
Financieri amerikan Jeffrey Epstein, i përfshirë në skandale trafikimi të miturish, abuzime seksuale, njohje e fije të forta në politikë prej vitesh, është kthyer në impenjimin kryesor të medieve në Shqipëri. Pjesë nga dosja e tij zbardhen çdo ditë, dhe kjo i shtohet pa kursim edhe menuve të tryezave të debatit, si lajm kryesor. Portalet dalin me tituj si: “Bill Gates pjesë e dosjeve Epstein, reagon ish-bashkëshortja e miliarderit amerikan: Ka qenë periudha më e errët e martesës tone”, “Hetim i fshehtë i FBI-së ndaj magjistarit Copperfield, lidhje me Epstein dhe dyshime për abuzime seksuale”, apo “I përfshirë në skandalin e dosjes Epstein, ish- Princi Andrew largohet nga Royal Lodge”. Po nuk kanë munguar rastet kur flitet edhe për përfshirje të emrave shqiptarë në artikuj si: “Princesha do të donte ta shihte këtë video”, del emri i biznesmenit shqiptar në dosjet e Epstein”.

E gjithë kjo zhurmë rreth skandaleve të financierit amerikan, në kohën kur kalojnë plot zhvillime pa u ndjerë. Gjykata Kushtetuese e shtyu prap shqyrtimin e çështjes së pezullimit të zv.kryeministres Belinda Balluku. Ndaj saj ka një kërkesë për arrestim nga SPAK-u, ndërsa institucionet shpikin argumente duke mos u vënë pikën. Në Durrës ndotja nga mbetjet e “Kurum” u ka shkuar banorëve të Porto Romanos brenda shtëpive. Pas analizave rezultoi se lënda ishte pluhur i filtrimit të gazrave të furrave elektrike të çelikut (EAF), i klasifikuar si mbetje e rrezikshme me kodin 10 02 07*, që përbën rrezik serioz për shëndetin e njeriut dhe mjedisin, veçanërisht për ekosistemet ujore. Shoqëria “Kurum International” sh.a., në bashkëpunim me subjekte të tjera private dhe zyrtarë shtetërorë, ka tentuar të fshehë natyrën e vërtetë të mbetjeve për t’i eksportuar jashtë vendit dhe për t’i tregtuar brenda territorit shqiptar, në kundërshtim me legjislacionin kombëtar dhe ndërkombëtar.
Pavarësisht rrezikut toksik, fashat e orareve më të ndjekura në televizione patën në krye të vendit Epsteinin. “Real story” nga Sokol Balla në “ABC News” u analizua thellë fenomeni për të dalë në konkluzione se bëhet drejtësi selektive dhe individi është i pambrojtur përballë pushtetit. Nga ana tjetër në Rrjoll të Velipojës banorët janë duke bërë rezistencë që në zonën e tyre të mos ngrihen resorte. Prej ditësh ata janë përplasur me policinë. Paralel gazetari Blendi Fevziu i dedikon 9 minuta gjithë kronologjisë së ngjarjeve duke dhënë një panoramë të rrethanave të vdekjes së Epstein.
Gazetarja Mirela Milori gjatë një tryezë debati në “Euro News Albania” ka treguar me detaje si mund të kërkosh e të gjesh dosjet e Epstein. Dosja “Epstein” është publikuar në momentin më oportun për qeverisjen Rama. Argëtim i mirë apo jo?! Me kusht që askush mos merret me çështjet e katundit tonë.



