri i një komandanti nazist, dhe një djali hebre të burgosur. I nominuar për disa çmime ndërkombëtare, përfshirë BAFTA, ky film është vlerësuar për mënyrën emocionuese dhe edukative me të cilën trajton Holokaustin.

Një tjetër film për vuajtjet ekstreme në burg është projekti me autorësi të Namik Ajazit dhe Visar Zhitit. Subjekti i tyre zhvillohet në “aushvicin” shqiptar, në burgun e Spaçit. Për këtë është kryer suvatimi i një godine që dikur shërbente si dhomë takimesh. Ndërhyrja ka sjellë revoltën e ish-të burgosurve. Fatos Lubonja që ka kaluar 17 vite të jetës së vet në qelitë e ftohta të Spaçit e ka parë si të pamundur një restaurim nisur nga nevojat e një filmi dhe se ndërhyrjet e bëra nuk respektojnë të vërtetën. Pas protestave nga ish-të burgosur e aktivistë të shoqërisë civile, vjen edhe reagimi i ministrit Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja: “Është krijuar një “tymnajë” e panevojshme në lidhje me ish-burgun e Spaçit, duke injoruar jo vetëm degradimin ekstrem fizik por duke sajuar fabula mbi “prishje të kujtesës historike” apo “qoka” për hir të një filmi, çka është keqinformuese, por edhe dashakeqe në thelb.”-shprehet ai. Debati vijon ende duke mos patur një version përfundimtar që nuk do prekte asnjërën palë.

Të gjithë këta filma, përveç vlerës së tyre artistike, na ndihmojnë të kuptojmë më thellë atë që ka ndodhur brenda kampeve të përqëndrimit, janë rrëfime të dhimbshme për viktimat e pafajshme që u shndërruan të tilla në emër të ideologjisë së urrejtjes. Në një kohë të trazuar nga konfliktet, këta filma janë na kujtojnë se urrejtja nuk mund të jetë kurrë bazë për paqe. Gjuha e urrejtjes që shpërndahet në rrjetet sociale nuk është thjesht një retorikë boshe, por një kërcënim real që mund të rikthejë errësirën e së kaluarës.


