Endri Shabani u zgjodh Avokat i Popullit me 85 vota pro në një seancë parlamentare që u zhvillua, mes akuzave, kundërshtive dhe largimit të opozitës nga salla. Votat që e çuan Shabanin në krye të institucionit erdhën nga Partia Socialiste dhe Partia Socialdemokrate, ndërsa Partia Demokratike i hapi rrugën kandidimit të tij.

Fillimisht, PD firmosi 35 nënshkrime për të mbështetur kandidaturën e Shabanit, si pjesë e një grupi prej gjashtë kandidatësh që opozita propozoi në Kuvend. Por më vonë, demokratët kërkuan të tërhiqnin firmat duke pretenduar se procesi nuk ishte i rregullt dhe se kandidati nuk përfaqësonte më vullnetin e tyre.

Lista e deputetëve të PD-së të cilët dhanë firmën në mbështetje të Endri Shabanit

Një ditë më parë Sali Berisha, shpjegoi përball gazetarëve pse PD-ja u tërhoq nga mbështetja për Shabanin. Ai tha se opozita ia dha firmat në kohën kur Shabani mbështeti Florjan Binajn si kandidat të pavarur për Bashkinë e Tiranës, por më pas sipas tij dolën në pah probleme. “Unë nuk them që nuk i mori firmat Endri Shabani. I mori në një periudhë kur ai mbështeti Florian Binajn. Por pastaj dolën një seri problemesh që faktuan se ai ishte një person me lidhje kryekëput me Edi Ramën. Ky nuk është vetëm mendimi ynë, por edhe i faktorëve që kërkojnë që Avokati i Popullit të jetë një person me integritet të lartë.”

Ndërkohë, një nga kandidatët e tjerë, Adriana Kalaja, reagoi ndaj PD-së për dhënien e firmave në mbështetje të Endi Shabanit. “Ju mund të ‘vrisni’ Adriana Kalanë, por jo kauzën që kam ngritur. Ajo është e bazuar në të drejtën dhe të vërtetën që ju kanë ‘zënë brenda’.”

Rezultati i votimit

Pavarësisht protestës së opozitës dhe largimit të saj nga seanca, procesi vijoi në mënyrë të rregullt dhe Shabani u zgjodh me votat e mazhorancës. Pas shpalljes së rezultatit, ai reagoi duke u shprehur i surprizuar për sjelljen e PD-së që fillimisht e mbështeti me inkurajime dhe firma, por më pas e braktisi. “Deputetët e opozitës më inkurajuan, më dhanë firmat dhe më uruan sukses, por më pas vendosën ta braktisnin kandidaturën time sikur të mos ishte e tyrja. Ndërkohë, mazhoranca, që refuzoi të më jepte qoftë edhe një firmë, në momentin final më votoi e gjitha.”– shkruan ai.

Shabani falënderoi si deputetët e opozitës që i dhanë mundësinë të kandidojë, ashtu edhe mazhorancën që i dha votën e besimit, duke u zotuar se në detyrën e Avokatit të Popullit do të punojë me integritet dhe pavarësi, për të fituar respektin e të gjithëve.

Reagimi i plotë i Endrit Shabanit

Mbrëmë mora për kandidaturën time si Avokat i Popullit një votëbesim sa të rëndësishëm dhe personalisht prekës, aq edhe surprizues për nga dinamika e zhvillimit në sallën e Kuvendit.

Mbetem akoma i befasuar me deputetët e opozitës, të cilët fillimisht më inkurajuan me dashamirësi, më dhanë firmat e tyre sipas ligjit dhe më uruan sukses, por më pas vendosën ta braktisnin kandidaturën time a thua se nuk ishte e tyrja.

Nga ana tjetër, deputetët e mazhorancës, fillimisht refuzuan të më jepnin qoftë edhe një firmë, megjithëse disa prej tyre i kam miq, me argumentin se PS nuk do të hynte në këtë punë të opozitës, por në momentin final më votuan që të gjithë, madje me votë të fshehtë, duke më besuar detyrën e Avokatit të Popullit.

E gjithë kjo dinamikë ishte diçka që s’do ta besoja dot po të ma tregonin më parë dhe nuk e lija dot pa e shënuar.

Megjithatë, me keqardhje për vijën e pakuptueshme të partisë së tyre, dua t’i falënderoj sinqerisht 35 deputetët e opozitës, të cilët me firmat e tyre më dhanë mundësi të kandidoj për këtë funksion kushtetues. I siguroj se nuk do t’u jap arsye për të menduar ndonjëherë se bënë gabim që më mbështetën në fillim apo se bënë gjënë e duhur që nuk më votuan në fund.

Gjithashtu, nuk mund të mos i falënderoj po aq sinqerisht deputetët e mazhorancës, pavarësisht se jam i vetëdijshëm që, më shumë se për mua, vota e tyre ishte një akt pjekurie politike për të zgjidhur ngërçin e stërzgjatur të institucionit dhe hedhur një hap domethënës për procesin e negociatave, ku ky ngërç shënohej si detyrë e pakryer shtëpie.

Dua të vlerësoj në veçanti faktin që duke më dhënë votën, deputetët e mazhorancës i dhanë përparësi si skuadër funksionimit të shtetit, dhe kapërcyen njerëzisht faktin që unë, si aktivist i angazhuar në radhët e opozitës, kam bërë dhe thënë gjëra për të cilat me siguri nuk iu ka ardhur mirë.

U shpreh respekt për nivelin dallueshëm më të lartë politik dhe i siguroj se në kryerjen e kësaj detyre të rëndësishme do të bëj më të mirën për të gëzuar respektin e të gjithëve.

Faleminderit!

LËR NJË KOMENT

Navanethem "Navi" Pillay, një juriste nga Afrika e Jugut dhe ish-komisionere e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, fitoi Çmimin Nobel për Paqen 2026, "për përpjekjet e saj...
/ Oct 9
Nga Gjergj Erebara Banka e Shqipërisë bleu shifrën rekord të 428.5 milionë eurove gjatë muajve prill, maj dhe qershor të këtij viti, një shifër e cila, sipas të gjitha gjasave,...
/ Oct 10
A mendon se Korreshi po investon në partinë e duhur? Kur do ta tejkalojnë Berishën? A gjendet emri i një eksponenti të lartë të PD-së në dosjen e Ballukut? Çfarë...
/ Oct 6
Ndonëse kanë kaluar 36 vite nga rrëzimi i komunizmit, Shqipëria duket se ka ndërruar emërtimin e sistemit politik, por jo përmbajtjen e saj. Kjo shembullzohet me efektet dhe diksursin publik...
/ Oct 10