A e dinit që perandori francez Napoleoni, kishte rrënjë familjare nga Toskania dhe mbante fjalime patriotike me një theks italian? Në “The Rest Is History”, podkastin më të popullarizuar në botë për historinë, drejtuesit Tom Holland dhe Dominic Sandbrook bëjnë disa pyetje befasuese. A ishte historiani romak Tacitus i ndërgjegjshëm për çështjet sociale? A është i padrejtë reputacioni i keq i Luizit të XVI-të? A u shkaktua Lufta e Parë Botërore pjesërisht nga zemërimi i Kaiserit gjerman që u tall pse veshi këpucët e gabuara në një festë në jaht?
Profesorët e historisë kanë vështirësi të ngjallin interesin e studentëve për të kaluarën. Megjithatë, në një shfaqje të drejtpërdrejtë të fundit në Londër, Hollandi dhe Sandbrooku tërhoqën një audiencë të zhurmshme të brezit Z, duke krijuar një atmosferë si në një koncert rok. “The Rest Is History” merr 11 milionë shkarkime çdo muaj dhe 1.2 milionë shikime mujore në YouTube, dhe shtatë nga dhjetë dëgjues janë nën moshën 40 vjeç. Sipas atyre që janë të njohur me shfaqjen, ajo ka mbi 45 mijë abonentë që paguajnë, të cilët, së bashku me reklamat, e bëjnë të mundur që secili moderator të fitojë gati 100 mijë dollarë në muaj.

Anëtarët e audiencës në paraqitjen e tyre në “Royal Albert Hall”

Kur Hollandi dhe Sandbrooku e nisën podkastin si një projekt gjatë bllokimit nga Covidi, ata nuk prisnin që të ishte një sukses, e lëre më një sensacion. Në fund të fundit, janë thjesht dy akademikë të moshës së mesme që flasin për metalurgjinë neolitike në Ballkan ose kurorëzimet e dështuara në Anglinë e Tudorëve, duke bërë shaka të parespektueshme, duke folur me thekse të çuditshme dhe duke injoruar korrektësinë politike.
“The Rest Is History” është bërë një fenomen global, edhe pse, apo ndoshta për shkak të kësaj, sfidon rrymat e kohës. Ushtria e tyre në rritje e fansave përfshin figura të njohura si Tom Hanks, i cili ishte së fundmi i ftuar në podkast, si dhe muzikantin Nick Cave. Marka është zgjeruar dhe përfshin libra dhe shfaqje të shitura plot. Në nëntor, Hollandi dhe Sandbrooku do të bëjnë një turne nga bregu në breg të SHBA-së, ku Sandbrooki do të vijojë të quajë Revolucionin Amerikan si një “luftë për shmangien e taksave”, të cilën “përfundimisht e fituan francezët”. Shumica e shfaqjeve janë shitur tashmë.
Javën e kaluar, fansat e tyre mbushën Salën Mbretërore Albert në Londër, një nga skenat më të mëdha të botës, ku ata treguan historitë e Mozartit dhe Bethovenit, të shoqëruara nga një orkestër dhe një kor.
Hollandi dhe Sandbrooku rrëfejnë histori komplekse që shpesh janë në qendër të polemikave bashkëkohore, por ata shmangin luftërat kulturore—të cilat, sipas tyre, janë aq të vjetra sa vetë kultura. Ata ofrojnë qasje të ngrohta, të mençura dhe shpesh rishikuese mbi fenë, virtytet e perandorisë, krijimin e SHBA-ve, tërheqjen e Marie Antoinettes (ajo kurrë nuk tha “Lërini të hanë tortë”) dhe arritjet e presidentëve Nixon dhe Reagan. Figura të kontestueshme si Kristofor Kolombi, Hernan Cortez ose Gjenerali George Armstrong Custer bëhen të gjalla si ajo që ishin: krijues të historisë dhe produkte të kohës së tyre.
“Ky podkast i shkëlqyer na tregon se historia është jashtëzakonisht e ndërlikuar dhe rrallëherë tërheq një vijë të pastër mes së drejtës dhe së gabuarës, mes të mirës dhe të keqes.”- shkruan së fundmi Cave. “Disa herë ajo që duket etikisht e qartë sot, mund të ndryshojë nesër.”

Suksesi i Hollandit dhe Sandbrookut është gjithashtu për shkak të anglishmërisë së tyre të padiskutueshme—a një refuzim të heshtur për t’u marrë shumë seriozisht, asnjëri, as tjetri, dhe as subjekti i tyre. Në një seri mbi Revolucionin Francez, ata theksojnë se ekzekutimi i fundit me gijotinë në Francë u krye në vitin 1977, i njëjti vit kur premiera e Star Wars u shfaq. “Mund të ishit shkuar t’i shihnit të dyja në një vit!”– thotë Sandbrook.
Ata kanë trajtuar historinë e pëllumbave, mjekrave dhe të brendshmeve dhe kanë tallur amerikanët, francezët dhe çdo vend dhe grup tjetër. Audiencat janë të ftuara të marrin pjesë në biseda—një bisedë e hapur që nuk shikon poshtë askënd dhe nuk kërkon të mbajë leksione, por pret që ata të jenë të hapur dhe inteligjentë.

Tom Hollandi në skenë

Holland, 56 vjeç, është një londinez (nga Londra) i gjatë dhe i dobët. Ai studioi letërsinë angleze në Cambridge para se të fillonte një karrierë të shkurtër si romancier dhe më pas të bëhej historian i botës antike, duke shkruar libra best-seller mbi Perandoritë Romake dhe Persiane, Krishterimin dhe Islamin. Ai është një përkthyes i vlerësuar i Herodotit dhe një tifoz i apasionuar i kriketit, i cili këndoi “Don’t Cry for Me Argentina” në një episod të podkastit për Eva Peron. Atij i pëlqen të bëjë thekset, por përveçse të imitojë Ronald Reagan, përpjekjet e tij për të folur anglishten amerikane tingëllojnë si një variant i anglishtes së Skocisë.
Sandbrook, 50 vjeç, i nderuar dhe pa flokë, jeton në fshat afër Oxfordit, ku studioi histori. Ai ka shkruar libra të rëndësishëm për Britaninë e shekullit të 20-të dhe historinë politike të Amerikës—disertacioni i tij doktoral ishte për Senatorin Eugene McCarthy—si dhe një kolonë për Daily Mailin, gazetën konservatore të Britanisë. Një ish-lektor universitar, ai thotë se e la akademinë për shkak të mërzitjes, duke kaluar në shkrimin e historisë popullore, duke përfshirë libra për fëmijë. Ai është pasionuar pas futbollit. Në rrjetet sociale ai nuk e kursen kritikën, duke i quajtur gazetarët amerikanë “dështakë dhe jashtëzakonisht të çuditshëm” për mbulimin e tyre “jo-historik” të Britanisë, si krahasimi i Boris Johnsonit me Donald Trumpin.
Mes tyre, ata shënojnë mrekullisht të gjithë historinë e Perëndimit, siç tha aktori dhe autori Stephen Fry, kur ai shfaqej në podkast.
Dy historianët moderatorë u takuan në një event bamirësie në vitin 2006 dhe pastaj shkuan në shtëpitë e njëri-tjetrit për të parë bashkë versionet e zgjeruara të të tri filmave të Lord of the Rings. Ata e nisën “The Rest Is History” në nëntor të vitit 2020, sicc thotë Sandbrook me idenë se “askush nuk do ta dëgjojë kurrë, kështu që mund të flasim si të ishim në birrari, pa pasoja dhe pa presion”.
Si autorë dhe transmetues me përvojë, ata gjithashtu e pranuan podkastin sepse i dha atyre kontrollin. Ata mund t’i shpëtonin “niveleve të tëra të redaktorëve që po e ngadalësonin” punën e tyre sepse ata “nuk besonin në interesin dhe gjykimin e njerëzve.”– thotë Holland. “Nuk keni nevojë të ulni nivelin për të pasur një audiencë… Mund të mbështetemi në dëgjuesit tanë që janë të interesuar.”- insiston ai. Rreth 600 episode më vonë, “shkarkimet tona e vërtetojnë këtë.”

Shfaqja e tyre prodhohet nga Goalhanger Podcasts, e themeluar nga ish-ylli i futbollit Gary Lineker. Vëllai i Hollandit, James, një historian lufte, po bashkë-udhëhiqte një podkast për Luftën e Dytë Botërore, i prodhuar nga kompania e Linekerit, dhe sugjeroi që vëllai i tij mund të provonte podkastin. Hollandi pastaj i iu drejtua mikut të tij Sandbrookut me këtë ide—dhe pjesa tjetër është, siç thonë ata, histori.

Hollandi, Sandbrooku dhe një orkestër në skenë për t’i ndihmuar ata të tregojnë histori të Mozartit dhe Bethovenit

Kompania e prodhimit dhe dy drejtuesit ndajnë të ardhurat e tyre në tre pjesë të barabarta. Goalhanger ka lançuar tashmë një seri podkastesh të konceptuara njësoj, “The Rest Is…”, të drejtuara nga personalitete të njohura që diskutojnë politikën, sportet dhe argëtimin. Sandbrooku dhe Hollandi herë pas here bëjnë paraqitje speciale në këto podkaste simotra; i pari do të ofrojë komentim në kohë reale për “The Rest Is Politics” në Ditën e Zgjedhjeve në SHBA.

Për podkastin e tyre, Hollandi dhe Sandbrooku zgjedhin tema që i interesojnë ose marrin sugjerime nga dëgjuesit. Disa episode lidhen me ngjarje të aktualitetit, si Kupa e Botës, Lojërat Olimpike ose publikimi i një biografie hollivudiane. Pas tentativës për vrasjen e ish-Presidentit Trump në korrik, ata i kushtuan një podkast katër vrasjeve të suksesshme presidenciale në historinë e SHBA-ve dhe shumë tentativave të dështuara. Në qershor, ata shënuan muajin e “Krenarisë” me episode për Oscar Wilde dhe perandorin romak Hadrian.

Ata e trajtojnë diturinë e tyre me lehtësi, por argëtimi që ofrojnë është i mbushur me mendime origjinale. Vetëkritika morale është një nga karakteristikat përcaktuese të kulturës Anglo-Amerikane, kanë argumentuar ata me prova historike. Hollandi dhe Sandbrooku e krahasojnë atë që po i bën media sociale shoqërive sot me shpikjen e shtypit në shekullin e 15-të dhe ngjitjen e publikimeve me qarkullim masiv që krijuan trazira, shpërthim të lajmeve të rreme dhe, përfundimisht, luftë.

Shumicën e kohës, ata e regjistrojnë podkastin nga shtëpitë e tyre, me studiot e tyre të studimit që shërbejnë si studio regjistrimi. Të dy zotërojnë objekte historike të çmuara: Hollandi shfaq me krenari një majë shtize romake dhe një fosil dinozauri, ndërsa koleksioni i Sandbrookut përfshin një libër kuzhine me receta të shërbyera nga Josip Broz Tito, udhëheqësi i Jugosllavisë Komuniste.
Herë pas here, episodet e “The Rest Is History” regjistrohen në lokacione të ndryshme. Drejtuesit udhëtuan për në Sarajevë për të diskutuar mbi Luftën e Parë Botërore. Ata e bëjnë vetë kërkimin e tyre, duke lexuar dhjetëra libra çdo muaj. Kohët e fundit, Sandbrooku po lexonte mbi Kongon Belge dhe Hollandi mbi Frankët. “Gëzimi për ne është një udhëtim zbulimi. Kurrë nuk mund ta delegonim atë.”- thotë Sandbrooku.

Hollandi dhe Sandbrooku në dhomën e tyre të zhveshjes “Royal Albert Hall”

Humori i shkëlqyer i “The Rest Is History” bie në kontrast me mënyrën se si shumë historianë dhe drejtues podkasti amerikanë i qasen punës së tyre, të cilën Sandbrooku e përshkruan si “të ankthshme dhe shumë të zellshme.” Podkasti nuk ka qenë asnjëherë anti-woke, thotë ai, por “shumë njerëz janë të lodhur nga mësimet. Ata nuk duan të ndihen të rënduar dhe nuk duan t’u thuhet se si duhet të mendojnë ose të ndihen.”

Biseda amerikane për historinë është shumë e politizuar, shton Hollandi, duke e trajtuar historinë si një “degë të teologjisë morale.” Libri i tij Dominion ndjek historinë e Krishterimit dhe si ai ka depërtuar në çdo aspekt të jetës Perëndimore deri në ditët e sotme, përfshirë protestat në universitetet amerikane dhe aktivizmin anti-kolonial. Megjithatë, ai paralajmëron kundër aplikimit të kuadrit moral të vitit 2024 për të kaluarën.

“Historia na mëson se sa të pafundme janë mënyrat për të qenë njerëz, për të parë botën, për të kuptuar se çfarë do të thotë të jesh njeri.”- thotë Hollandi.
Ky qëndrim duket se është një magnet për abonentët e rinj, përfshirë amerikanët, të cilët përbëjnë tregun në rritje më të shpejtë të podkastit. Hollandi dhe Sandbrooki dhanë shfaqjet e tyre të para të drejtpërdrejta në SHBA vitin e kaluar. Në Uashington, D.C., Sandbrooku zgjodhi të fitonte një audiencë prej 2,000 personash me historinë e ushtarëve britanikë që dogjën Shtëpinë e Bardhë në Luftën e 1812-ës.
“Shkoi shumë mirë!”- thotë Holland duke qeshur. “Ndoshta është një pasqyrim i politikës së Uashington-it të momentit.”

*Shënim: Artikulli është pronësi intelektuale e “The Wall Street Journal”. Klikoni KËTU për artikullin origjinal.

LËR NJË KOMENT

Klevi Metaj u përball i vetëm me 6 policë. Rrjeti është dominuar në fotoja e portretit të tij. Qëndresa e e Metajt ka tërhequr vëmendjen e komentuesve. Në protestën e...
/ Oct 13
Nga Dorian Matlija Gjatë gjithë jetës sime profesionale kam besuar te zgjidhja paqësore e konflikteve, te ligji dhe institucionet. Helbete, avokat hesapi dhe kështu i bie të mendoj në kohëra...
/ Oct 14
Gogo.al hap studion e podkastit duke ftuar një pjesëtar të audiencës sonë besnike, Olard Siqecën. Një qëndrim mbi Call Centerat i themelueses dhe gazetares Valmora Gogo, u bë shkak për...
/ Oct 12
“Sa më shumë polici, aq më shumë studentë” është parulla me të cilën studentët u bëjnë thirrje të rinjve t’i bashkohen protestës së sotme, më 14 tetor, në orën 14:00,...
/ Oct 14